Marrëveshja me Turqinë, vazhdon të ngjallë debat dhe të jetë delikate. BE duket se është pozicionuar mes dy krizave të forta. Nga njëra anë, kriza e Shengenit që kërcënon dhe nga ana tjetër, kriza e një morali politik dhe juridik, që po rrethon zgjidhjen e çështjes së refugjatëve. E gjendur mes “presioneve”, që vijnë nga elita politike turke, dhe akuzave të një sërë organizatash për vrasje të refugjatëve në kufirin siriano-turk, BE po tërhiqet sërish. Tërheqje nga kriza më e “vogël”, për t’i dhënë zgjidhje krizës më të “madhe”. Asaj, që mund të gjenerojë një sërë krizash zinxhir. Për më tepër, në momente aspak të favorshme, kur besimi popullor ndaj vetë BE-së, dhe institucioneve të saj, nuk është ai i duhuri. Kur ekstremizmi i djathtë po përçan, duke sfiduar politikat e djathta, ndërsa radikalizmi i majtë, ka çoroditur të majtën, duke synuar dhe kapur edhe maja pushtetesh.
Dje, (20.04.2016) Komisioni Evropian, deklaroi se mund të propozojë liberalizimin e vizave për Turqinë, më 4 Maj, nëse Ankaraja, përmbush kriteret e kërkuara. Janë 72 kritere, që duhet të përmbushen. 35 prej tyre, tashmë të deklaruara që në muajin mars se, janë plotësuar. Komisioneri i Migrimit, Avramopoulus, do të deklaronte se,“deri më tani po shkon shumë mirë dhe nëse mbahet ky ritëm, shumica e kritereve do të plotësohen”.
Vetëm pak ditë më parë, kryeministri turk Davutoglu, do të ushtronte presionin e radhës, duke deklaruar se, “Turqia nuk do të respektojë marrëveshjen BE-Turqi, nëse BE dështon në liberalizimin e vizave, në muajin qershor.”
Sipas Marrëveshjes, BE është angazhuar të përshpejtoj procesin e liberalizimit të vizave, në shkëmbim të ndihmës turke, për të ndaluar fluksin e migrantëve dhe të refugjatëve drejt Evropës. Nëse Komisioni Evropian, do të dalë me një propozim, vendet anëtare do të duhet të gjejnë dakordësinë, pasi tashmë janë angazhuar në një proces premtimi, edhe pse liberalizimi i vizave për afro 76 milionë turq, mund të krijojë stepje.
Progres-raporti
Në fakt raporti i progresit mbi zbatimin e Marrëveshjes BE-Turqi, i publikuar nga Komisioni Evropian, pasqyron një panoramë optimiste dhe kryesisht pozitive, mbi rezultatet e para të saj.
Vlerësimi shkon sa, drejt frymës pozitive të bashkëpunimit dhe zbatimit të saj, sa drejt angazhimeve ligjore dhe juridike të palëve, për të vepruar, në përputhje me legjislacionin evropian dhe ndërkombëtar, po aq edhe ndaj efekteve të pritshme në terren.
Pra, sipas raportit të vlerësimit, që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes më 20 mars, 325 migrantë të parregullt, që kanë mbërritur në Greqi, janë kthyer sërish në Turqi, dhe shumica e tyre nuk ka kërkuar azil. Deri më tani, 103 sirianë janë instaluar në BE direkt nga Turqia, sipas raportit 1/1. Ndërkohë, Frontex, ka zhvendosur në ishujt grekë 318 agjentë shoqërimi dhe 21 ekspertë në mbështetje të operacioneve të kthimit. Greqia, po sipas këtij vlerësimi, ka vene në jetë procedura të përshpejtuara për trajtimin e të gjithë stadeve të procedurës së kërkesës së azilit në ishujt e saj.
Në tërësi, progresi i fazës fillestare, vlerësohet i mirë dhe ka tone të përgjithshme optimiste.
Por, ajo çka shqetëson lidhet me faktin, se kjo situatë pozitive e pasqyruar nga Komisioni, duket se nuk është aspak e tillë në realitet. Pasi, po shtohen gjithnjë e më shumë raportimet nga organizatat e të drejtave të njeriut mbi problemet serioze, që po shfaq kjo marrëveshje. Në këtë kuadër nuk kanë munguar as zërat politikë. Ndër më të spikaturit, ai i liberalëve në Parlamentin Evropian dhe liderit të tyre, ish-kryeministrit belg Verhofstadt.
Vetëm disa ditë më parë(18.04.2016),Verhofstadt, do t’i bënte sërish thirrje Evropës dhe Komisionit Evropian, të hetojë akuzat nga disa organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut se Turqia po rikthen në shkallë të gjerë refugjatët sirianë, si edhe akuzat për vrasje të refugjatëve.
“ Raporte të reja të Human Rights Watch, tregojnë se rojet kufitare turke, qëllojnë refugjatët sirianë që i ikin ISIS-it. Refugjatët, që i ikin barbarive të ISIS, janë aktualisht të futur në kurth, në kampe ndërmjet dy forcave të armatosura. I kam bërë disa herë thirrje Komisionit Evropian, të hetojë akuzat e disa NGO-ve, se Turqia po rikthen refugjatët sirianë në shkallë të gjerë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka dhënë asnjë rezultat. Është absolutisht skandaloze që autoritetet po mbyllin sytë ndaj këtyre akuzave, vetëm sepse kanë frikë nga vënia në rrezik e Marrëveshjes me Turqinë. Pres që Komisioni të veprojë.
Nëse Turqia, po qëllon mbi sirianët, kjo Marrëveshje duhet të pezullohet në mënyrë të menjëhershme ! ”
Faqja tjetër e realitetit
Përtej raporteve tashmë të bëra publike, raportimet e organizatave të të drejtave të njeriut, kanë vazhduar edhe përgjatë muajit prill.
Raportimet e Amnesty International (në dy ishujt grekë Lesbos dhe Chios) tërheqin vëmendjen mbi faktin se në dhunim me normat ndërkombëtare, refugjatët burgosen dhe nuk iu jepet asnjë lloj informacioni në lidhje mbi statusin e tyre.
(…)
“Zbatimi i nxituar i marrëveshjes BE-Turqi, ka çuar në disa mos funksionime të dukshme në regjistrimin e të ardhurve të rinj dhe trajtimit të dosjeve të tyre. Një nga problemet e rëndësishme që të gjithë refugjatët i kanë raportuar AI, është mungesa e informacionit mbi zhvillimin e procedurës së kërkesës së azilit. Kjo mungesë informacioni, është edhe më revoltuese, teksa ato duhet të qëndrojnë të burgosur përgjatë gjithë procedurës. Shumë prej tyre, nuk kishin marrë dokumente vërtetuese të regjistrimit të tyre, ose kishin marrë thjesht elementë të pjesshëm. P.sh., një grua siriane shpjegoi se, ajo dhe familja e saj kishin nënshkruar shumë dokumente në mungesë të një përkthyesi, dhe se nuk dispononin asnjë kopje. “Nuk kam nevojë për ushqim, kam nevojë të di se ç’po ndodh”, deklaroi ajo për AI.
Në këtë burgim, nuk ka as kategorizim, duke përfshirë edhe fëmijët, grupet e rrezikuara si edhe personat me nevoja specifike, apo të traumatizuarit. AI bën thirrje për lirimin urgjent të të gjithë kategorive të rrezikuara, duke përfshirë në mënyrë të veçantë fëmijët.
“ Vendosja automatike në burgim e të gjithë personave që mbërrijnë në ishujt grekë ka çuar në një mungesë të marrjes parasysh të situatës dhe të nevojave specifike të disa kërkuesve të azilit. Ndërmjet këtyre personave figurojnë viktimat e torturës, familjet me fëmijë të vegjël dhe fëmijë të sapolindur, femra që udhëtojnë vetëm me fëmijët e tyre, personat që vuajnë nga një handikap apo personat që kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, gra shtatzëna dhe persona, gjendja e të cilëve ka nevojë për një kujdes psikologjik. Të miturit, nuk duhet kurrë të vendosen në qendrat e burgimit për të huajt.” …(…) “Asnjë kërkues azili, nuk duhet të burgoset automatikisht ….(…) Këto persona duhet të lirohen menjëherë.” (AI)
Por, a është Turqia, ashtu siç edhe po e konsiderojnë, një vend i sigurt ?
Raportimet e AI, tregojnë për të kundërtën, përzënie e refugjatëve, rrahje e tyre dhe hapje zjarri e vazhdueshme.
(…)
“Shumë refugjatë kanë shprehur frikën e rikthimit në Turqi. Një grua e re siriane, shtatzënë, i tregoi AI, hematomat në krahun e saj, duke pohuar se, ishte goditur me shkop gome nga rojet e kufirit turk. Burri i saj, kishte të njëjtat hematoma në këmbë. Ato treguan se, i kishin kthyer në Siri, dhe se kur kishin kaluar sërish në Turqi, më 14 mars, agjentët e policisë kishin qëlluar me armë në kufirin turk, por ato kishin arritur të shpëtonin.” (AI)
“Këto tregojnë jo vetëm, se Turqia nuk është një vend i sigurt për refugjatët aktualisht, por se ekzistojnë gjithashtu probleme serioze nga ana greke mbi marrëveshjen BE-Turqi. Asnjë refugjat nuk duhet të rikthehet deri sa këto dy probleme të jenë zgjidhur plotësisht.” (AI)
Raportime në të njëjtën linjë, jep dhe Human Rights Watch, si edhe një sërë organizatash të tjera të të Drejtave të Njeriut.
Situata duket se, nuk po njeh aspak përmirësim dhe Amnesty International (AI) i rekomandon si BE-së, po ashtu edhe Greqisë, të ndalojnë në mënyrë të menjëhershme kthimet masive, të shmangin burgosjen e refugjatëve, të mundësojnë procedura apelimi ndaj izolimit, pra kundërshtimin ligjor të burgimit, të ofrojnë ndihmë juridike, dhe më e rëndësishmja të ofrojnë procedura azil-kërkimi reale dhe efikase. AI kërkon gjithashtu që të merren parasysh informacionet e fundit nga burimet e pavarura, mbi situatën e azilkërkuesve në Turqi dhe mënyra se, si ato trajtohen në këtë vend.
Situatat e raportuara sistematikisht nga organizatat e të drejtave të njeriut, fatkeqësisht, shfaqin një tjetër vlerësim, nga ai i KE-së, mbi situatën aktuale, të Marrëveshjes BE-Turqi. Një vlerësim, larg toneve optimiste dhe pozitive, dhe që fsheh dhunime serioze të të drejtave të njeriut, të detyrimeve ligjore evropiane dhe ndërkombëtare, në lidhje me të drejtën e refugjatëve.
E vetmja pikë, ku mund të konsiderohet realisht sukses, është ulja relativisht e konsiderueshme e numrit të refugjatëve, drejt “Kështjellës Evropiane”. Çka në parim, në një logjikë pragmatiste, nuk mbart asgjë negative. Përkundrazi, ndihmon në zgjidhjen e krizës më të madhe të saj, rënien e Shengenit dhe efektit domino, që ai shkakton. Por, kjo, për sa kohë që Evropa do të pranojë shembjen e vlerave të moralit të saj politik dhe atij juridik ! Vlerave të saj, që proklamojnë humanizmin dhe respektimin e dinjitetit njerëzor, mbrojtjen e të drejtave dhe të jetës së fëmijëve, të grave shtatzëna, dhe të pleqve të moshuar ! Vlerave, që respektojnë lirinë dhe barazinë, demokracinë, shtetin e së drejtës, tolerancën, drejtësinë dhe solidaritetin ! Ato vlera, që në mënyrë paradoksale duhet të përmbushin edhe vendet kandidate. Ndryshe nuk krijohet veçse një “tulatje”, ku nevojitet të “rikonceptojmë vlerat e këtyre vlerave”! /im.ta/DITA
