Nobelisti Tomas Transtromer dhe “ajsbergu” i tij poetik

Ornela

Nga Sejdo HARKA

Të shkruash për jetën dhe  krijimtarinë poetike të nobelistit Tomas Transtromer, do të thotë të depërtosh thellë, jo vetëm në labirinthet e shoqërisë së kohës dhe vendit që atë e lindi dhe e rriti, por dhe në thellësitë e shpirtit të  tij poetik, sa të drejtpërdrejtë, aq dhe metaforik, sa misterioz e të nënujshëm, aq dhe të akullt e fluid. Në thellësitë e “ajsbergut” të tij poetik, lexuesi gjen të konservuar mendjen dhe shpirtin e tij sa të bukur, aq dhe protestues, sa të ftohtë, aq dhe përvëlues, sa të trishtë, aq dhe shpresues. Në “barkun” e tij metaforik fshihen, edhe dielli, edhe errësira, edhe jeta, edhe vdekja, edhe liria edhe skllavëria, edhe shpresa, edhe agonia, edhe helmi edhe eliksira, edhe njeriu e antinjeriu, edhe mirësia, edhe ligësia. Për të bërë “autopsinë” poetike të këtyre dukurive shoqërore të kohës, Transtromer-i, herë i nxjerr në dritën e diellit, dhe herë në lëndinat romantike të dritës së hënës, herë i lë të notojnë mbi dallgët kaltëroshe të detit, dhe herë i vë në sprovë, përballë stuhive shkatërruese. Ndërsa karakteret, herë i ngjit në parajsë, dhe herë i çon tek porta e Purgatorit dantesk, për të gjetur rrugën e së vërtetës. Herë i personifikon, e herë i kthen në simbole metaforike, herë i merr në mbrojtje, e herë i stigmatizon. Herë i fshikullon me kamxhikun ironik, e herë i godet fuqishëm me thumba sarkastikë prej çeliku. Gjuha poetike e T.Transtromerit, herë buron nga  arsyeja e tij racionale, dhe herë nga shpirti i tij  i ndjeshëm dhe tepër i trazuar, herë nga skutat e errëta të subkoshiencës frojdiste, e herë nga aritmia e zemrës së tij të pastër, por tepër të stërmunduar nga brengat dhe hallet. Dukuritë shoqërore të kohës ai, herë i sheh me lentet e analistit real, e herë me mjegullsirën e psiko-analistit të errët, gjë që i jep poetit më shumë mundësi të nxjerrë mbi “ujë” misteret e “ajsbergut” të tij poetik.

Poezia e Transtromer-it është shumë e gjerë  dhe me vlera të mëdha universale shoqërore dhe artistike. Por, para se t’i zbulojmë ato, po ndalemi me pak fjalë për t’i dhënë përgjigje pyetjes, se kush është Tomas Transtromer-i:

Ai ka lindur në vitin 1931, në Stokholm. I jati ishte një gazetar  i njohur. Prindërit e tij u divorcuan, që kur ai ishte në moshë tepër të njomë. Në moshën 20-vjeçare Tomas-i filloi studimet në Universitetin e Stokholmit,ku diplomohet për psikologji. Në vitet 1956-60 ai punon si pedagog  psikologjie në Universitetin e Stokholmit, kohë që përkon me botimet e tij të para, me të cilat filloi të bëjë emër. Më pas ai punoi si psikolog pranë Qendrës së Rehabilitimit të të Rinjëve të Kriminalizuar. Me dimensionet e poetit të madh, ai u bë i njohur që në vitet që punonte në qytetin e Vesteros. Për vlerat e mëdha universale,Transtromer-i  u nderua me shumë çmime kombëtare dhe botërore. Në vitin 1990 ai, fatkeqësisht, pësoi një  paralizë të pjesshme cerebrale, nga e cila  humbi të folurin. Megjithëatë, poeti nuk rreshti së shkruari kurrë. Me ndihmën e bashkëshortes së tij, Monikës, ai vazhdoi të botojë shumë libra. Krijimtaria e tij  shumëplanëshe është përkthyer në mbi 50 gjuhë të botës. Transtromeri, në vitin 2011 u bë fitues i çmimit “Nobel”për letërsinë. Për shumë vite me radhë, figura dhe  krijimtaria e tij e larmishme u bë objekt i studiuesve dhe  kritikës letrare botërore. Për të ilustruar mendimet e tyre, po përmendim konsideratat  e larta të disave prej tyre:

-Transtromeri-thekson Helen Vendler-mbetet një figurë  shumëdimesionale e stoike, me një krijimtari, sa të vërtetë, aq dhe të besueshme… Për Josif Brandësej,T.Transtromer-i është një prej poetëve më të mëdhenj të epokës sonë, me një inteligjencë të pashembullt. Ndërsa Seamus Heaney, për këtë shkrimtar të madh shkruan:”Askush si Transtromer-i nuk është zhytur kaq thellë në psikologjinë njerëzore dhe të ketë dalë në sipërfaqe me këto mrekulli lirike”.

Të shkruash për krijimtarinë poetike  të Tomas-it, duhen faqe të tëra, por në këto shënime të shkurtëra, kryesisht do të ndalemi tek vëllimi me poezi të zgjedhura, ”Qielli i lënë përgjysmë”, shqipëruar nga orgjinali, nga Natasha Lako dhe shtypur nga “Botimet Aleph”. Edhe pse thelbi i mendimit dhe filozofisë krijuese të Transtromer-it qëndron në thellësitë e nënujshme të “aezbergut” poetik, preludi i tyre, sa real,aq dhe iluzor,dëshmon më tepër hapje  se sa mbyllje hermetike. Dukuritë dhe karakteret shoqërore janë aq të rrokshme nga shqisat universale të lexuesit, sa që dhe përmes ”pentagrameve” të gjuhës së tij stilistikore, shpesh  konvencionale dhe tepër abstrakte, ato në korrelacionin trunor të shfaqen me konturet e së vërtetës reale. Kritika letrare botërore Transtromer-in e ka quajtur  poetin e madh, kristjan evropian, që ruan ekuilibrin real midis të mirës dhe të keqes, duke mos i ndarë ato si me thikë, bardhë e zi. Ai i thyen barrierat ndarëse mes dukurive natyrore dhe atyre njerëzore, duke i konceptuar ato si vazhdim të njera-tjetrës. Transtromer-i pranon miqësinë me çdo të mirë dhe të keqe, bile dhe me vdekjen. Me vizionin e tij modern, ai krijon galaktikën e tij universale poetike, për të zbuluar enigmat. Është ky vështrim i realitetit, sa real aq dhe mistik, që i bën suedezët ta konsiderojnë poetin e tyre si hero të rrallë mitik. Kulti i pafuqishmërisë dhe humanizmi, magjia e jetës që sfidon gjithçka sipërfaqësore dhe sfida ndaj asgjësë, që e konsideron veten të plotfuqishme, janë disa nga ndjesitë më të dukshme të vjershërimit të këtij poeti të madh skandinav. Kur Transtromer-i ishte në moshën 15-vjeçare, pësoi një shpërthim të çuditshëm zemërimi, të cilin e përshkroi në librin e tij ”Kujtimet vështrojnë nga unë”. Prandaj ai, gjatë gjithë  jetës  ndjeu përjetimin e zërave dëshpërues, që i vinin si valë të pashtershme mistike,Tmerri dhe frika e diçkaje mistike brenda shpirtit, nuk iu nda kurrë. Dukuri të tilla depresive që e kërcënuan tërë jetën, ndoshta  e ndihmuan atë, të bëjë një art të madh, përmes poezive me sens të thellë estetik. Megjithatë, frika se nuk do të ishte kurrë në gjendje të përmbushte me devotshmëri detyrën si  qytetar dhe krijues, prek shumë nga poezitë e tij. Është kjo arsyeja, që shumë nga poezitë e tij vuajnë nga dëshpërimi, sidomos kur  ndjen, se mbi globin tonë, rendin si fantazma “stuhi “dhe “mortaja” vrastare, që vinë jo vetëm nga zgavellat e natyrës, por dhe nga vetë njeriu.”Censori”, për poetin është jo vetëm vrastar i lirisë së njeriut,por dhe brejtës i eshtrave të tij .Censura bën që  e vërteta të  zhytet në errësirë, dhe të dridhet “si majmuni  mbi kangjella hekuri”.(110). Ndërsa mendimet e censuruara,”shkasin si një anije e vjetër”. Ndaj  fati i tyre është i paracaktuar të tjetërsohet në fosile..Poezinë e Transtromer-it e karakterizon  kompleksiteti psikologjik. Ai, edhe pse shpesh shfaqet si  një poet i errët, hermetik, në të vërtetë është tepër meditativ, me  një sistem të larmishëm dhe origjinal vjershërimi. Për poetin vdekja është vazhdimësi e jetës, prandaj, kudo që ndodhet, dëgjon pëshpëritje dhe klithma të gjallësh. Ato vinë jo vetëm nga korja e tokës, por dhe nga thellësitë e bodrumeve të errëta nëntokësore. Nëpërmjet këtij zëri të çuditshëm, duket sikur ”Duan të thonë diçka  të vdekurit/Tym  duhani duket  sikur lëshojnë…,/Frymë s’marrin/por ende kanë zë”…Bashkë me ta, thotë poeti ”Nxitoj edhe unë, si njeri prej tyre”.(17) .Në poezitë e Transtromer-it marrin jetë edhe  drurët edhe gurët. Ata fluturojnë ”si dallëndyshet  nga një majë kodre në tjetrën/ dhe thyhen si qelqi “. Ashtu do të thyhemi edhe ne një ditë, shkruan poeti, “siç tretet ngadalw një copë re/,e cila, mbasi përplaset,nga trishtimi derdh pika dhimbje e loti,/për t’ja lënë radhën rrezeve të shndritshme të diellit”. Për Transtromer-in,”rruga e filluar s’arrin kurrë në fund/më tej shtyhet horizonti/zogjtë bëhen lëmsh me pemën/Ndërsa vërtitjet e pemëve kundërshtojnë vdekjen”(25). Shpesh poeti e ndjen veten të vetmuar edhe nga natyra.”Pemët i kanë kthyer shpinën,/bora është maturuar me cifla të vdekura,/ndërsa këmbët i kanë mbetur të zhytura” në llavën e nxehtë të kores së tokës. E megjithatë, shpresën e ruan të gjallë. Mbasi sheh se si “ farfurojnë ngjyrat .”Toka dhe unë –vazhdon poeti-vrapojmë drejt njëri-tjetrit. (33)

Një nga poezitë më të bukura të vëllimit poetik me të njëjtin titull është “Qielli i lënë përgjysmë”. Për poetin, çdo gjë është tjetërsuar në metamorfozë. Dhe fatkeqësia qëndron tek fakti se vektori i metamorfozës ka marrë drejtimin e kundërt të akrepave të sahatit. Edhe drita ngazëlluese,e ka zbehur shkëlqimin, edhe fantazmat e kanë humbur kafshatën e shpëtimit, edhe” korbi” e ka ndryshuar ngjyrën dhe drejtimin e fluturimit, bile edhe qielli ka mbetur përgjysmë. Gjysmën tjetër të qiellit, poeti e sheh, herë të nëpërkëmbur nën çizmet vrastare të përçmimit, e herë poshtë nesh nën terrin e varfërisë dhe trishtimit. Paradokset dhe reaksionet e kohës së sotme bashkëjetojnë në një martesë fatkeqe. Çdo gjë kërthet me gjuhën e djallit. Muret e nëpërkëmbura të së vërtetës rrëzohen nga të lehurat e zhurmshme të “qenit”, që me jargët e tij, kërkon të shkruajë historinë. Për poetin, është skllavërimi i së vërtetës përmes shpirtrash të zbrazura dhe hipokrizive të pashembullta,që e bëjnë të ardhmen e njerëzimit të zhytet thellë “Mes llumit dhe llohës”(43).Jeta dhe vdekja për të janë vazhdimi i njëra-tjetrës.

Gruaja e shekullit të XIX,për Transtromer-in, “është një klithmë, që mbytet brenda fustanit…/ Ajo ka pamjen e pikturës që nuk merr frymë”.Heshtja e saj “është e përpiktë dhe ka thellësinë e ngrirë të detit”.Pasiguria e shoqërisë së  kohës, për poetin ka marë fuqinë e “mbretërisë së vdekur”.Atë e tremb fakti që kjo “mbretëri” drejtohet nga një “helmetë”,që nuk mbrohet nga askush,por mbahet gjallë nga “breshkat” që vozitin nën ujë”.

Poeti nobelist Tomas Transtomer-i është dhe një mjeshtër i peizazhit.Në poezinë “Peizazh me diell”,bukuritë e rralla të natyrës i përshkruan nëpërmjet vargjeve:”Në mëngjes kishte dalë një diell prej zjarri/në pyllin gjysmë të vdekur gri…”(105).

Sistemi i vjershërimit të Transtromer-it është, sa i lirë, aq dhe abstrakt.Ai përdor edhe strofimin edhe monokolonën,edhe dyvargshin edhe triptikun sonetik.Vjershërimi i tij i papërsëritshëm,herë është narativ, herë ironik dhe herë sarkastik. Brendia e poezive të tij, herë ndriçohet nga dielli i qartësisë, dhe herë mbulohet nga terri i abstraksionit,herë shfaqet në majën e aezbergut ,e herë zhytet ne thellësitëe tij të akullta,për të vënë në lëvizje,ndjesitë,emocionet dhe memorjen e lexuesit,duke zhbiruar shpirtin,psikologjinë dhe shijet estetike.

Share This Article