Meta takon delegacionin arbëresh: Të intensifikohen marrëdhëniet

Elton Tafaruci

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti një delegacion arbëresh të kryesuar nga Senatori Cesare Marini, njëkohësisht Kryetar i Komunës së San Demetrio Corone (Shën Mitri) të Provincës së Kozencës në Kalabri.

Gjatë takimit, kryeparlamentari tha se marrëdhëniet me komunitetin arbëresh të Italisë janë shumë të rëndësishme dhe në këtë drejtim, Kuvendi i Shqipërisë do t’i intensifikojë marrëdhëniet institucionale me komunat arbëreshe me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore kombëtare, por dhe kultivimin e miqësisë mes Shqipërisë dhe arbëreshëve të Italisë.

Senatori Marini, duke e falënderuar kryetarin e Kuvendit për mbështetjen e tij në intensifikimin e kontakteve, vuri në dukje se ka ardhur koha që të themelojmë kanale më të forta institucionale për të mbështetur ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe pasurisë historike që përfaqëson komuniteti arbëresh.

Në prononcimin për mediat, pas takimit, kryetari Meta tha se vizita e kryetarit të komunës së San Demetrio Corone shënon një shans të shkëlqyer për t’i dhënë një zhvillim të gjithanshëm marrëdhënieve, jo vetëm mes kësaj komune dhe Shqipërisë, por të gjithë komunave arbëreshe në Itali, apo dhe mes rajonit të Kalabrisë e Shqipërisë./E.T

Share This Article