Nga Entela Resuli
E dërguara e DITA në seancë
Është zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit seanca ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Gjatë fjalës së saj, ndër të tjera Imeraj denoncoi futjen e akteve të falsifikuara në dosjen e saj, ndër të cilat, një kartelë pasurie, për të cilën Komisioneri Publik nuk dha përgjigje.
Sipas provave të prezantuara gjatë procesit, kryeprokurorja e Tiranës nuk disponon asnjë pasuri në pronësi apo bashkëpronesi. Ajo shtoi se gjatë procesit të rivlerësimit përfundimet janë bazuar në opinione apo letra anonime, ndërsa u shpreh se është cënuar edhe në jetën personale.
“Jam hasur gjatë këtij procesi të rivlerësimit, me konkluzione të quajtura opinione apo gjetje, të cilat referojnë si burim prove, letra anonime, jam hasur gjatë këtij procesi me cenim të jetës personale, në dosje keni akte të falsifikuara, kartela e pasurisë ku KP bazon ankimin është e falsifikuar” – tha Imeraj.
Dejtuesja e Prokurorisë së Tiranës ka një arkivë hetimesh nga më të vështirat për rrethanat e vendit. Ajo përmendi ndër të tjera, dosjen ‘Shullazi’, të cilën asnjë prokuror nuk e mori përsipër
“Jam grua, jam nënë. Kam marrë dosje që tjerë nuk i pranuan. Për çështjen në fjalë ekzistonte një perceptim të cilin po e ilustroj vetëm me një citim, thënë nga një prokuror: “s’kam pse pres ndonjë tritol tek shtëpia’’, – tha Imeraj, duke i kërkuar trupit gjykues t’u referohej fakteve dhe hetimeve të marra përsipër prej saj, aspektit gjinor dhe rrethanave të rrezikimit të jetës.
Prokurorja e njohur vuri gjithashtu në dukje se për shkak të origjinës së saj nga Tropoja, janë përpjekur ta indimidojnë.
“Si tropojane, janë përpjekur të më vendosin sa në një rrymë politike apo në tjetrën, janë përpjekur të më trembin në mënyra të ndryshme. Kam arritur të jem e pacenueshme, jo sepse jam e fortë, apo e pandjeshme, por sepse jam përpjekur të zbatoj gjithmonë të drejtën”.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës është akuzuar gjatë procesit se nuk kishte treguar etikë, sepse nuk kishte pranuar t’i përgjigjej me “Po” ose “Jo” pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar.
“Nuk njoh dhe nuk di të ketë ndonjë procedurë hetimore penale, civile apo administrative ku dikush në çfarëdolloj pozicioni qoftë, arrin të të imponojë përgjigjen me PO ose JO” – tha Imeraj.
Pjesë nga fjala e prokurores:
“Siç e kam prezantuar dhe në seancat e mëparëshme, e gjendur në kushtet e procesit të rivlerësimit që nga tetori i vitit 2018 e deri më sot, në asnjë moment nuk më ka shqetësuar hetimi, marrja e provave, marrja e dokumentacionit të nevojshëm. Kam këmbëngulur vetë drejt hetimit shterrues për çdo pretendim të ngritur në ankim apo në rekomandim.
Institucionet shtetërore në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve, si dhe gjatë hetimit administrativ në KPK, kanë theksuar përshtatshmërinë që unë të vijojë ta ushtrojë këtë detyrë. Kjo përshtatshmëri nuk lidhet vetëm me raportet e DSIK-së, në proçesin e rivlerësimit, por lidhet edhe me çdo informacion që keni në dosje; lidhet me pasjen e çertfikatës së sigurisë; konfirmohet nga kërkimet e bëra në institucione të ndryshme, si Policia e Shtetit, SHISH, SPAK, etj.
KPK më ka konfirmuar në detyrë duke theksuar eksperiencën e punes prej 17 vitesh, çështjet e hetuara gjatë punës si prokuror, ku përfshihen dhe çështje sensitive për shkak të rrezikshmërisë së veprave dhe të autorëve të hetuar, përkushtimin dhe ndërgjegjen e treguar në punë, si dhe vullnetin për qasje karshi ngritjes profesionale.
E kuptoj më së miri, rëndësinë e procesit të rivlerësimit, si një ndër momentet më të rendësishme të Reformës në Drejtësi, vlerësoj çdo institucion shtetëror të ngarkuar nga Kushtetuta dhe Ligji për kryerjen e një procesi të tillë. Siç edhe parashikohet shprehimisht në normat e sanksionuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligji me Nr 84 viti 2016, kam besuar dhe besoj se do gjykohem drejt.
E drejta për një proces të rregullt ligjor (neni 6 i KEDNJ-së); E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare (neni 8 i KEDNJ -së); Ndalimit i diskriminimit (neni 14 i KEDNJ së) janë parime të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo organ ligjzbatues, duke përfshirë edhe mekanizmin e rëndësishëm që i vjen në ndihmë këtij rivlerësimi, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Elisabeta Imeraj e kryen funksionin e Prokurorit të Republikës së Shqipërisë që nga viti 2004, me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës. Jam impenjuar në maksimum në profesionin tim kam dërguar përgjatë viteve ne gjykim thuajse 160 të pandehur, dhe mund të kem marrë vetëm 2 dy apo 3 tre pafajësi, kam hetuar politikanë, zyrtarë në nivele të larta, anëtarë të krimit të organizuar, terroristë.
Kerkoj jo vetem në rangun ligjor, lënien në fuqi të Vendimit nr. 363, datë 01.04.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Por mbi te gjitha, kërkoj Drejtesi.
Elisabeta Imeraj është konfirmuar në detyrë me vendim të KPK, por një ankimim nga Komisioneri Publik që deri tani ka rezultuar i dobët në prova, e kundërshtoi këtë konfirmim. Imeraj është një nga prokuroret më të vlerësuara të sistemit dhe vetingu i saj është parë gjerësisht si një rast me nuanca të forta paragjykuese.
Seanca e ardhshme, ku pritet të merret vendimi nga trupa e Apelit, u caktua në datën 27 prill, ora 15.00.