Konkluzionet e Këshillit Europian, të mbledhur më 6 mars në Bruksel, fokusoheshin mbi kategorizimin në dy faza të sanksioneve përballë Rusisë. Faza e parë, përfshinte pezullimin e bisedimeve bilaterale me Federatën Ruse, mbi çështjen e vizave si edhe bisedimet për një marrëveshje të re. Logjika mbështeste negocimet dhe në rast dështimi në negocime, do të aplikohej faza e dytë, si bllokimi i udhëtimeve, ngrirja e aseteve dhe anulim i Samitit BE-Rusi. Ekzistenca e një faze të tretë, u bë publike nga burime diplomatike të ndryshme, në të cilën specifikoheshin sanksionet: embargo armësh, shtrëngime tregtare dhe masa te tjera, që prekin gjithashtu elitën ruse.
Edhe pse në pamje të parë, vlerësohet se BE dhe SHBA, janë në të njëjtën linjë veprimi, një vëzhgim më në detaje, ekspozon idenë se diplomacitë përkatëse, kanë pasur ‘përplasje në heshtje’ për sa i përket rrugës së zgjedhjes së aplikimit të sanksioneve.
Pozicionimi britanik
Qëndrimi diplomatik britanik, nuk ishte në të njëjtën linjë me qëndrimin amerikan. Pozicionimi u konfirmua paraprakisht edhe nga publikimi i një dokumenti të klasifikuar, vetëm tre ditë para mbledhjes së Këshillit të BE-së. Në dokument specifikohej se:
“Britania mbështet BE-në, për shtrëngimin e vizave/ndalimin e udhëtimeve ndaj zyrtarëve rusë dhe mbështet gjithashtu zhvendosjen e vëzhguesve të OSBE-së dhe/ose të UN (por jo të BE-së) në Krime dhe Ukrainën Lindore”.
“Britania, nuk mbështet për momentin, sanksionet tregtare(..).ose mbylljen e qendrës financiare të Londrës, rusëve”.
Dokumenti vazhdon më tej: “Britania nuk inkurajon, asnjë diskutim mbi (p.sh. NATO) mundësinë e një përgatitje ushtarake”.
Dokumenti ekspozonte qëndrimin e Kamerun, për të mos dëmtuar interesat tregtare dhe financiare britanike, gjatë mbledhjes së Këshillit Europian, që pritej të mbahej, më 6 mars në Bruksel. Ky dokument zyrtar u publikua nga fotografi Steve Back, ndërkohë që mbahej nga një zyrtar britanik, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Pozicionimi i diplomacisë gjermane
Në të njëjtën logjikë argumentuese pozicionohej dhe diplomacia gjermane. Kancelarja gjermane Angela Merkel, në qëndrimin e saj theksoi se, preferonte më tepër zgjidhje diplomatike ndaj krizës ukrainase, se sa aplikimin e sanksioneve të tilla si, ngrirje asetesh, ndalim vizash dhe masa të tjera ndëshkuese. Qeveria e Merkelit është pro bisedimeve direkte me Moskën, si edhe për zhvendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë nga OSBE, e cila mund të ndërtojë fakte në terren me synim sigurimin e Moskës, se e drejta mbi etnikët ruse po zbatohej. Në të njëjtën linjë qëndronte dhe Franca, Holanda dhe Finlanda.
Pavarësisht deklaratave të djeshme të Merkel, mbi një shtrëngim sanksionesh, në rast mos tërheqje të Rusisë, kërcënimet diplomatike verbale, kanë vështirësi konkretizimi praktik, kur bëhet fjalë për gjetjen e një unanimiteti, mes gjithë vendeve anëtare të BE-së.
Qëndrimet e ndryshme mes vendeve anëtare të BE-së, përballë Rusisë, u konfirmuan dhe nga një reagim i djeshëm (14 mars) i ambasadorit ukrainas në BE, Kostyantin Yeliseyev, i cili i bënte thirrje vendeve të BE-së, për unitet. Sipas Yeliseyev, Rusia po vazhdon përshkallëzimin e situatës, sepse nuk ka unitet 100% në BE, pasi disa vende anëtare, hezitojnë të ndërmarrin veprime. Ambasadori, i bënte thirrje gjithashtu vendeve të BE-së, që të rreshtin së menduari për interesat e tyre energjetike dhe tregtare dhe të mbrojnë vlerat evropiane, pasi po flitet për paqe dhe stabilitet në Europë. “Sot është në Ukrainë, nesër mund të jetë diku tjetër”,- deklaroi Yeliseyev.
Sanksionet e dëshiruara amerikane, vlerësohen se burojnë nga një pozicionim më komod, se sa aleati i saj Europian, ku interesat tregtare dhe varësia nga faktori energjetik, përbëjnë një nga shqetësimet kryesore. Ky shqetësim reflektohej dhe në deklaratën ‘siguruese’ nga Komisioni Europian në të cilën theksohej, se BE ka kaluar një dimër të ngrohtë dhe se ka në rezervat e saj, mjaftueshëm gaz për të përmbushur një përqindje të konsiderueshme të nevojave kombëtare. Varësia ndaj faktorit energjetik, i cili ka vlerën e një mjeti presioni ekonomik dhe politik, kufizon ndjeshëm veprimin reagues të BE-së, përballë konfliktit Ukrainas.
Diplomacia dhe lufta eksluzivitet kombëtar
Por, përtej pozicionimeve jo komode kombëtare evropiane, për sa i përket kushtëzimeve energjetike dhe tregtare, fenomeni ka një shtrirje institucionale, që prek thelbin politik funksionues të BE-së.
Bashkimi Europian një organizëm i veçantë në llojin e tij, nuk funksionon në nivel politik, sipas skemave klasike tashmë të njohura në nivel Konfederate apo Federate (si SHBA, Gjermani, Zvicër apo Rusi), në të cilat politika e jashtme është kompetencë ekskluzive federale dhe roli i shteteve të federuara është i limituar.
Ndonëse në një gamë të gjerë të fushave të ndryshme politike, vendet anëtare të BE-së, kanë një mekanizëm vendimmarrje të përbashkët, duke thjeshtëzuar në mënyrë të konsiderueshme ndërtimin e kompromisit, politika e jashtme nuk funksionon sipas këtij realiteti.
Në fushën e politikës së jashtme, ku dominon koncepti i sovranitetit dhe i pavarësisë dhe përparësi marrin interesat historike dhe gjeopolitike të kombeve, loja politike, kërkon mbështetje nga të gjithë vendet anëtare, me institucionet e Brukselit që kanë më tepër një rol thjeshtëzues. Si diplomacia, po ashtu edhe lufta, ngelen një eksluzivitet tërësisht shtetëror dhe vlerësohen si thelb i sovranitetit kombëtar.
Historia e funksionimit të BE-së ka treguar se, sa më shumë dosjet përforcojnë karakterin e tyre politik, aq më shumë thellohen përplasjet ndërshtetërore (lufta në Irak 2003, ndërhyrja ushtarake në Mali 2013, Siria 2013, çështja e Kosovës, në të cilën 5 vende anëtare nuk pranojnë njohjen e saj, pa folur për përplasjet në lidhje me politikat e zgjerimit, etj).
Vizionet politike të vendeve anëtare janë të ndryshme, duke gjeneruar mospërputhje. Franca në princip pro-europiane, insiston mbi sovranitetin dhe pavarësinë në veprimet e saj diplomatike. Britania, pro-atlantiste dhe euroskeptike angazhohet me vështirësi në mekanizmat veprues të BE-së. Gjermania, ndryshe nga dy të parat, është duke projektuar konceptin federalist të BE-së, në të cilën synohet konfigurimi i një Europe politike.
Problematika e mekanizmave institucionalë
Mekanizmat e ndryshme të krijuar ndër vite, që prekin politikën e jashtme të BE-së, janë vlerësuar si joefektive për përmbushjen e plotë të këtij kuadri. CPE (Bashkëpunimi Politik Europian) i krijuar më 1970, me synim zhvillimin e bashkëpunimit ndërqeveritar në fushën e politikës ndërkombëtare, për adoptimin e pozicioneve të përbashkëta, vlerësohet se nuk arriti dot të tejkalohet.
CPE e cila shndërrohet më vonë në PESC (Politika Europiane e Sigurisë së Përbashkët), funksionon me një votim unanim, i cili nuk është vënë asnjëherë në diskutim, për sa kohë nuk ka vullnet për të kaluar në votë me shumicë të cilësuar, për përcaktimin e një politike të jashtme të përbashkët efikase.
PESC, që u fuqizua në përmbajtje dhe me PSDC (Politika e Sigurisë dhe e Mbrojtjes së Përbashkët), ka një kuadër legjislativ që i mundësoi Unionit, të niste edhe disa operacione civile dhe ushtarake në kontinentin evropian dhe në botë që prej vitit 2003. Por, roli i tij, vlerësohet si tejet civil; refuzues për të bërë një luftë; grupet e luftimit funksionojnë vetëm për administrimin e krizave; i kufizuar në varësi ndaj NATO-s, etj. Funksioni gjerësisht civil i PSDC-së, konsiderohet se, fsheh mungesën e vullnetit për një reflektim gjeopolitik dhe gjeoekonomik, mbi rolin e një fuqie evropiane.
Duke mos ekzistuar vullneti i përbashkët politik, as Traktati i Lisbonës, nuk arriti të ndërhyjë në thelbin politik të këtij funksionimi. Konsensusi ndërmjet vendeve anëtare, ka qenë për mos prekje të kësaj pike. Ky thelb politik, ka të bëjë me krijimin e një mekanizmi unifikues, i cili do të bënte të mundur, unifikimin sintetizues efektiv të qëndrimit të vendeve anëtare, në një pozicionim të vetëm. Historiku i krizave dhe konflikteve, ka treguar që preferencat kombëtare kanë përparësi ndaj atyre evropiane. Por, Traktati i Lisbonës mundësoi gjithsesi, krijimin e disa mekanizmave për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes si : krijimi i postit të Presidentit të Këshillit; Zyra e Përfaqësuesit së Lartë të BE-së dhe Zyra e Shërbimit Diplomatik Europian.
Me synim, krijimin e një terreni real funksionues politik, që do të mundësojë fuqizimin e rolit evropian në arenën ndërkombëtare, vjen dhe modeli i ofruar nga Berlini: Europa Federale. Ky propozim, synon konfigurimin e një Europe politike federale, me një afrim gradual në të gjitha fushat politike. Kompetencat shtetërore do të transferohen gradualisht drejt BE-së, e cila do të ketë fjalën e fundit mbi vendet anëtare. Ky konfigurim propozohet vetëm për eurozonën (18 vende anëtare me rreth 320 milionë banorë), sepse vlerësohet, se ka një zhvillim më të integruar, si në planin institucional, po ashtu edhe financiar.
Por, një sërë pikëpyetjesh ngrihen mbi mënyrën, se si mund të funksionojë ky konfigurim: nëse eurozona do të ketë institucionet e saj, çfarë natyre do të ketë politika e jashtme e saj; a mund të lihet jashtë këtij konfigurimi politik dhe ushtarak Britania e Madhe, ndërkohë që po e kundërshton këtë konfigurim dhe krijim paralel institucionesh ?
Konfigurimet e propozuara, ndonëse shfaqen si domosdoshmëri politike për fuqizimin e rolit diplomatik të BE-së, të influencës dhe besueshmërisë së saj, në skenën ndërkombëtare, kjo varet gjerësisht nga konsesusi dhe gjetja e një vullneti politik të përbashkët, që do të përcaktojnë mundësitë reale drejt një Europe federale. Për sa kohë kemi të bëjmë me një vullnet politik të munguar, zëri diplomatik i BE-së, do të përfaqësohet nga përcjellja e interesave kombëtare, që do të dominojnë mbi ato evropianë. Kriza aktuale europiane po riportretizon sërish të njëjtën skemë funksionimi.(im.ta)