Redaksionale DITA
Disa kohë më parë, si duket në parandjenjën e poetit, Arben Duka do të shkruante: “Në deje gjaku më ka ngrirë / Qiriri në të fikur. / Tani si hëna në të gdhirë, / Jam gati në të ikur.” Dhe iku në këtë dhjetor, pak ditë pasi kishte bërë 64 vite!
Iku edhe Ben Duka, nxituar për në Parajsë. E kush mund ta dinte se, miku ynë i mirë, poeti lirik si pak kush tjetër, shpirt-hapur dhe përherë i revoltuar, njeriu i ndjeshëm, që e kishte mundur vetëm dashuria, do të ikte në këtë mes dhjetori si shtërgu i dimrit të kohës së turbullt.
I qartë si pak kush në vetëdijen e tij si poet, labovit i bindur se kjo trevë e kishte bërë të tillë: “Në ato viset e mia, Në Labovë e në Odrie, Ku dhe guri, ku dhe druri, Flasin fjalë dashurie”; njeriu i ndjeshëm i vargjeve mrekullibërëse, me një pjesë të jetës si ushtarak dhe tjetrën si autor i mbi tre mijë tekste këngësh, iku duke lënë pas mbi 50 vëllime poetike të botuara dhe të ribotuara disa herë për shkak të kërkesave, si pak kush tjetër në këtë botë poetësh.
Shikoni portretin e njohur të tij, që ngjan kaq befasisht me Heminguejn. Është vështrimi i njeriut të mençur, që, pasi ka bërë paktin e madh me ndërgjegjen e tij, ka forcën e një kollosi. Ai nuk tkurret nga tragjeditë që e përshkojnë jetën e tij; pamja e Ben Dukës është ajo e një luftëtari mendimtar. Një të tilli është e pamundur t’i fshihesh; mbi gjithçka, ishte vështrimi i një njeriu thellësisht të ndershëm, dhe, askush, nën këtë vështrim nuk guxon të mashtrojë.
Ai vetë, i pastër si fëmijë dhe dashuronjës i marrë, deri në dhimbje, përjetoi gjithë çfarë ndodhte rreth e rrotull tij, gjente fjalët miradie për jetën që e prekte gjithandej; trishtohej e nuk lëkundej, sepse i tillë është misioni i poetit.
Pasionant i pashoq, ai e trumbeton poezinë si bardët e lashtësisë. Na la pas poezitë satirike, fishkëlluese. I pakompromis me të vërtetën, megjithëse zemra i rreh nga e majta, ai bëhet trumbetar i denoncimit të korrupsionit të saj përmes satirave të njohura.
Por na la edhe lirikat e tij ngazëlluese, sepse ai është edhe poeti i dashurisë. Dhjetra vëllime e kanë brujtur ndjenjën e tij; sjell kristale rrëzëlluese, gjithë flakë dhe pastërti të pashoqe, asgjë nuk është e pamundur për të.
Ai nuk është poeti që thjeshtë dashuron – dashurinë, ndjenja e Arben Dukës është e prekshme, thellësisht njerëzore, e kapshme dhe në të njëjtën kohë e pamatshme; dashuria në vargun e tij brilant ngjan me baladat e Bernsit, sjellë në shqip nga Poradeci; poezitë e tij ishin të atij lloji që domosdo do i riktheheshe.
Beni ishte atdhetar i shkallës sipërore, poeti “non grata” për shovenistët grekë; jugor i thekur, lab i dorës së parë, i shpallur “Nderi i Qarkut Gjirokastër“, “Nderi i Lunxhërisë“, por zemra e tij pikon për Mitrovicën, Mollën e Kuqe që ndan kufijtë e përkohshëm në Bjeshkët e Gjakovës.
Arben Duka ishte poeti me të cilin mund të diskutoje ditë të tëra për lirikat e Eseninit, Bllokut, Cvetajevës, Berns, Poradecit, të cilëve i ngjante, megjithëse në shpirt kishte tramundanë. Është e çuditshme se si në një poet janë unisuar vargu melodioz, si rrjedhë e këngës labe dhe revolta, si zgalemi i njohur i Gorkit; se si në një të vetëm ndjehen disa të tjerë në të njëjtën kohë dhe përsëri, është i njëjti; është e pabesueshme krijimtaria e tij si volum, por edhe koloriti që nuk është i përsëritshëm; secili libër nuk i ngjan tjetrit dhe të gjithë bashkë krijojnë korpusin e madh të poezisë së Arben Dukës.
Ai është padyshim i vetëm në llojin e tij. Me të drejtë për poezinë e Arben Dukës kanë shkruar: “Librat e Arben Dukës kanë zënë vend në raftet e bibliotekës sonë si shtresat gjeologjike, njëri pas tjetrit, të pangjashëm, të mëvonshmit të lidhur me pararendësin, pa mohuar asgjë, por duke kërkuar forma të reja shfaqjeje, duke rendur pas një muze më të menduar, pas një muzike poetike të kompozuar, si Hajdeni i famshëm, që krijonte një melodi të denjë për çdo instrument, duke na dhënë të tërën e përkorë”.
Një gjë e re së fundmi, që nuk e kemi hasur në botimet e mëparshme, ishte një tis i hollë trishtimi apo melankolie. Njerëzisht është e kuptueshme; poetikisht, kjo është shenjë e epërme; një cilësi dhe përftim mendimi që të shpie në poezinë e vërtetë, atë autoktone, që mungon te shumë të tjerë.
Ja një poezi e mrekullueshme nga libri “Heroi i dashurisë” që duhet rilexuar kur rrjedha e trishtimit të shpie në fundin e tunelit të një shprese pa dritë: “Dhe kur këmbët të rëndohen porsi shkëmbi / Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri / Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi / Ti mos u dorëzo përsëri.”
Një gjë është e sigurtë: Arben Duka si poet, analist, polemist i dorës së parë është diskutuar më shumë se cilido nga brezi i tij. E në të njëjtën kohë njihet më mirë prej nesh nga kushdo tjetër.
Lexuesit e DITA e njohin Arben Dukën sikur ta kishin njeriun e familjes, edhe pa e takuar, ia njohin deri edhe çastet tragjike që e shoqëruan, ai ndante gjithçka në vargje, ia dinë dhimbjet familjare, sidomos të viteve të fundit me largimin nga jeta të vëllezërve të tij, Apostolit dhe Sofokliut; ia dinë veprimet e zakonshme dhe pasionet, sidomos për të vërtetën, sepse, mbi të gjitha ai ishte njeriu i hapur për të gjithë, që kurrë nuk bëri mundim të fshihej, të tjetërsohej, të bëhej i panjohur.
Ne njohim çdo hap të jetës së tij, sepse i ka dhënë në librat e tij, e njohim fizikisht dhe ia dimë shpirtin, e përfytyrojmë atë të rebeluar dhe të qetë, pranë familjes, Pranverës dhe fëmijve, por edhe në jetën e tij ushtarake, në bashkëbisedim me lexuesit, por edhe i menduar në praninë e cigares së tij.
Pushoi jeta e një poeti, vepra e tij mbetet. Rrallë ndonjë poet ka qenë më i sinqertë se Arben Duka. Jo kushdo mund të pohojë lirinë e vet në botën e tij. Rrugët janë të caktuara e shpesh herë plot me labirinthe, qëllimet janë të fiksuara, rendi i gjërave shpesh herë është i dhënë ose përcaktohet nga koha. Për njeriun e lëkundur, poetin rrëshqitas, mund të zgjidhet rruga e konformizmit, por kjo nuk ishte kurrë rruga e Arben Dukës.
Arben Duka ishte që nga fillimi njëri ndër bashkëpunëtorët e përditshëm të gazetës DITA; anëtar kolegjiumi i saj, i kërkuar nga të gjithë, ndaj largimi i tij do të lërë një vend të boshtë në rubrikat e gazetës, por, në të njëjtën kohë ai do të jetë edhe më tej i pranishëm. Ashtu si ndodhi me Andrea Stefanin, me Moikom Zeqon, si ndodh zakonisht me njerëzit e vyer dhe vlerat e tyre.
Disa kohë më parë, si duket në parandjenjën e poetit, Arben Duka do të shkruante: “Në deje gjaku më ka ngrirë / Qiriri në të fikur. / Tani si hëna në të gdhirë, / Jam gati në të ikur.” Dhe iku në këtë dhjetor, pak ditë pasi kishte bërë 64 vite!
Pusho në paqe, mik i dashur!
DITA