Provat e pranuara
Gjatë seancave të mëparshme Imeraj paraqiti si prova një numër të madh përgjigjesh të marra bazuar në kërkesat e saj drejtuar Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, me të cilat vërtetonte se nuk kishte zotëruar asnjëherë asnjë pronë, si dhe nuk rezultonte të ishte bashkëpronare në asnjë pasuri.
Po ashtu, ajo paraqiti si prova edhe përgjigjet e gjithë komisariateve, pikave kufitare, Interpol-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera verifikuese, të cilave u kishte kërkuar informacion nëse ish-bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, rezultonin ose jo të përfshirë në ndonjë vepër penale ose nëse ishin dënuar.
Ajo paraqiti si provë të re dhe një vendim të ILD-së që nuk ka gjetur konflikt interesi për tre anëtarët e KLP-së në votimin e saj të shkallës së parë si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, si dhe një akt të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku deklaronte diskriminimin për shkaqe krahinore.
Imeraj dorëzoi si provë dhe një kartelë të një pasurie, me të cilën provonte se akti që gjendej në dosjen e Komisionit për këtë pronë ku ishte dhe emri i saj, ishte i falsifikuar.
Kryesuesja Rama deklaroi se si prova do të administrohen edhe të gjitha pohimet e Imerajt në seancat publike të zhvilluara në Kolegj. Rama i dha përgjigje edhe kërkesës së Imerajt për moskonsiderimin si provë të gjetjeve të ONM-së, për të cilat ajo deklaroi në seancat e mëparshme se janë të bazuara në copa letre dhe se janë të pavërteta.
“Gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit përbëjnë provë në vetvete dhe do ti nënshtrohen hetimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”, deklaroi Rama.
Aktet dhe kërkimet që nuk u pranuan
Kryesuesja Rama listoi edhe aktet dhe kërkimet e prokurores Elizabeta Imeraj, të cilat nuk janë konsideruar prej Kolegjit për t’u administruar si prova. Konkretisht, KPA vlerëson të panevojshme thirrjen si dëshmitarë të familjarëve të subjektit dhe të ish-bashkëshortit për dhënë deklarimet e tyre lidhur me situatën e zgjidhjes së martesës.
E panevojshme u konsiderua edhe thirrja si dëshmitar e personit me të cilin ish-bashkëshorti kishte shkëmbyer tokën bujqësore në Mullet me truallin në Tiranë. Po ashtu, u vendos të mos kërkohet informacion nga Bashkia e Tiranës lidhur me vlerën e truallit dhe të sipërfaqes tokë-arë.
Kolegji konsideroi të panevojshme edhe thirrjen në cilësinë e dëshmitarit të dy anëtarëve të trupës së KPK që konfirmoi Imerajn, komisionerët Roland Ilia dhe Olsi Komici, si dhe përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Imeraj tha gjatë parashtrimeve se komisionerët ishin fyer dhe shantazhuar nga vëzhguesi ndërkombëtar.
KPA vlerësoi të panevojshme edhe thirrjen si dëshmitarë të denoncuesve të Imerajt, të cilët janë të rremë.
Në fund të seancës, prokurorja Imeraj e pyeti Komisionerin Ballhysa nëse ai kishte ndonjë qëndrim lidhur me kartelën e një pasurie që gjendet në dosjen e KPK-së, që rezulton e falsifikuar.
Komisioneri Ballhysa tha se kartela në fjalë nuk ishte objekt i shkaqeve të ankimit. “Shkak në ankim është titulli i pronësisë dhe mënyra se si subjekti i rivlerësimit është sjellë juridikisht me këtë pronë”, pretendoi Ballhysa.
Avokati Gregory Thuan kërkoi kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe paraqitur konkluzionet përfundimtare me shkrim.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, vendosi të mbylli hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të përgatisin dhe paraqesin konkluzionet përfundimtare më datë 20 prill, në orën 13:00.