Paskal Milo: Sinoptika amerikane dhe angleze pas Luftës II Botërore. Objektivi strategjik i misioneve britanike dhe amerikane në Shqipëri (Pjesa II)

Ornela

Prof. Paskal Milo

(Vijon nga numri i kaluar)

Në kornizën e madhe të Luftës së Dytë Botërore Shqipëria zë një vënd modest. Por interesi që u dëshmua rreth saj nga Fuqitë e Mëdha e ndërluftuese nuk ka qënë një vijë lineare dhe e njëtrajtëshme, por me uljet dhe ngritjet e saj të përcaktuar  nga faktorë strategjikë, të momentit e kalimtarë, nga dobia operative operacionale në teatrin e luftimeve dhe nga skicimet që ishin bërë në projeksionet gjeopolitike të pas Luftës.Fuqitë e Boshtit fashist, Italia dhe Gjermania, respektivisht në vitet e pushtimit të tyre të Shqipërisë kishin objektiva thuajse të njëjta por edhe të diferencuara për nga mjetet dhe format e realizimit të tyre.Edhe Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara Antifashiste, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Sovjetik, herë janë bashkuar e herë janë ndarë në vitet e Luftës për çështjen shqiptare por duke ruajtur disa kolona thelbësore në qëndrimin ndaj saj. Ndarja e thellë në objektivat strategjikë, politikë dhe ideologjike që ekzistonte në aleancën e Kombeve të Bashkuara midis dy fuqive perëndimore, Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe nga njëra anë dhe Bashkimit Sovjetik nga ana tjetër u zbut para rrezikut dhe kërcënimit që vinte nga Boshti fashist. Por ajo në një mënyrë ose tjetër ishte e pranishme dhe manifestohej në shumë drejtime pa kaluar nivelin kritik që rivalitetet strategjike në sfond të ktheheshin në politika konfliktuale të ditës. Tabloja e marrëdhënieve ndëraleate në Kombet e Bashkuara nuk do të ishte realiste në plotësinë e saj në rastin kur ajo do të paraqitej bardhë e zi, nga njëra anë unitet i plotë në objektivat dhe politikat amerikane dhe britanike dhe nga ana tjetër dyshime dhe mosmarrëveshje me politikën dhe strategjinë sovjetike. Asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk ndodh që marrëdhëniet dhe interesat strategjike edhe mes vëndeve demokratike të jenë plotësisht të përputhshme e të përjetshme, aq më tepër ato që quhen të përkohshme e taktika të çastit, politike e diplomatike. Kështu ka ndodhur edhe në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Dokumentet amerikane dhe britanike të kohës e dëshmojnë këtë aspekt real të pranishëm në këto marrëdhënie jo vetëm në teatrin e madh operacional e politik të Luftës por edhe për çështje që mund të jenë konsideruar shumë periferike si Shqipëria.

Studimi krahasues i politikave amerikane e britanike ndaj Shqipërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore nxjerr në dukje të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre. Disa nga çështjet kryesore të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore që nga pushtimi i Shqipërisë deri në çlirimin e saj të ilustruara përmes dokumenteve dëshmojnë dakordësitë por edhe kundërshtitë e politikave dhe të qëndrimeve të të dy Fuqive të Mëdha ndaj saj.

 Qëndrimi ndaj rezistencës së armatosur ne Shqipëri

           Qeveritë amerikane e britanike që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia e Musolinit në 7 prill 1939 kishin çfaqur një interes periferik ndaj saj. Vetëm me hyrjen e Britanisë së Madhe e të Shteteve të Bashkuara në luftë me Italinë ato rritën gradualisht shkallën e interesit për çështjen shqiptare dhe në funksion të nxitjes së rezistencës antifashiste bënë edhe deklaratat e dhjetorit 1942 për Shqipërinë. Nga janari i vitit 1943 mbi bazën e  vendimeve të takimit Ruzvelt – Çurçill të Kazablankës, teatri i luftimeve në Mesdhe morri përparësi në objektivat strategjike aleate. Për rrjedhojë lëvizjet e rezistencës antifashiste në Ballkan, në Jugosllavi, Greqi e Shqipëri, inkurajimi dhe forcimi i tyre u bënë pjesë e kësaj strategjie. 

Qeveritë aleate amerikane e britanike vepruan në Shqipëri në frymën e deklaratave të ministrave të jashtëm të dhjetorit 1942. Amerikanët u njohën britanikëve një rol parësor në Ballkan por edhe në Shqipëri. Janë britanikët ata që dërguan të parët misionet e tyre  të ndërlidhjes në Shqipëri (BLO) dhe në kuadër të tyre njerëz të përgatitur nga Drejtoria e Operacioneve Speciale (SOE – Special Operations Executive) duke filluar nga prilli i vitit 1943.Qeveritë e të dy vëndeve ishin shumë të kujdesshme në formulimin e deklaratave të tyre zyrtare e publike në lidhje me Shqipërinë. Ato ishin neutrale dhe operonin me termat e inkurajimit të rezistencës e të luftës antifashiste për liri e pavarësi, përdorimin e cilësimit të grupeve të ndryshme politiko-ushtarake si «patriotë », etj. Ky qëndrim i kujdesshëm mbahej për të nxitur këto grupime në rezistencë, por pa marrë anën e askujt, sepse në të kundërtën, sipas tyre do të përbënte një ndërhyrje në punët e brëndshme të vëndit dhe do të influenconte  në të ardhmen politike të tij.

Ky ishte qëndrimi parimor, publik në deklarata zyrtare.Por nga shqyrtimi i dokumenteve amerikane e britanike që reflektonin punën e përditshme të institucioneve të qeverive respektive, të Departamentit të Shtetit, Forin Ofis-it e të agjencive të tjera të specializuara të tyre shfaqet një pamje tjetër, analiza, debate, mendime, vendime, urdhëra e sugjerime të cilat reflektojnë thelbin e qëndrimeve e të interesave të këtyre qeverive ndaj zhvillimeve e situatave shqiptare.Deklaratat dhe dokumentet e tjera publike të qeverive amerikane e britanike janë fasada diplomatike e politikave të tyre ndaj çështjes shqiptare që jo gjithnjë përputhej me thelbin e tyre që përpunohej në përditshmëri nga burokracia politike, diplomatike dhe ushtarake e tyre.Disa citime prej dy kategorive të këtyre dokumentave do të paraqiste në një dritë edhe më realiste diplomacinë britanike dhe amerikane ndaj Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore.

Në funksion të nxitjes të rezistencës antifashiste të shqiptarëve kryeministri britanik Çurçill në 4 nëntor 1943 deklaroi në Dhomën e Komuneve se « me mijra guerilas shqiptarë janë tani duke luftuar në malet e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vëndit të tyreNe shpresojmë se shqiptarët në përputhje me traditat e tyre të vjetra luftarake do të japin kontributin e tyre në zhvillimet e ardhshme ushtarake në rajonin e Mesdheut ». Disa muaj më vonë, në maj 1944 po në Dhomën e Komuneve, zëvëndës kryeministri britanik K. Etli (Clement Atlee) në një deklaratë të posaçme vlerësoi vendosmërinë e popullit shqiptar për të kundërshtuar pushtimin e vëndit.Lëvizjen NacionalÇlirimtare e cilësoi si më aktiven mes tre organizatave kryesore të rezistencës antifashiste, kryesisht të majtë, Ballin Kombëtar «si një trup gjerësisht më i organizuar i nacionalizmit shqiptar» si dhe Lëvizjen e Legalitetit të përbërë nga mbështetësit e mbretit Zog dhe të udhëhequr nga major Abas Kupi. Vuri në dukje se «të gjitha këto grupe kanë opinione politike të fuqishme të cilat kanë çuar ndonjëherë në përplasje mes tyre». Në fund Etli bëri thirrje që këto grupe të krijojnë një front të bashkuar të rezistencës kundër armikut.

Qeveria britanike për të mbështetur këtë rezistencë vendosi të dërgoj në Shqipëri misione ushtarake të ndërlidhjes që në prill 1943.Oficerët britanikë të ndërlidhjes u vendosën gradualisht pranë shtabeve politiko- ushtarake  dhe formacioneve të tjera vartëse, kryesisht në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇl e në brigada e divizione partizane, në shtabin e Levizjes së Legalitetit,pranë nacionalistëve të veriut si Muharem Bajraktari e Gani Kryeziu si dhe zhvilluan e ruajtën kontakte deri në fund të Luftës me udhëheqjen e Ballit Kombëtar dhe elementë lokalë të kësaj organizate.

Amerikanët erdhën më vonë në Shqipëri. Por në pikëpamje politike e diplomatike ata ishin shprehur  në mbështetje të rezistencës antifashiste më parë, që në dhjetor 1942 me deklaratën e Sekretarit të Shtetit Hall.Gjatë vitit 1943-1944 u bënë deklarata të tjera publike nga ana e  Departamentit të Shtetit në të cilat u shprehen qartë simpatitë  dhe ndihmesa për luftën antifashiste të shqiptarëve.E tillë ishte deklarata e sekretarit të shtetit Hall e 2 qershorit 1944 sipas të cilës «patriotët shqiptarë kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë, për t’i ndjekur nazistët nga vëndi i tyre.Kjo është një pjesë e luftës së përbashkët, në të cilën ky popull i vendosur mund të jap një kontribut të çmuar… » Në prag të çlirimit të Shqipërisë e me rastin e ditës së pavarësisë së saj, Departamenti i Shtetit nxorri një deklaratë tjetër në 27 nëntor 1944 në të cilën njihej kontributi i popullit shqiptar «në disfatën e armikut të përbashkët me rezistencën e tij kurajoze ndaj agresionit dhe pushtimit të Boshtit».

Ashtu si edhe britanikët më herët, amerikanët vendosën të dërgojnë oficerë të shërbimeve të zbulimit për të gjykuar nga afër e për të marrë informacione nga terreni. Në nëntor 1943 mbëritën në Shqipërinë e jugut tre  përfaqësuesit e parë të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS–it) dhe pas prillit 1944 misioni amerikan u atashua pranë Shtabit  të Përgjithshëm të UNÇl dhe në disa formacione partizane. Në dallim nga misionet britanike, misioni amerikan nuk dërgoi oficerë ndërlidhës as te Balli Kombëtar dhe as te Legaliteti. Por kjo nuk përjashtoi kontakte individuale të njerëzve të OSS –it me përfaqësues të këtyre organizatave.

Misionet britanike dhe amerikane në Shqipëri kishin një objektiv strategjik të përbashkët, të asgjësoheshin sa më shumë forca armike e sidomos gjermane ose të gozhdoheshin ato aty nga forcat e rezistencës antifashiste shqiptare që të mos transferoheshin në  frontin perëndimor të luftimeve kundër forcave britanike dhe amerikane. Britania  dhe Shtetet e Bashkuara kishin edhe një Komandë Aleate të Mesdheut e cila kordinonte veprimet luftarake në fronte të ndryshme, qëndrimet politike përmes zyrave të posaçme të këshilltarëve politikë, e një komitet të posaçëm politik. Shpërndarja e ndihmave e të furnizimeve me armatime, pajisje, ushqime dhe veshje për misionet e tyre në terren por kryesisht për forcat lokale të rezistencës që luftonin kundër pushtuesve bëhej përmes një organizmi të posaçëm ushtarak të njohur me emrin Forca Ajrore e Ballkanit. Furnizimet në armatime, pajisje, veshje dhe ushqime ishin kontribute të përbashkëta të të dy aleatëve por më shumë amerikane.Nënvizimi i këtij fakti bëhet sepse si në kohën e Luftës por edhe më vonë ka ekzistuar një keqkuptim apo edhe  keqinterpretim  herë pa dashje por edhe me dashje se ndihmat që parashutoheshin për partizanët shqiptarë, për forcat e Ballit Kombëtar apo të Legalitetit ishin vetëm britanike.

Të qënurit Aleatë dhe me objektiva strategjike të përbashkëta nuk do të thotë që në kontekstin e përgjithshëm të bashkëpunimit e të kordinimit nuk kishte edhe mosmarrëveshje, rivalitete  e pengesa të ndërsjellta. Ndërkohë që në nivelet e larta ekzekutive e diplomatike të të dy vëndeve ato manifestoheshin me doreza e në terma diplomatike, në rangjet më të ulëta e sidomos  në ato në terren ato manifestoheshin më hapur e më shpesh.Veçanërisht një frymë e tillë ishte në strukturat dhe veprimtarinë e SOE –s dhe të OSS –it. Dokumentet por edhe studjuesit amerikanë e britanikë i konfirmojnë xhelozitë  dhe konkurencën institucionale dhe në teren mes tyre.Që në janar – mars 1943 OSS –i ankohet se britanikët nuk i ndihmonin për transmetimin e mesazheve të saj për krerët e guerileve shqiptare. Shefi i OSS –it në Uashington raportonte në këtë kohë në Departamentin e Shtetit se britanikët janë duke u përpjekur të na mbajnë ne jashtë Shqipërisë përsa u përket aktiviteteve tona të zbulimit» Britanikët nuk i njoftuan amerikanët kur ata dërguan oficerët e parë të ndërlidhjes në Shqipëri në prill 1943. Po këtyre oficerëve nuk u erdhi mirë, madje e quajtën  “një kërcënim publik’’ ardhjen në nëntor të atij viti në bregdetin jugor të Shqipërisë të të dërguarve të parë të OSS – it amerikan në  Shqipëri.       

Qëndrimi britanik krijoi shqetësime në nivel të lartë në Uashington. Shefi i OSS –it në Bari, Harry Fults që drejtonte veprimtarinë e kësaj njësie në Shqipëri u porosit që të përpiqej t’i neutralizonte pakënaqësitë e ndërsjellta.Në prill 1944 ai udhëzonte vartësit e vetë se “marrëdhëniet tona me anglezët duhet të jenë të hapura ashtu si kemi mundur t’i ndërtojmë ato, pavarësisht se me kohë ne mund të kemi konstatuar se ata nuk janë krejtësisht të sinqertë me ne. Marrëdhëniet  tona duhet të jenë të tilla që shqiptarëve në mënyrë të veçantë t’u bëhet e qartë se ne jemi Aleatë dhe që ne jemi duke punuar së bashku. Nëse ata kanë përvojë në teren më shumë se ne, unë mendoj se ne nuk duhet t’u dorëzohemi atyre për gjithçka.Më shumë se kurrë ne duhet të jemi zotër të vetvehtes në raportet me ta, në komunikimet, në shërbimet e fshehta të cilat ne mund të dërgojmë.’’    

(Vijon)

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Share This Article