Përplasja e fortë që shkaktoi kriza greke në nivel evropian ekspozoi një sërë problematikash. Ajo rivendosi një rend të ri mes fenomeneve, mes ideologjive, mes pretendimeve për më shumë prioritet nacionalist, si edhe la gjurmë të forta për domosdoshmërinë e një qeverisje ekonomike evropiane. Si mund të lexohet mesazhi që u përcoll dhe çfarë orientimi do të përmbajnë problematikat e ndryshme, që prekin politikën evropiane ?
Përballja me krizën dhe eksplorimi i opsioneve, që çon drejt kryerjes së një marrëveshje, teksa ekspozon dobësitë dhe pikat e forta në përplasje mes vendeve, formëson njëkohësisht edhe linja të qarta orientimi apo riorientimi, për problematikat në vijim.
Përpara se, të shkohet tek logjika e mesazheve dhe e orientimeve janë dy elementë, që tërheqin vëmendjen gjatë tentativave të negocimit dhe pozicionimit të vendeve anëtare.
Elementi i parë, lidhet me pozicionimet e vendeve anëtare, pro dhe kundër frymëmarrjes së mëtejshme ekonomike të Athinës. Një lloj linje e prerë, mes kulturave dhe filozofive të ndryshme kombëtare. Duket si një rishfaqje dhe rikthim historik i ndarjeve të një kufiri të madh perandorak mes përpjekjeve të një luterizmi reformator dhe konservatorizmit të konfirmuar të katolicizmit mesjetar, aty ku luterizmi imponohej për “reformim të domosdoshëm të devijimit dhe shthurjes së krishterimit”.
Elementi i dytë, lidhet me një stil të ri negocimi në nivel evropian, bisedimet pa ndërprerje, që vazhdojnë përgjatë natës, deri në orët e para të mëngjesit. Kjo metodë e re pune, ka filluar të aplikohet që me ardhjen në krye të presidencës së Këshillit Evropian, polakut Donald Tusk. Mbledhje, që nuk mbyllen dhe që vazhdojnë përgjatë gjithë natës deri sa të arrihet në një marrëveshje. Një taktikë politike e vjetër, por që ka dhe një dimension të rëndësishëm dhe të fuqishëm psikologjik. Përgjatë natës, në kundërshtim me regjimin e orës biologjike të organizmit, krijohet një terren i ri, ku lodhja, pagjumësia, presioni dhe rrahja pareshtur e opsioneve dhe argumenteve arrijnë të veprojnë në një kombinim perfekt, duke çuar më të dobëtin dhe më pak rezistuesin drejt dorëzimit. Kush nuk reziston dhe dorëzohet i pari, humbet.
Përtej elementëve të mësipërm, lexohen edhe një sërë mesazhesh të rëndësishëm, ku i pari dhe më kryesori lidhet me politikbërjen si fenomen. Pra, shfuqizim i plotë dhe zhvlerësim tërësor i mekanizmit politik të kërcënimit dhe shantazhit. Gjuha dhe veprimi pro kërcënimit dhe shantazhit në nivel evropian, përfundimisht nuk mund të tolerohen më.
Mostolerimi i politikës së kërcënimit dhe të shantazhit shkon edhe ndaj ideologjive ekstreme ekzistuese, por edhe atyre në fuqizim e sipër. Ekstremizmi i djathtë në shumë vende evropiane, në qendër të motivimit të tij politik ka pikërisht këtë metodë operimi, kërcënimin dhe shantazhin, duke thjeshtëzuar debatin mes të mirës dhe të keqes, në një gjuhë popullore ekstremiste dhe anti-evropiane.
Në fokus sigurisht që vihen edhe lëvizjet e majta radikale, në fuqizim e sipër, si Podemos në Spanjë, por edhe tentativat për fuqizim të radikalëve në Portugali. Dy vende të prekura nga kriza ekonomike, që janë bërë pjesë e programeve dhe planeve të ashpra ekonomike dhe që kanë një frymëzim dhe solidaritet të madh ideologjik nga radikalët e Athinës. Bllokimi i politikës së kërcënimit dhe shantazhit të Tsipras, ishte një mesazh edhe për radikalët e këtyre dy vendeve, për të dekurajuar të njëjtën formë politikbërje, nëpërmjet të njëjtit mekanizëm.
Mesazhi i dytë, që shoqëroi këto negocime prekte sferën nacionaliste. Një fushë problematike kjo në politikat e Unionit, që ka frenuar ndër vite një avancim të tij, drejt një federalizmi të mëtejshëm apo elementëve të përzgjedhur të këtij federalizmi. Nëpërmjet mënyrës së operimit, por edhe refrenit të përsëritur se, “asnjë demokraci nuk vlen më shumë se të tjerat”, mesazhi është i qartë për të gjithë tendencat nacionaliste, që shfaqen dhe rishfaqen në Union duke kërkuar më tepër pushtet dhe prioritet kombëtar.
Kjo prirje nacionaliste është shoqëruar vazhdimisht e kombinuar me politikat e shantazhit dhe të kërcënimeve. Nuk duhet harruar se Britania e Madhe, po kërcënon aktualisht për dalje nga Unioni në rast se, nuk rishikohen interesat e Britanisë dhe roli i saj në Union. Hungaria po kërcënon gjithashtu për rishikim të interesave kombëtare, duke dhunuar hapur traktatet e Unionit. Kohët e fundit Danimarka nën presionin e politikave ekstremiste të djathta ka paralajmëruar se do të rifusë sërish kontrollet kufitare, duke cenuar rregullat e Unionit dhe të politikave të Shengenit. Ky nacionalizëm që prej fillimit të krizës, ka shfaqur tendencat e tij në shumë prej vendeve të Unionit.
Ndërsa mesazhi i fundit shkon drejt domosdoshmërisë për të avancuar në qeverisjen ekonomike evropiane dhe në Evropën e dy shpejtësive. Opsion i mbështetur si nga Berlini por edhe nga Parisi, që do të bëjë të mundur një avancim të Eurozonës drejt një bërthame ekonomike me tendenca federaliste.
Kriza greke dhe mënyra politike e përballjes me të, riorientoi një sërë dinamikash evropiane, si përballë mënyrës së politikbërjes dhe përballjes në nivel evropian, si ndaj ideologjive dhe kufirit të operimit të tyre, si ndaj tendencave dhe dëshirave për prioritet kombëtar, por edhe ndaj nevojës për një fuqizim të mëtejshëm me baza të forta ekonomike. Ajo shërbeu gjithashtu edhe si një sinjal i rëndësishëm për orientimin e mëtejshëm politik të Britanisë së Madhe ndaj Unionit, duke ngushtuar hapësirat e një manovrimi apo taktike kërcënuese, si në negocimet e mundshme mes palëve, por edhe në rrugën referendare tashmë të proklamuar. Ndonëse, kjo krizë ritheksoi edhe njëherë ndasitë ideologjike në kufijtë e tyre historikë, Evropa ka treguar vazhdimisht se nga krizat ka dalë edhe më e fuqishme. I vetmi element, që shfaqet si problematik në rrafshin ideologjik evropian, është braktisja nga e majta klasike e bindjes, filozofisë dhe idesë për më shumë solidaritet, barazi dhe humanizëm./im.ta/
Shkrime të tjera:
Psikodrama gjermane e edukimit politik të Tsipras
Tsipras, mes demagogjisë dhe surrealizmit
Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona
BE thirrje popullit grek: Nvse votoni JO i thoni JO Evropës
Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë“
