Merr fund “makthi” i BE-së mbi shkëputjen e Skocisë

redaktor

Referendumi skocez dhe një rezultat i mundshëm pro pavarësisë, ishin shndërruar në një “makth” për diplomacinë evropiane. Ndonëse e pozicionuar në një qëndrim politik neutral dhe me deklarata tejet elegante diplomatike, përballë çështjes së Skocisë, tensioni i BE-së, nuk arriti dot të mbyllej pas kuintave. “Jam i çliruar”, do të deklaronte kreu i Parlamentit Evropian Martin Schulz, menjëherë pas daljes së rezultatit. Një çlirim, që nënkupton shqetësimin shumëplanësh mbi aspektin ligjor, politik dhe diplomatik të BE-së, përballë Skocisë, Britanisë së Madhe, por edhe përballë faktorit ndërkombëtar.

Nëse Skocia do të votonte pro shkëputjes, siç edhe ishte konfirmuar nga ish-kreu i KE-së Barroso, asaj do t’i duhej të aplikonte për t’u bërë anëtare e BE-së. Sigurisht, që një sërë lehtësirash shfaqeshin, teksa Skocia nën Britaninë e Madhe dhe pjesë e BE-së, funksionon nën të njëjtën kuadër ligjor të adaptuar dhe njehsuar me kuadrin ligjor të BE-së.

Por, tensioni rritej përgjatë reflektimit, që imponon eksperienca e historikut të marrëdhënieve të vendeve anëtare, përballë këtij fenomeni. Pra, ndërsa Skocia do të përpiqej si një vend i sapo shkëputur të krijonte gradualisht njohje në arenën ndërkombëtare, mundësia që një pjesë e vendeve anëtare të BE-së të mos e njihnin, ishte e lartë. Precedenti “Kosovë” është ende prezent si shembulli kryesor, se si anëtarësimi i Skocisë, do të mund të bllokohej nga vende, që i druhen lëvizjeve separatiste, si Spanja, Sllovakia apo Rumania, pa përjashtuar edhe Belgjikën. Në një rast hipotetik, teksa referendumi për shkëputje u krijua nën miratimin dhe aprovimin e Britanisë së Madhe, ndoshta influenca e diplomacisë britanike, mund të rezultonte e suksesshme në bindjen e diplomacive refuzuese, për njohjen e rastit skocez. Ndonëse një mision i vështirë për t’u realizuar, duke marrë parasysh përparësinë e prioriteteve kombëtare në politikën e jashtme të këtyre vendeve anëtare, rasti “Kosovë” do të ngelej sërish ngërçi prezent mes BE-së dhe vendeve anëtare refuzuese.

Një tjetër tension shfaqej përballë një vendi anëtar si Britania e Madhe, e vlerësuar sa me influencë të konsiderueshme, po aq edhe një partner i vështirë, që kërkon edhe të dalë nga BE. Në rast se Skocia do të votonte pro shkëputjes, pesha politike e Britanisë sigurisht që do pësonte një lloj reduktimi brenda politikës së BE-së. Kjo mund të çonte ndoshta edhe në një rikonfigurim të fuqisë dhe mënyrës se si luajnë aktorët politikë brenda pushtetit elitar të BE-së. Por, frika më e lartë ekspozohej tek shkëputja e një Skocie, e cila është konfirmuar si pro-europiane. Nëse kryeministri britanik, Cameron siç edhe ka premtuar do të mund të mbajë një referendum për qëndrim apo dalje nga BE, në rast se rifiton një tjetër mandat në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, mungesa e votave pro-europiane skoceze, do të sillte një panoramë aspak të dëshiruar, me një Britani ndoshta përfundimisht jashtë BE-së.

Për BE-në, shkëputja e Skocisë dhe një plan i mundshëm mbi një shkëputje të ardhshme të Britanisë së Madhe, janë faktorë që do të reduktonin ndjeshëm në arenën ndërkombëtare peshën e një fuqie, që aspiron në mënyrë të vazhdueshme fuqizimin e influencave të saj ndërkombëtare. Pa përmendur këtu pasojat mbi efektin domino, që mund të sillte shkëputja e Skocisë përballë politikave separatiste, që aspirohen njëkohësisht në vende të tjera brenda BE-së. Edhe momenti në të cilën kjo shkëputje mund të ndodhte, nuk ishte aspak i favorshëm për BE-në. Nga njëra anë e pozicionuar ekonomikisht në një periudhë ngecjeje dhe recensioni, nga ana tjetër e gjendur politikisht përballë konflikteve të komplikuara (Ukrainë), që shoqërohen me ndryshime të dhunshme të territoreve, por gjithashtu edhe me një vullnet të shprehur për frenim të politikave të saj të zgjerimit apo zgjerimit të mëtejshëm të kufijve të saj (Ballkani Perëndimor). Elementë këto, që në ndërveprim me shkëputjen e mundshme të Skocisë dhe një largimi hipotetik britanik, jo vetëm do të ndikonin në një dobësim të peshës dhe rolit të saj në arenën ndërkombëtare, por edhe do të influenconin në thellimin e mëtejshëm të krizës identitare, e cila që prej krijimit të BE-së, nuk njeh veçse rritje. Vendimi referendar mbi qëndrimin e Skocisë nën Britaninë e Madhe, jo vetëm arriti të shuajë “makthin” e brendshëm politik të BE-së, por po shoqërohet edhe me një reflektim tejet të nevojshëm ndaj politikave të caktuara shtetërore të vendeve anëtare për mos injorim të lëvizjeve për pavarësi dhe zgjerim të mëtejshëm të hapësirave politike dhe ekonomike ndaj këtyre rajoneve./im.ta/

 

 

Share This Article