“Në debatet publike në Uashington, Londër, Berlin, Paris dhe Varshavë, dëgjojmë gjithnjë e më shumë slogane anti-demokratike, që bëjnë thirrje për egoizma kombëtare, izolacionizëm dhe euroskepticizëm. Do të ishte mirë, nëse thuhet qartë sot se, kushdo që kthehet kundër Amerikës, dëmton Evropën; kushdo që sulmon Bashkimin Evropian, dëmton Amerikën. Dhe kushdo, që minon bazat e demokracisë liberale, dëmton si njërën dhe tjetrin.”
Këto do të ishin fjalët e zgjedhura, të Presidentit të Këshillit Evropian, polakut Donald Tusk, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët në Varshavë mes NATO dhe BE. Një deklaratë, mbi përforcimin e bashkëpunimit mes palëve dhe një ndarje efikase të përgjegjësive. Për të “zhvilluar kapacitetet koherente, mbrojtëse, plotësuese dhe ndërvepruese të shteteve anëtare të BE dhe aleatëve të NATO, si edhe projekte shumëpalëshe.”
Por, ç’rol luan Evropa sot në fushën e sigurisë? A ka një vullnet evropian për të avancuar në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë ?
Politika Evropiane e Sigurisë së Përbashkët funksionon me një vendimmarrje që kushtëzohet nga votimi unanim. Kushtëzim, që ka ruajtur karakterin e tij për hir të vullneteve politike që nuk preferojnë ta ndryshojnë këtë aspekt, duke e thjeshtëzuar përcaktimin e një politike të jashtme të përbashkët efikase nëpërmjet një votimi me shumicë të cilësuar. Teksa Politika e Sigurisë së Përbashkët u fuqizua edhe me kuadrin e Mbrojtjes, u krijua hapësira e duhur legjislative për të bërë të mundur nisjen e operacioneve civile dhe ushtarake jo vetëm në kontinentin Evropian, por edhe në botë, që prej vitit 2003. Por, nuk ndodhi ajo që shpresohej, pra një angazhim dhe vullnet i vendeve anëtare, për të pasur një orientim dhe një reflektim të qartë gjeopolitik, por edhe gjeoekonomik. Hapësira nuk u shfrytëzua, duke u reduktuar në role dhe misione të karaktereve civile, kryesisht për administrimin e krizave, në rajone të ndryshme. Pesha u mënjanua dhe anoi sërish nga NATO. As Traktati i Lisbonës, nuk arriti dot të ndryshojë funksionimin politik të këtij mekanizmi.
Situatat e krizave në vendet fqinje të Unionit, mungesa e vazhdueshme e stabilitetit, çështja e terrorizmit, që edhe pse e vënë nën presion në kalifatin e saj (ISIS) duket e vendosur për goditje sistematike në vendet evropiane, si edhe sjellja e paparashikueshme, por e vlerësuar si kërcënuese, që shfaq në forma sistematike Rusia, kanë përshpejtuar reflektimin mbi nevojën e domosdoshme të një bashkëpunimi më të thelluar, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në BE. Një klimë jo e favorshme, që vazhdojnë t’i shtohen elementë të tjerë pasigurie, si fenomeni i Brexit, rritja e ekstremizmit, por edhe fluksi i vazhdueshëm i migrimeve nga vendet e konfliktit.
Por, me rritjen e klimës së pasigurisë dhe të krizave, vërehen disa elementë, që kanë filluar të dimensionohen pro ambicies së Evropës të Mbrojtjes dhe të Sigurisë.
Përtej thirrjeve të përsëritura në kohë, të kreut të Komisionit Evropian Junker, për domosdoshmërinë e krijimit të një ushtrie evropiane, kemi një prezantim ambicioz në Strategjinë Globale të Bashkimit Evropian 2016, të publikuar vetëm pak kohë më parë, në muajin qershor. Një vizion strategjik, që kërkon një BE më autonome në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, por duke ruajtur partneritetin dhe kontributin e saj në NATO.
Do të ishte Këshilli Evropian i qershorit 2015, që në kuadrin e një klime pasigurie në rritje, do të ftonte Përfaqësuesen e Lartë të Unionit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë të prezantonte një strategji globale të Unionit Evropian, në qershor të këtij viti. Kjo strategji, do të synojë të orientojë veprimin global të Unionit dhe të fiksojë prioritetet për mbrojtjen e qytetarëve evropianë, duke promovuar njëkohësisht interesat dhe vlerat universale të Unionit.
“Përpjekjet evropiane të sigurisë dhe të mbrojtjes duhet të mundësojnë BE, që të veprojë në mënyrë autonome, duke kontribuar gjithashtu edhe në ndërmarrjen e veprimeve me NATO. Një mbrojtje më e besueshme evropiane, është thelbësore gjithashtu për hir të një partneriteti të shëndoshë transatlantik me SHBA.” (Strategjia Globale e Bashkimit Evropian, për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, qershor 2016)
Një objektiv ambicioz, që nuk duket i shkëputur, por i ndërthurur me një tjetër element, angazhimin për përpilimin e një Libri të Bardhë mbi Mbrojtjen Evropiane. Aktualisht, është duke u përgatitur një Raport mbi Unionin Evropian të Mbrojtjes, qëllimi i të cilit do të jetë bashkëpunim i thelluar në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në BE. Eurodeputeti i Estonisë, Urmas Paet, i ngarkuar për hartimin e tij, ka deklaruar se, ky raport vjen në kohën e duhur, duke kërkuar pozicionime të qarta politike, mbi mënyrën se si do të zhvillohet bashkëpunimi në BE në fushën e mbrojtjes. Sipas Paet, Evropa, duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sa i takon sigurisë dhe kjo duhet të përkthehet nëpërmjet një bashkëpunimi, kontribute buxhetore dhe buxhete të lidhura me mbrojtjen.
Por, çfarë pritet të sjellë ky Raport në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes ?
Hartimi i tij bazohet në një studim paraprak, që e paraqet në tërësi procesin e krijimit të Librit të Bardhë mbi Mbrojtjen Evropiane. Një etapë, që do të mundësojë një progres të dukshëm, drejt një mbrojtje evropiane më solide dhe më të përshtatshme. Në të, pasqyrohen elementët thelbësorë, si objektivat strategjikë, zhvillimi i kapaciteteve të nevojshme, programet dhe masat specifike për përforcimin e këtyre kapaciteteve, si edhe një sintezë propozimesh konkrete, drejtuar çdo institucioni evropian, duke ftuar në veçanti Këshillin Evropian të ngarkojë Përfaqësuesen e Lartë të BE, Federika Mogerini për redaktimin e këtij Libri.
Edhe pse prirja ka qenë e njohur, studimi e konfirmon sërish atë, duke vlerësuar se, përgjigjet evropiane në kontekstin rajonal dhe botëror, ndaj kërcënimeve dhe sfidave janë kryer kryesisht nga vendet anëtare dhe ka shumë pak veprime në bashkëpunim apo të harmonizuara në nivel evropian. Buxheti i Unionit për Mbrojtjen dhe Sigurinë është i kufizuar, sidomos i krahasuar me buxhetin, që i akordohet politikave të tjera dhe bashkëpunimi mes vendeve anëtare, mbi çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes është larg të qenit i mjaftueshëm. Nga ana tjetër, nëse vendet anëtare të Unionit, publikojnë rregullisht Strategji Kombëtare të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, si edhe direktiva operacionale në këto fusha, ky tip dokumenti nuk ekziston në nivel evropian. Ndërkohë që studimi çmon se, çdo shtet apo regjim politik ka nevojë për një strategji për të përballuar problemet e shumta të sigurisë dhe një përshkrim të kapaciteteve të nevojshme për të arritur objektivin e tij strategjik.
Skeleti
Mekanizmi i propozuar ngrihet mbi sugjerime për një Këshill të përhershëm të Ministrave të Mbrojtjes, ku duhet të marrin pjesë të gjithë vendet anëtare të Unionit. Një semestër evropian i përkushtuar mbrojtjes, që duhet të përforcojë përgjegjësinë e vendeve anëtare në raport me angazhimet paraprake, që ato kanë. Këto mbledhje semestrale, duhet të vlerësojnë progresin e kryer në buxhetet kombëtare të mbrojtjes dhe planeve të shpenzimit. Përforcimi evropian në fushën e mbrojtjes do të kërkojë edhe një mbikëqyrje parlamentare të përforcuar. Meqenëse, kjo politikë është një kompetence ekskluzive e vendeve anëtare, sugjerohet përforcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë mes Parlamentit Evropian dhe parlamenteve kombëtarë. Nëse PE do të kërkojë një rol më aktiv atëherë, mund të përforcohet nën/Komisioni i Sigurisë dhe i Mbrojtjes për ta bërë një komision më vete.
Skicimi paraprak sugjeron një seli qendrore operacionale. Partizanët më ambiciozë të mbrojtjes evropiane dëshirojnë instalimin e një selie qendrore në Bruksel, që do t’i mundësojë Unionit të përforcojë zinxhirin e komandimit, duke u mbështetur më shumë mbi kapacitetet e tij operacionalë, se, sa mbi strukturat e fiksuara, apo ato të NATO, me synim kryerjen me efikasitet të misioneve të tij ushtarake. Çka do t’i lejojë gjithashtu Unionit, të sigurojë një planifikim, një komandim dhe një kontroll efikas të operacioneve, në veçanti kur një reagim i përbashkët civil dhe ushtarak imponohet.
Por, a do të krijojë kjo strukturë një përplasje me NATO ?
Sipas studimit, kjo mundësi përjashtohet në mënyrë absolute. Përkundrazi, vlerësohet se NATO dhe SHBA duhet ta mbështesin një përforcim kolektiv të mbrojtjes në BE dhe se, Unioni vazhdon t’i qëndrojë formulimit që parashikojnë traktatet, duke e konsideruar NATO si institucioni kryesor në fushën e mbrojtjes në BE. Çka nënkupton se, do të evitohen dublimet dhe kontradiktat, duke përforcuar njëkohësisht objektivat e NATO. Shmangia e tyre është lehtësisht e mundshme pasi në redaktimin e Librit do të jenë pjesë përbërëse edhe strukturat përfaqësuese të NATO.
Ambicia e një progresi të tillë, do të shtrihet sa në arritjen e konsensusit nga vendet anëtare, një element, që thjeshtëzohet nga pjesëmarrja e tyre aktive në procesin e redaktimit, por edhe nga zhvillimi i kontekstit të krizave të shumëfishta. Momenti gjykohet i duhur për përshpejtimin e tij. pasi Evropa duhet të zhvillojë kapacitetet e saj për t’u përballur me efikasitet me sfidat e reja./im.ta/DITA/
