Meta pret amb. Vlahutin: Klasa politike të dialogojë për reformën në drejtësi

Saimir Lleshi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi sot, në prag të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, një takim me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin. Gjatë bisedës, Meta ka shprehur vlerësimin për kontributin e ekspertëve të BE-së për hartimin e kësaj reforme me interes jetik për qytetarët dhe vendin, për rritur besimin tek një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe me integritet të lartë.

Realizimi me sukses i këtij procesi, theksoi Meta, është një kontribut madhor për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

“Fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në vlerësimet e Raportit të Ndërmjetëm duhet të mbizotërojë dhe udhëheqë palët deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi madhor dhe historik”, ka theksuar Meta.

Kreu i Kuvendit deklaroi se është përgjegjësi e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, e të gjitha forcave politike, që në këtë frymë të ndërveprojnë dhe ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm përmes gjithëpërfshirjes, me synimin e vetëm kurorëzimin me sukses të saj.

Meta shprehu vlerësimin dhe falënderimet e tij për Ambasadoren Vlahutin dhe Ambasadorin e SHBA-ve, z. Donald Lu, për përpjekjet dhe kontributin e veçantë për të promovuar dialogun, gjithëpërfshirjen dhe konsensusin, si dhe shprehu besimin se angazhimi i tyre do të vijojë deri në kurorëzimin me sukses të kësaj reforme historike. /Dita/

Share This Article