Mos u kthe për sytë e mi!

DITA Online

 

Dhe ne si të shumtit,

koha na ka ndarë,

njëzet e ca vite,

që nuk jemi parë!

 

Me rrugë e pa rrugë,

të gjithë ikët ju,

unë si lis i lashtë,

hodha rrënjë këtu!

 

Nuk kam si ta di,

bëra keq a mirë,

por unë shtegtimet,

nuk i kam dëshirë!

 

Sa herë që largohem,

në një tjetër Dhe,

një muaj pa shkuar,

kthehem si rrufe!

 

Kthehem për të ndenjur,

tek “Glami” në qoshe,

ti s’je kthyer kurrë,

o moj bukuroshe!

 

Ti s’je kthyer kurrë,

nëpër këto vënde,

se në tjetër vënd,

ngrite folenë tënde!

 

Po për syrin tim,

më mirë që s’je dukur,

se të pa kur ishe,

një nure e bukur!

 

Të ka parë kur ishe,

trëndafil me vesë,

dhe ashtu të gdhendur,

të kam në kujtesë!

 

Të gjithë e të gjithë,

këtu le të vinë,

po ti mos u kthe,

se më prish magjinë!

 

Nëse do të kthehesh,

se nuk mban dot mallë,

për dy sytë e mi,

mos u bëj e gjallë!

 

Të të mbajnë mënd,

ylle-siç ke qenë,

se dëborë e kohës,

dhe mbi ty ka rënë!

 

Ajo pa pushim,

bie Zot-o Zot,

dhe një thinjë tënden,

unë s’e duroj dot!

 

Dhe një thinjë të vetme,

tek ty s’duroj dot,

në shpirt e në zemër,

do mbytem në lot!

 

A.DUKA

Share This Article