Një Skënderbe në Rumani dhe Europa përballë nesh

Ornela

Deputeti Fate Velaj vendos bustin e Skënderbeut në Craiova të Rumanisë dhe bënë thirrje për njohjen e Kosovës. Gjithashtu, deputeti  Velaj binjakëzon qytetin e Vlorës si dhe universitetin e saj me këtë qytet dhe universitet të Rumanisë duke organizuar për 3 ditë rresht dhe “Ditët e Vlorës në Craiova”.

E.H. –   Zoti Velaj, këtë vit, shpallur nga qeveria si “Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut” ju, me iniciativë personale, organizuar ngjarjet më domethënëse të vitit. “Dasmën e Skënderbeut” në Kaninë të Vlorës si dhe vendosjen e bustit të Skënderbeut në Craiova të Rumanisë. Përse ky angazhim juaji?

Fate Velaj (F.V.) – Përvjetore të tilla janë momente historike për të cilat, duhet të jesh i lumtur që i përjeton dhe njëkohësisht, të mbushin me krenari për historinë e kombit shqiptarë. Kjo ndjenjë krenarie, duhet të mos kthehet në një ego personale apo kolektive por në një ndjenjë përgjegjësie të përbashkët dhe, detyra e secilit prej nesh, duhet të jetë që historinë tonë ta bëjmë prezente për brezat e rinj por edhe të huajve dhe veçanërisht, atyre vendeve që nga historia jonë, kanë përfituar. Nuk është rastësi që Skënderbeun, Papa e ka cilësuar si “Atlet i Krishtit” mbasi ai, me luftrat e tij, mbrojti Europën dhe vlerat më të larta të krishtërimit. Kjo ishte dhe arsyeja përse unë ju përkushtova kësaj figure madhore europiane dhe përse bashkia e Craiova’s e pranoi kërkesën time për ta vendosur bustin e tij në qytetin e saj.

E.H- Viti mbarkombëtar i Skënderbeut pati vetëm dy momente kulmore të cilat, të dyja, i ideuat dhe organizuat ju. Përveç këtyre aktiviteteve, nuk u lexua e dëgjua gjë tjetër. Si ndodhi kjo?

F.V- në 28 Nëntor të vitit 2017, nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, Edi Rama e shpalli këtë vit një vit të artë kujtimesh të historisë sonë kombëtare. Pikërisht aty, kristalizova idetë e mia se çfarë duhet të bëja unë si Fate Velaj këtë vit dhe të nesërmen, fillova nga puna për realizimin e “Dasma e Skënderbeut” në Kaninë dhe kjo që realizova në Craiova të Rumanisë ku vendosa bustin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Pra, këto ishin iniciativa personale.

E.H – Flitet se ju jeni në sintoni të plotë me kryeministrin Edi Rama. Madje, qarkullon dhe një përkufizim i tij mbi ty ku ai thotë se “Fate Velaj nuk është thjeshtë një person. Ai është një institucion më vete”. Ishte i informuar kryeministri mbi axhendën tuaj për këto ngjarje që realizuat?

F.V- Edi Rama nuk ka pyetur kurrë se ku jam e se çfarë bëj. Qysh kur më thirri ne 30 Gusht 2013 dhe më tha të jem këshilltar i tij për diplomacinë kulturore dhe rilindjen europiane shqiptare, më tha të bëja çdo gjë që do t’më shkonte në mendja e që e kisha bërë për Austrinë e Europën e bashkuar të cilat, më kishin dekoruar me medaljet më të larta. Pra, me Edi Ramën kuptohem pa u kontaktuar mbasi besimi dhe respekti për punën e njëri tjetrit mes nesh, është shumë i madh. Fakti që tetë deputet të parlamentit së bashku me kryetarin e bashkisë Vlorë, Prefekti e kryetari i Qarkut  si dhe gati 60 veta nga ajka kulturore e qytetit e pranuan ftesën time për të ardhur në Craiova, tregon për këtë gjë. Së bashku me senatorët e deputetet ardhur nga Bukureshti si dhe përfaqësuesit më të lartë të qytetit e krahinës së Craiovas, festuam vendosjen e bustit dhe aktivitetet e tjera.

E.H – Ju vendosët bustin e Skënderbeut, binjakëzuat bashkitë dhe universitetet e dy qyteteve, hapët ekspozitë fotografike me pamje nga Vlora, organizuat koncert në muzeum si dhe shfaqjen e teatrit të Vlorës në Rumani. Por, ajo që do të mbahet mend nga gjithë kjo ngjarje e madhe, është thirrja që ju i bëtë politikës rumune përfaqësuar gjatë ceremonisë të njihte Kosovën dhe të votonte pro liberalizimit të vizave në datë 16 Dhjetor. Ishit konsultuar me njeri për ketë që do të thoshit?.

F.V – Pas një pune të gjatë e plotë takime që kisha pasur me homologët rumun në parlamentin e Rumanisë si dhe me kryetarin e bashkisë së Craiovas, arritëm të dakordësoheshim që të dy bashkitë, Vlora dhe Craiova të firmosnin një memorandum bashkëpunimi për të ardhmen. Po kështu, edhe me universitetet e dy qyteteve. Qëllimi i binjakëzimit ishte fillimi i në partneriteti për fillimin e bashkëpunimeve mes bashkive në Bashkimin Europian. Zhvillimet e sotme europiane kërkojnë bashkëpunime vendore, rajonale dhe akoma më tutje. Bashkitë e sotme nuk janë më ato të para 28 viteve. Zhvillimi i tyre sipas standardeve të vendeve EU,  nuk mund të arrihet vetëm me taksat që mbledh bashkia por, ka sjellë në skenë bashkëpunimet dhe për këtë, përpara disa ditëve, në parlamentin europian në Bruksel, u takova me Karl-Heinz Lambertz, presidentin e “Europa e Rajoneve” nga programet e së cilës, përfitojnë qytetet, rajonet e akoma më shumë. Zotit Lambertz i tregova për atë që do firmosnim në Craiova dhe e ftova të vijë në Vlorë.

Përsa i përket fjalës time gjatë inaugurimit, ju thashë se, ju falënderoj që e pranuat kërkesën time për të vendosur bustin e heroit të shqiptarizmit. heroit te Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre të Malit të Zi por, njëkohësisht, heroit të gjithë europës kristiane sepse, Skënderbeu, ishte mbrojtësi më i devotshëm i vlerave të krishterimit. Por, ju të nderuar deputet e senator rumun, duhet që siç nderuat heroin e përbashkët, duhet te nderoni dhe popullin e sotëm të Kosovës për të cilët, Skënderbeu ka qenë heroi i tyre kombëtar dhe ta njihni souverenitetin e pavarësinë e saj. Kosova është një realitet europian. Ju duhet që,në datë 16 dhjetor, të votoni liberalizimin e vizave me Kosovën në mënyrë që ata, të lëvizin siç lëvizim ne, europianët.

E.H. Zoti Velaj, përpara disa ditëve, ish kolegu juaj në kabinetin Rama, Sandër Lleshi, u propozua si ministër i Brendshëm. Ju keni punuar katër vite me Sandrin. Si e njihni ju atë dhe a mendoni se është personi i duhur për këtë post?

F.V- Më duhet të them se ishte një kënaqësi kur lexova propozimin e Edi Ramës për Sandrin dhe me vete, thashë ‘Endlich’, (më në fund). Me Sandër Lleshin unë kalova katër vite në një miqësi të sinqertë. Mëngjeseve, ngaqë unë i kisha sjellë nga Vienna si automatin e kafesë si atë të çajit, e pinim bashkë kafenë e mëngjesit dhe e shfrytëzonim atë dhe për shkëmbim idesh opinionesh mbi ngjarjet e ditës por dhe mbi zhvillimet në Europë, veçanërisht në hapësirën gjermanfolëse ku ai është një njohës i shkëlqyer. Më duhet të them se, Sandër Lleshi, është një intelektual i madh, një rigoroz në punë dhe një europian në bindje. Unë jam mëse i bindur se, Edi Rama, me përzgjedhjen e Sandrit në krye të Ministrisë së Brendshme, ka bërë zgjedhjen e duhur në këto momente kaq vendimtare në luftën kundër krimit dhe reformën në drejtësi.

E.H. Zoti Velaj, ju njiheni si personi që ka lidhjet personale të mëdha në Parlamentin Europian dhe disa kancelari europiane. Çfarë thonë miqtë tuaj jashtë kortezisë politike mbi zhvillimet në Shqipëri mbasi, me ju ata i lidh një rrugë e gjatë, qysh përpara se ju të futeshit në politikën e Tiranës. Pra, çfarë ju thonë ata që nuk ja u thonë përfaqësuesve të qeverisë?

F.V – Qysh kur, me ftesë të presidentit të parlamentit, në vitin 2001, hapa ekspozitën ‘Vlora, Vienna dhe Brukseli’ unë jam shpesh herë i ftuar në Bruksel por dhe nëpër kancelaritë europiane ku në vendet e tyre, kam organizuar nisma mbi të ardhmen e unionit. Marrëdhëniet e mia me ta janë marrëdhënie miqësie dhe besimi dhe kjo sjell që hera-herës, të zhvillojmë dhe biseda mbi gjedjen në shqipëri dhe politikën këtu. Më duhet të them se jo çdo gjë që transportohet nga Tirana për Bruksel apo Vjenë e Berlin nuk kalon pa u analizuar dhe vërtetuar. Mbaj mend një bisedë të para disa kohëve me një nga figurat qendrore të parlamentit me të cilin po diskutoja për një nga problemet e nxehta që po trazinte politikën shqiptare për të cilin opozita, me pasion, mundohej që me anën e “fakteve” tu fitonte mendjen dhe opinionin atyre. Dhe ai, në bisedë e sipër, më tha “…ne jemi dëgjues të mirë e të qetë Fate por, budallenj nuk jemi t’i besojmë ato që ata, mundohen t’na i servirin si të vërteta”.

E.H – Ju përjetuat një moment tejet delikat në Parlamentin Europian kur opozita u përpoq të pengonte kryetarin e delegacionit, Taulant Balla të përfaqësonte Shqipërinë gjatë bisedimeve mbi të ardhmen europiane të vendit. Çfarë kishte të vërtetë sipas asaj që ju përjetuat?

F.V – Ajo ditë, ishte një ditë mjerane e opozitës sonë. Jo për faktin se ata kërkuan largimin e Taulant Ballës, por sepse ata kërkuan të transferonin e ta bënin pjesë të EU politikën temporale e destabilizuese shqiptare në atë stabile e koherente europiane. Të kërkosh të bësh vendin tënd objekt trazie në selinë e Europës pikërisht në momentin më kyç të së ardhmes së saj, është keqdashëse.  Të kërkosh largimin nga salla të Taulant Ballës me pretekstin se nuk mund të rrish në një sallë me një të inkriminuar dhe kjo, disa minuta pasi me këtë të inkriminuar po mes atyre eurodeputetëve hëngre dreke e more dolli për të ardhmen e vendit, është humoristike. Nuk e dinin ata, që në Europë nuk gjykohet sipas opinioneve por sipas institucioneve? E pra, çfarë prisnin ata se pas fjalës së tyre do përjashtohej Balla pa asnjë vendim gjykate apo procedim penal? Vetëm e vetëm se tek klubi poshtë pallatit ashtu ishte bërë muhabet?

E.H – Kush janë planet tuaja për të ardhmen Zoti Velaj. Brenda dy viteve ju botuat 5 libra dhe keni hapur disa ekspozita në pikturë e fotografi si brenda e jashtë vendit.

F.V – Jam në pritje të dalë romani ITAKA,  vëllimi i tretë i trilogjisë KREUZTANNE. Ky libër është përkthyer në 8 gjuhë dhe po bëhem gati për promovimet nëpër disa shtete. Po ashtu, së shpejti do hapet në Durrës ekspozita ime në pikturë me titull “Rapsodia e blusë së jugut” si dhe ato në fotografi me titull “Fytyra – përtej identitetit” e që do më shpien nëpër qytete të Italisë përfshi dhe Romën, Milanon, Vjenën e Brukselin.

 

Share This Article