Nga Dhimitër Shtëmbari
Botuar në DITA
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare disa nga formacionet e para partizane morën emrin e komandantëve të tyre: Çeta antifashiste e Babë Myslimit, çeta partizane e Haxhi Lleshit, çeta partizane e Baba Faja Martaneshit, çeta partizane e Zylyftar Veleshnjes, çeta e …
Çeta partizane e Gorës, ndër të parat si e tillë në shkallë vendi, u quajt Çeta Partizane e Teki Kolanecit. Dhe pse këto çeta, dhe jo vetëm këto, thirreshin pikërisht me emrat e komandantëve të tyre?
Përgjigja është e thjeshtë: çetat thirreshin me emrat e komandantëve të tyre jo rastësisht. Këta komandantë ishin figura të nderuara në ato anë; kishin dëshmuar veprimtari të shquar atdhetare, pa iu pranohej emri. Ishin të mirënjohur e të respektuar në komunitet, pa identifikoheshin me emrin e trevës ku vepronte formacioni partizan që komandonin.
Teki Kolaneci
Më shumë se për shtëpinë, mendonte për Shqipërinë
Sabri Kolaneci, i ati i Tekiut, kishte lëvizur gjithandej me pushkën krahut, brenda e jashtë vendit. Atje ku bënte”bamë”, aty gjendej edhe ky gorar trim. Si i thonë, nuk i bënte pazar kokës. Pa e ftuar kush, kishte shkuar vullnetarisht në çetën e komanduar prej atdhetarit të njohur Themistokli Gërmenji. Ndërsa e kërkonin të kthehej në familje, sepse e prisnin aq shumë punë, Sabriu, më shumë se sa për shtëpinë, merakosej për Shqipërinë.
Gjatë një përpjekjeje me armë kundër turqve të rinj Sabri Kolaneci vritet, për të mbetur një emër i nderuar dhe i paharruar jo vetëm në familje e në fis, por edhe në mbarë krahinën e vet dhe shumë më gjerë.
Jo vetëm prej të atit, Teki Kolaneci mori shumë edhe prej dajallarëve të vet: Isuf dhe Pasho Çeravës. Shtëpitë e këtyre burrave të ndjerë kishin shërbyer si strehë për fshehjen dhe mbrojtjen e luftëtarëve atdhetarë të krahinës.
Në shtëpitë e kolanecëve, por edhe në ato të dajallarëve të Tekiut dera e shtëpisë qëndronte përherë e hapur, ndërsa sofra gjendej vazhdimisht e shtruar për miqtë dhe shokët që i shërbenin çështjes së popullit e të Atdheut.
Filizë e dalë prej një peme me rrënjë të thella
I lindur në fshatin Kolanec të ish rrethit të Korçës në gjirin e një familjeje me tradita të hershme atdhetare, Teki Kolaneci do të ishte një nga pjesëmarrësit aktiv të Kryengritjes së Fierit, sikurse do të ishte i tillë edhe në lëvizjen e Delvinës. Mirëpo… kapet nga xhandarët e Zogut, arrestohet dhe dënohet me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie!
Me pushtimin fashist të vendit djaloshi nga Kolaneci arrin të dalë prej burgut dhe ia rifillon veprimtarisë atdhetare. Me orientim të Komitetit Qarkor të Korçës dhe në bashkëpunim me disa nga militantët më të shquar të këtij Qarkori krijoi Çetën Partizane të Gorës, duke u caktuar komandant i saj.
Më pas: zëvendëskomandant i Shtabit Partizan të Qarkut të Korçës, komandant i këtij Shtabi, komandant i Batalionit Partizan “Ali Kelmendi”, i Batalionit Partizan të Gorë – Oparit dhe, më vonë, komandant i Brigadës XV Sulmuese Partizane me komisar Shahin Rukën.
Mbas çlirimit Teki Kolaneci ka qenë zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor, ndërsa në vitet në vazhdim – deri edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ai zgjodhi dhe vazhdoi po atë rrugë që pat zgjedhur i ati. Kësisoj, ai ishte një filizë e dalë prej një peme me rrënje të ngulura thellë në tokën shqiptare.
Historik i shkurtër i krijimit të Çetës Partizane të Gorës
Vetëm dy muaj mbas themelimi të Partisë Komuniste Shqiptare, aty nga mezi i janarit të vitit 1942 shokë të Qarkorit të Korçës shkuan në Kolanec, në shtëpinë e Vait Kolanecit. Aty u bisedua dhe u vendos për krijimin e një çete luftëtarësh.
Dy muaj më pas, domethënë në mars 1942, në këtë shtëpi erdhën ilegalët e parë: Gjeli Argjiri, Maqo Mita, Llambi Dishnica, Dhori Karagjozi dhe ndonjë tjetër. Grupi i dytë shkoi aty nga prilli: Qimo Petro, Reshit Çollaku, Rita Marko, Raqi Zavalani, Dhosi Progri, Ilo Rrumbullaku, Gole Shkodrani, Irakli Terova, Petro Treska e të tjerë. Brenda një kohe të shkurtër u krijua një efektiv njerëzish të ardhur edhe nga Piskupati, Nizhaveci, Zvirina etj.
Luftëtarët e njësitit të sapokrijuar në marsin e 1942 – së me komandant trimin gorar Teki Kolaneci morën përsipër të kryenin detyra konkrete: të luftonin pa asnjë kompromis kundër forcave fashiste për çlirimin e vendit.
Ndërkohë që çeta zgjerohej me pjesëtarë të rinj dhe përgatitej ushtarakisht për luftë, luftëtarët e saj hanin e pinin në shtëpinë e komandantit, Tekiut, por edhe në shtëpitë e vëllezërve dhe të të afërmëve të këtij trimi: në shtëpitë e Vahitit, të Samiut e të ndonjë tjetri.
Ish partizanët e Çetës së Kolanecit e kujtonin me shumë mall e nderim një vizitë të anëtarit të Qarkorit të Korçës, atë të Kiço Shambllit, i cili u pat sjellë nga Korça kapele me yll të kuq në ballë. Ky çast do të mbahej mend, si pikë referimi i fillimit të jetës aktive partizane.
Përpjekje të dështuara gjatë takimeve me krerët ballistë
Drejtuesit e çetës partizane të Gorës mbanin lidhje të pashkëputura me Komitetin Qarkor të PKSh të Korçës. Pëllumb Dishnica, Petro Papi, Manol Konomi, Todo Manço e të tjerë nuk reshtnin së komunikuari me luftëtarët e çetës së Tekiut.
“Të lidheni me krerët ballistë dhe t’u kërkoni atyre që të luftojnë së bashku me ju kundër fashistëve pushtues”, – qe dhënë porosia prej Qarkorit.
“Është e pamundur të merresh vesh me ta, – ua kthente komandant Tekiu,- sepse u është taposur koka, se Italia është forcë e madhe dhe nuk mundet dot”!
“Gjithsesi, mos u lodhni së punuari në këtë drejtim, – ngulnin këmbë shokët e Qarkorit. – Vazhdoni t’u bëni thirrje për luftë kundër të huajve”.
Krerët ballistë, Abaz Ermenji, Maliq Dushari dhe Fetah Gurazezi as që dëgjonin në atë krah! Vazhdonin avazin e tyre.
Sakaq, Tekiu me shokë të tjerë të çetës nisën punën edhe për pajtimin e gjaqeve. Se në çetë kishte edhe nga ata, që ishin larguar nga shtëpia për shkak të ndonjë hasmërie. Dhe në fakt u bë një punë shumë e mirë nga ana e luftëtarëve të këtij formacionit partizan.
Ndërsa nga pala balliste jo vetëm që nuk u bë asgjë, por, përkundrazi, u veprua në të kundërt. Krerë të Ballit vranë në Mazrek, për hakmarrje, fëmijët e familjeve në hasmëri!!!
Qylafët e bardhë të Fazlli bej Frashërit
Ishin kohë, kur njerëzve iu duhej t’u bëhej një punë e madhe sqaruese dhe bindëse. Se mik mbas miku apo shok mbas shoku shpërndahej edhe mesazhi atdhetar, por, njëherazi, përhapej edhe “helmi” që villnin ballistët. Ja pse Tekiut, dhe jo vetëm këtij, iu desh të punonte aq shumë, filluar me të afërmit e tij dhe vazhduar me ata të fisit, fshatit, krahinës e shumë më gjerë.
Një mbledhje e organizuar në mars 1942, ku shtrohej detyra e tërheqjes së sa më shumë banorëve të fshatrave në përbërje të çetës, u prish nga ballistët e ftuar aty! Partizanët i konsideronin komunistë!
Të nesërmen një nga ata që kishte kundërshtuar në mbledhje, ndërsa lëvizte nëpër Korçë, takon Fazlli bej Frashërin. Ky i fundit, që e hiqte veten “nacionalist”, i mbush mendjen të ardhurit nga Kolaneci, se ajo çka kishin nisur nacionalçlirimtarët nuk qe punë e hairtë, punë kalamanjësh, sepse, sipas tij, nuk kishte ardhur koha për të luftuar Italinë e madhe, sepse, gjithmonë sipas tij, ajo ka shumë ushtarë dhe armatime!
Ndërkohë Fazlli beu i jep të merrte me vete nja pesëdhjetë qylafë të bardhë për t’ua shpërndarë njerëzve të idesë së tij! I merr qyqari qylafët dhe kthehet në fshat. Po kujt t’ia jepte?! Askush nuk i pranonte. Sidoqoftë, ua dërgoi disave në shtëpi, mirëpo djemtë e atyre familjeve i kishin marrë qylafët e gjetur në familjet e tyre dhe, pa u vonuar, ia kishin çuar në shtëpi. Kur u mor vesh kjo mesele, edhe ndonjërit që i kishte mbetur qylafi i bardhë në shtëpi, nuk guxoi ta vinte në kokë.
Jo thjesht idealist, por edhe trim i pashoqë
Partizanët e Çetës së Teki Kolanecit, tashmë në përbërje të Batalionit Partizan të Gorë – Oparit dhe, më pas, në atë të Brigadës XV Sulmuese kanë shkruar faqe të tëra heroizmi.
Tekiu drejtoi me aftësi prej ushtaraku të sprovuar luftime të përgjakshme në Babjen, ku shpartalloi një kompani me rreth 60 milicë, në Voskopojë, në Snosëm – Bulçar, në Leskovik, në Voskopojë. Ca më pas partizanët e kësaj çete, tashmë në përbërje të formacioneve partizane më të mëdha, kryen luftime të suksesshme në Përmet, në Pogradec, në Qafë – Thanë, në Grykën e Shkumbinit, në përpjekjet për çlirimin e Elbasanit, në ato të zhvilluara në Mushqeta etj.
Komisari i Brigadës XV Sulmuese Partizane, Shahin Ruka, ka pas shkruar për shokun e vet komandant të Brigadës: “Gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës ne pamë më mirë se kudo aftësitë e Tekiut si kuadër me përvojë e me njohje të thellë të artit ushtarak në kushtet e luftës partizane nëpër qytete. Ai ishte një komandant i aftë për të marrë vendime të drejta e të shpejta, që i përshtateshin plotësisht situatave dhe rrethanave konkrete”.
Profesor Xhemil Frashëri, që e ka pas njohur shumë nga afër, duke e portretizuar figurën e Teki Kolanecit shkruan: “Tekiu i kishte të rrallë shokët edhe si qitës me armë. Aftësia e tij e të qëlluarit në shenjë, në traditën shqiptare, ka përbërë gjithnjë një objekt vlerësimi të lartë dhe është konsideruar një virtyt në vendin tonë”.
Teki Kolaneci ka qenë jo thjesht idealist, por edhe trim i pashoqë
Nënë Pashako – ja, simbol i madhështisë së gruas shqiptare
Për të mposhtur partizanët e Teki Kolanecit nazistët, dhe ballistët bashkë me ta, përdorën të gjitha format e torturave. Ata nuk mund të linin pa djegur deri edhe shtëpinë e trimit të Kolanecit. I vunë zjarrin, për të lënë pas vetëm shkrumb dhe hi.
Mbas aksionit të Grabovicës, ku nazistët pësuan humbje të mëdha, armiqtë arrestuan dhjetëra banorë nga fshatrat Zvirinë e Pirg. Arrestuan edhe Nënë Pashakon e djemtë e saj dhe i dërguan në postën e Karabinierisë, në Çeravë. Sikundër është thënë e shkruar shumë herë, në fillim torturuan nënë Pashakon! E detyronin të shkelte yllin e kuq të kapeles së të birit, Tafilit! Por nuk ia arritën qëllimit. Nënë Pashakoja qëndroi stoike. Kur panë se nuk po u dilte gjë, atëherë nisën të torturonin djalin para syve të së ëmës! Kërkonin me këmbëngulje të mësonin, se cilët ishin shokët e djalit e se ku strehoheshin ata. Si djemtë, edhe e ëma e tyre nuk u thyen moralisht. Dhanë një shembull thuajse të pabesueshëm.
Kur partizanët çuan në familje trupin e pajetë të dëshmorit, atë të Tafilit, nënë Pashakoja qëndroi e fortë. Mposhti dhimbjen. Dhe zbuloi madhështinë e zemrës së gruas shqiptare: “Tafilë janë të gjithë partizanët. Ne ju duam juve partizanëve dhe nuk ju tradhtojmë. Partizan do të vijë edhe vëllai i Tafilit: Mediu”.
Ndërkohë, armiqtë arrestuan e masakruan edhe banorë të fshatrave Zvirinë, Pirg e Çaushli.
Kush kujton Gurin e Kamjes, mendimi i shkon menjëherë te Teki Kolaneci
Në dimrin e acartë të viteve 1942 – 1943 partizanëve iu desh të përballonin një luftë tepër të rreptë kundër nazistëve gjermanë, që ndihmoheshin edhe nga ballistët! Pikërisht gjatë kësaj lufte të ashpër ka spikatur edhe më qartë aftësia komanduese e birit të shtrenjtë të Kolanecit.
Mbas thyerjes së parë të sulmit nazist, Tekiu e kuptonte se do të mund të kishte edhe një sulm të dytë, madje edhe një të tretë. Sepse armiku kishte njoftuar t’i afroheshin forca të tjera të gjalla.
I bindur në atë çka priste të ndodhte, komandanti shkoi pozicion më pozicion te partizanët, duke i këshilluar dhe duke u dhënë zemër. Në një çast të tillë, teksa kalonte nga njëri pozicion në tjetrin, edhe pse me shumë kujdes, qëllohet nga nazistët. Një plumb mitralozi e pat goditur në pulpën e këmbës, duke i shkaktuar një plagë shumë të rëndë.
“Komandant, komandant!” – i patën thirrur njëzëri ata që e panë teksa po rrëzohej.
Tekiu, ndërsa kishte nxjerrë një copë të leshtë dhe mundohej ta ndalonte gjakun, u qe drejtuar atyre që kishin thirrur:
“Mos e ngrini zërin! Do ta mjekojmë dhe plaga do të mbyllet”.
Nuk kishte dashur të shpërqendrohej vëmendja e partizanëve në ato çaste kritike të sulmit gjerman.
Dhe ashtu, me këmbë të fashuar, vazhdoi të komandojë.
* * *
Për rolin që ka luajtur në tërë krahinën e Gorës dhe për kontributin e madh që pat dhënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ish komandantit të Brigadës XV Sulmuese Partizane, Teki Kolanecit i qe dhënë grada e Gjeneralit dhe titulli më i lartë, ai i Heroit të Popullit.
Për të qeshur dhe për të qarë është fakti, se i ashtuquajturi Institut i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit e ka përfshirë këtë Hero te “kriminelët” e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!!!
Kur i shkuan pranë shtratit, teksa qëndronte i shtrirë nga sëmundjet dhe mosha, ish komandanti i njërit prej formacioneve më të hershme partizane, Agush Gjergjevica, qe ngritur paksa dhe ashtu, me zërin që i dridhej, qe shprehur: “Teki Kolaneci është një nga ata trima të rrallë, që populli i pat ngritur këngë që në të ritë e tij. Dhe mos harroni: populli nuk gabon lehtë”.
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016