Meksika mbledh në Romë konsujt e nderit. Ndroqi: Interesi turistik, në rritje

redaktor

Në ambientet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Romë, u mbajt konferenca e konsujve të Nderit të Meksikës, të Shqipërisë, Italisë, Maltës, dhe San Marinos. Konferenca kishte për qëllim t’i njihte konsujt e nderit me reformat e ndërmarra nga Presidenti i Meksikës Enrique Peña Nieto dhe zhvillimet në fushat me interes në punën e tyre, si promotorë të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në botë – thuhet në një deklaratë për media të zyrës së shtypit pranë konsullit të nderit të Meksikës në Tiranë, Ylli Ndroqi.

Në vitet e fundit, Meksika është shndërruar në një nga kryeqendrat e turizimit botëror, me një gërshtetim të suksesshëm mes trashëgimisë kulturore, natyrës, bregdetit dhe shërbimeve turistike.Në 2014 Meksika është vizituar nga 20 milionë turistë të huaj dhe sipas Organizatës Botërore të Turizmit, është një nga destinacionet kryesore më të vizituara nga Amerikës Latine dhe vendi i 10 në botë më i vizituar nga turistët.

Puna e konsujve të nderit vlerësohet me një rëndësi të veçantë dhe siç u shpreh Ambasadori Guerra Abud, ata janë ura unike e bashkëpunimit dhe miqësisë.

Ndroqi dhe Abud
Ndroqi dhe Abud

Konsullata e Meksikës në Tiranë, ishte ndër më të vlerësuarat në fjalimet e përfaqësuesve të Meksikës. Zv/ambasadori Gabriel Rosenzëeig, Konsulli i Meksikës në Romë, Gustavo Martinez Cianca si dhe Oscar Camaccho drejtues i zyrës ProMexico për bashkëpunimin ekonomik veçuan konsullatën në Shqipëri si një shembull i bashkëpunimit frytdhënës në fushat e diplomacisë, shërbimeve konsullore, bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të turistik dhe kulturor- thuhet në deklaratë.

Në fjalën e tij Konsulli i Nderit i Meksikës në Shqipëri Ylli Ndroqi, i njohu të pranishmit me përpjekjet për të lehtësuar lëvizjen e lirë mes dy vendeve si dhe promovimin e kulturës dhe turizmit, ndërsa ambasadori i Meksikës në Itali Guerra Abud shprehu interes për një vizitë së shpejti në Tiranë.

“Shpresoj që së shpejti do të ndodhem në Shqipëri për të paraqitur letrat kredenciale si Ambasador i Meksikës për Shqipërinë, detyrë kjo që më është besuar nga Presidenti. Së bashku me Konsullin e Nderit në Meksikë z. Ndroqi,do të analizojmë politikat më të mira të mundshme për të rritur bashkëpunimin ekonomik, kulturor e turistik me Shqipërinë”, pohoi ambasadori Abud.

Ylli Ndroqi, i cili prej gati 4 vitesh është Konsull i Nderit i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë tha se ka patur një koordinim të jashtëzakonshëm të punës mes Ambasadës së Meksikës në Romë dhe Shqipërisë.

“Kemi bashkëpunuar fort në fushën e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike. Kemi mbështetur qytetarët meksikanë që vizitojnë Shqipërinë e i kemi ndihmuar në praktikat e tyre të vizave apo pasaportave, punë kjo e kryer në bashkëpunim të ngushtë mes Ambasadës së Meksikës në Romë dhe Konsullatës tonë të Meksikës në Tiranë. Bashkëpunimi me Ambasadorin e Meksikës ka qënë mjaft i mirë e do të vijë duke u forcuar, pasi gjithnjë e më i lartë është numri i turistëve meksikanë që vizitojnë Shqipërinë ashtu si dhe numri i turistëve shqiptarë që vizitojnë Meksikën, një vend me turizëm bregdetar e kulturor të rrallë” – tha Ndroqi

Montezemolo, Abud dhe Ndroqi
Montezemolo, Abud dhe Ndroqi

Prania e Presidentit të Alitalia-s Luca Cordero di Montezemolo ishte tregues i rëndësisë që kjo kompani i jep lidhjes direkte me vendin e dhjetë më të vizituar në botë, Meksikën. Por edhe Shqipëria, ka gjetur mënyrën për të lënë gjurmë te Montezemolo, i cili e shfrytëzoi takimin me Konsullin e Nderit të Shqipërisë, Ndroqi për t’i përcjellë admirimin e tij për një mik të veçantë siç është trajneri i kombëtares Gianni De Biasi.

Dhe si gjithmonë kur ka festë meksikane nuk mungojnë Mariachit, muzikantët popullorë që me ritmet e tyre të veçanta sollën një atmosferë të gëzueshme. Këngët dhe vallet tradicionale kurorëzuan me nota të bukura feste mbylljen e punimeve të konferencës me konsujt e nderit të Meksikës në botë.

 

 

Share This Article