Ndërtimi i Murit të Frikës

redaktor

Një tjetër mur pritet të ngrihet, në Kale të Francës ! Një mur, që do të bllokojë flukset e migrimit drejt Britanisë së Madhe. Një mur, që do të sfidojë edhe atë të Berlinit, jo vetëm për nga lartësia (4m), por edhe për nga imagjinata arkitekturore ! Materiali, që do të përdoret do të jetë unik, një material i rrëshqitshëm, që migrantët të mos kenë mundësi të ngjiten në të dhe ta kalojnë, për të shkuar drejt Tokës së Ndaluar, “Ishullit të Ëndrrave”. Një imagjinatë e natyrës tragjikomike e stilit britanik, por me frymëzim sifizian, ku migrantët do të jenë të dënuar të ngjiten dhe të rrëshqasin pafundësisht në Murin e Frikës.

Britania e Madhe, gjendet në një udhëkryq zgjedhjesh dhe vlerash. Që prej referendumit për daljen nga BE, ajo është përplasur me një valë dhune në rritje ndaj imigrantëve, sidomos atyre evropianë. Krime të urrejtjes, që nisin që prej dhunës verbale deri tek dhuna fizike dhe vrasjet. Krime, që sipas Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racial, por edhe shqetësimeve të shprehura nga Komisioneri i të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës, kanë frymëzim politik. Sipas tyre, fushata e referendumit të Brexit, u shënua nga “retorika përçarëse dhe ksenofobe, anti-imigrantë” dhe se disa politikanë “krijuan dhe ngulitën paragjykime, duke trimëruar individë në ndërmarrjen e akteve të frikësimit dhe të urrejtjes”. Instanca, që i kanë përforcuar thirrjet ndaj politikës britanike, në mënyrë që ajo të refuzojë dhe të dënojë “fjalimet raciste të urrejtjes dhe fjalimet ksenofobe politike”.

Edhe organizatat e të drejtave të njeriut, si HRW, i bëjnë thirrje klasës politike britanike, për të kuptuar dhe reflektuar se, si “retorika e tyre, duke përfshirë edhe fushatën gjatë Brexit, mund të çojë drejt mungesë së tolerancës.” Po i njëjti organizëm, i tërheq vëmendjen klasës politike britanike, që të angazhohet qartësisht ndaj urrejtjes dhe akteve të ksenofobisë, pasi sipas saj, “qeveria ende refuzon të garantojë të ardhmen e shtetasve të BE, që aktualisht janë rezidentë në Britaninë e Madhe. Kjo rrezikon të trimërojë individët, që besojnë gabimisht se rezultati i referendumit, ishte një votë për të hequr qafe imigrantët, duke krijuar gjithashtu pasiguri të madhe për fëmijët dhe familjet me pasaportë të BE, që jetojnë aty.”

Që me nisjen e krizës së refugjatëve, Evropa filloi të familjarizohet me politikat e ngritjes së mureve, të gardheve me tela, barrikadave dhe kontrolleve kufitare, si edhe keqtrajtimit në rritje ndaj tyre. Në pamundësi për zgjidhje politike të organizuar, ndaj krizave humanitare, që penetronin në kontinentin e saj, si shkak i konflikteve dhe luftërave në vendet e fqinjësisë, u toleruan zgjidhje kombëtare, që binin ndesh si me frymën evropiane të vlerave dhe ligjit, por edhe atë ndërkombëtare. Mure të tillë të lartë, janë ngritur në Hungari, Bullgari, Kroaci-Slloveni, Greqi-Turqi, Austri-Slloveni, etj. I tillë është edhe muri që pritet të ngrihet mes Britanisë së Madhe dhe Francës.

Por, panorama evropiane, nuk kufizohet vetëm me muret anti-migrantë, pasi vende të ndryshme anëtare të saj, e kanë të zhvilluar Politikën e Mureve.

Vëmendje tërheq Sllovakia me “madhështinë” e ngritjes së mureve të saj për të bërë të mundur ndarjen me Romët. Të sistemuar nëpër getot e tyre, autoritetet lokale në disa qytete si Ostrovani apo Kosice, e kanë parë të logjikshme të bllokojnë me mure të lartë, zonat e romëve në mënyrë që ato të mos shqetësojnë të bardhët sllovakë, që banojnë afër getove të tyre. Në Ostrovani, ky Mur ndarës ka gjurmë optimizmi në të, pasi është i ngjyrosur me ngjyra të gëzuara dhe të ndezura. Janë mure politikë, që izolojnë, ndajnë dhe ngrihen si barriera në jetesën mes komuniteteve. Në Sllovaki janë rreth 10% e popullatës romë prej rreth 5.4 milionë banorë, një prej përqindjeve më të larta në Evropë. Mure të tillë, që ndajnë, i gjejmë të aplikuara edhe në vende të tjera të Evropës Lindore si Hungari apo Republikën Çeke.

Por, jo vetëm të gjallët ndahen me mure. Edhe të vdekurit, nuk gjejnë dot paqe, pasi muret kanë themele nëntokësore, që ndajnë edhe parcelat e varrezave. Ky është rasti i Irlandës së Veriut. Në Belfast, një mur nëntokësor i ndërtuar nga fundi i viteve ’60, ndan varret katolike nga ato protestante. Muret nuk i gjejmë vetëm mes varreve të të vdekurve, pasi edhe qyteti i Derit apo i Portdaunit, janë të ndarë me barriera fizike, që quhen rëndom “vijat e paqes”, pasi bllokimi i tyre ka bërë të mundur evitimin e dhunës mes komuniteteve. Janë vija, që shërbejnë për ndarjen e lagjeve nacionaliste katolike që vetë-identifikohen si irlandezë, nga zonat e banimit unionist protestant, që vetë-identifikohen si britanikë. Mure, që në shumicën e tyre janë të përbërë nga tela të përdredhur ose me tulla dhe me rrjeta të mëdha hekuri, duke arritur deri në 9 metra lartësi. Disa prej tyre, presin brutalisht rrugët, të tjerat shërbejnë si porta të mëdha hyrëse, që mund të hapen gjatë kalimeve ditën, pro që rimbyllen sërish gjatë natës. Shumica e tyre u ndërtua në urgjencë përgjatë viteve ’70, gjatë periudhave të trazirave në vend. Nuk duhet të ishin vetëm të përkohshme. Por, me kalimin e viteve veçse janë përforcuar, ngritur e lartësuar.

Filozofia e ngritjes së mureve fizikë, nuk vjen rishtazi, në formë të papritur dhe si reagim i shpejtë në emergjencë, në pamundësi të gjetjes së një zgjidhje. Kjo filozofi fsheh një sërë konceptimesh, mentalitetesh, gjykimesh historike, që shtrihen dhe mbarten në kulturat e vendeve të ndryshme evropiane. Konceptime, që fshehin frikë ndaj së panjohurës, të huajës, të kulturës së ndryshme, të fesë dhe zakoneve, që nuk iu përkasin. Frikë, që nxit mbylljen rreth vlerave të vetvetes dhe bllokon integrimin. Frikë, që përjashton çdo mundësi zgjidhje politike dhe investon miliona euro në ngritjen e mureve të teknologjisë së lartë.

Frikë, që burgos dhe izolon.

Frikë, që risjell në reflektim, Evropën e shekullit të XVI dhe XVII dhe regresin e “lirive individuale”, të ndikuara nga përkeqësimi i situatës dhe krizës ekonomike. Një periudhë, që ka njohur ngritjen e një sërë institucionesh në të gjithë Evropën protestante dhe katolike, për të mbyllur të varfrit, të sëmurët, të papunët, imigrantët dhe të çmendurit. Ajo, që Mishel Fuko do ta konsideronte “ Mbyllja e madhe e të varfërve” tek Historia e çmendurisë së epokës klasike.

Nga ku, do të spikaste, Franca e Luigjit të 14-të, me izolimin e elementëve të “panevojshëm” të shoqërisë dhe sidomos të atyre, që nuk punonin. Do të ishte viti 1532, kur Parlamenti i Parisit do të nxirrte aktin e ndalimit të të gjithë personave, që lypnin në rrugë, duke i lidhur dyshe me zinxhir dhe duk i detyruar të punonin, nëpër kanalizimet e Parisit. Epokë, që ka lënë gjurmë në lëmin e historisë, sidomos e krahasuar me periudhën e Mesjetës, ku i varfri, vagabondi, i çmenduri, i papuni si edhe migranti, gëzonin një lloj lirie, të paktën lirinë fizike, që iu mundësonte ndër të tjera dhe në veçanti migrantit, të shkonte në kërkim të një pagese më të mirë, drejt një bote të re, apo edhe drejt iluzionit për një jetë më të mirë.

Po sot, ku jemi?! Çfarë simbolike mbartin Muret e Lartë dhe Qendrat e Mbyllura në të gjithë Evropën, ku izolohen ato që “kërcënojnë shoqërinë perëndimore”, migrantët, familjet dhe fëmijët e tyre?!/im.ta/DITA

Share This Article