Prof. Paskal Milo
Botuar në DITA
Amerikanët deri në verën e vitit 1944 ndonëse kishin informacione të mjaftueshme për zhvillimet brënda në Shqipëri ishin shumë të kujdesshëm që të qëndronin sa më neutralë ndaj grupimeve rivale politiko-ushtarake në vënd.Ata rekomandonin bashkimin e tyre në funksion të luftës kundër pushtuesve gjermanë. Ndaj edhe dokumentet amerikane deri në këtë kohë thuajse mungojnë, nuk ka vlerësime të posaçme për secilin prej këtyre grupeve, për natyrën dhe synimet e tyre.Një vlerësim i vetëm i dokumentuar më herët është ai i shkurtit 1944 i shefit të zyrës të OSS-it në Bari, Harry T. Fultz që mbulonte Shqipërinë kur deklaronte se «e vetmja rezistencë ndaj gjermanëve është ajo që po bëhet nga partizanët ».
Në verën e vitit 1944 amerikanët u bindën përfundimisht për nevojën e një diferencimi të qartë në mbnështetje të F.N.Ç. Balli Kombëtar nuk përmendet as edhe me emër në dokumentet diplomatike amerikane ndër kohë që Abas Kupi i Legalitetit është i pranishëm në to. Dhe një qëndrim i tillë jo pa arsye. Në Departamentin e Shtetit qarkullonte mendimi se Balli Kombëtar «tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe është kaq shumë i lidhur me qeverinë kuislinge saqë është pothuajse e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis të dyve ».Pak më vonë, në fillim të tetorit 1944, qëndrimi i Departamentit të Shtetit bëhet më i ashpër kur në një studim të tij çmohet se Balli Kombëtar dhe shumë ish fytyra të mirënjohura të politike « janë të përlyer me kolaboracionizëm. Ata do të jenë zero politike në sytë e popullit ».
Legaliteti
Lëvizja e Legalitetit e formuar si organizatë politike dhe ushtarake në vjeshtë të vitit 1943 u ngjiz e tërhoqi vëmëndjen rreth dy figurave politike : mbretit Zog në emigracion dhe Abas Kupit si pasuesi i tij në Shqipëri. Zogu jashtë vëndit vazhdonte ende të konsiderohej si një kartë rezervë për të ardhmen por pa shumë shpresa. Abas Kupi me një të kaluar antifashiste dhe antiitaliane shihej nga britanikët si një alternativë përballë FNÇ ose të paktën si një faktor frenues i tij në luftën për pushtetin e ardhshëm. Oficerë nga më të mirët e SOE –s ( Meklin, Smajli, Emeri, Kemp, etj) u atashuan pranë Kupit edhe për shkak të bindjeve të tyre konservatore dhe i dhanë një mbështetje jo të vogël.Kemp e konsideronte “një patriot të vërtetë me influencë të konsiderueshme”. Dokumente të tjera britanike të viteve të Luftës njohin meritën e tij që në bashkëpunim me disa oficerë britanikë e shqiptarë të tjerë u përpoq të organizonte rezistencën kundër pushtuesve italianë në vitin 1941.Por përtej këtij vlerësimi në Forin Ofis në fund të Luftës mendonin se ishte “pothuajse e sigurt se ai përfundimisht ndihmoi ose të paktën nuk pengoi gjermanët në fushatën e tyre të fundit kundër F.N.Ç në 1944”.
Amerikanët nuk patën lidhje me Abas Kupin. Ata e gjykonin dhe e vështronin nga larg, në fillim me syzet britanike por më vonë në pavarësi të plotë prej tyre. Deri në korrik 1944 ata nuk kishin mbajtur qëndrime të tyre zyrtare ndaj tij.Kur në qershor – korrik u shfaq projekti i bashkëpunimit midis F.N.Ç dhe Legalitetit me sponsorizim të fortë britanik, sekretari i Departamentit të Shtetit, Hall u deklarua se “favorizojmë një marrëveshje jo politike midis Kupit dhe L.N.Ç për veprim të përbashkët kundër gjermanëve”. Në korrik u diskutua edhe për një takim të mundshëm në Bari me ndërmjetësim të aleatëve midis Abas Kupit dhe Enver Hoxhës. Por kryetari i Legalitetit nuk u tregua bashkëpunues, u përpoq si përherë që të qëndronte mes aleatëve dhe gjermanëve.Në verë 1944 ai ishte plotësisht i angazhuar për të krijuar qeverinë e re kolaboracioniste me në krye aleatin e tij Fiqiri Dine.Kjo qeveri nuk mund të krijohej pa pëlqimin e autoriteteve pushtuese gjermane.Në gusht në Departamentin e Shtetit u arrit në përfundimin se partia e Legalitetit “është kompromentuar seriozisht nga mosdashja e saj për të luftuar gjermanët dhe nga marrëdhëniet e saj intime me qeverinë kuislinge”. Po i njëjti mesazh arriti në këtë kohë në Uashington edhe nga këshilltari politik amerikan Mërfi (Murphy) në Komandën e Forcave Aleate të Mesdheut i cili shkruante për Kupin se tani është “duke marrë mbështetje gjermane në formën e transportit të municioneve dhe të furnizimeve ushqimore” dhe se “ka evidencë në rritje se ai është duke bashkëpunuar me gjermanët”.
Në fillim të shtatorit 1944, Harry Fultz raportonte në zyrat qëndrore të OSS-it se Abas Kupit i është dhënë më shumë rëndësi nga sa meriton, se “Kupi nuk është politikan.Ai ka një reputacion ushtarak të fryrë por aftësi të pakët ushtarake si një organizator ose teknicien…”. Kupi nuk e justifikoi besimin dhe mbështetjen e madhe të SOE –s. Ai e kompromentoi vehten me bashkëpunimin e fshehtë por “edhe të dukshëm me gjermanët. Faktet ishin të shumta dhe përpjekjet e Meklinit, Smajlit etj për ta tërhequr qoftë edhe në akte simbolike lufte kundër gjermanëve dështuan.
Armiku i Kupit nuk ishin gjermanët por Divizioni i parë partizan që po depërtonte për në veri të Shqipërisë dhe që rrezikonte zhdukjen e tij si faktor tradicional influence në zonën Krujë – Mat.Ai bëri të shurdhër veshin ndaj këmbënguljes britanike për t’u hedhur në veprime simbolike kundër gjermanëve dhe vuri në pozitë të vështirë edhe aleatët e mbështetësit e tij Meklin dhe Smajli. Kupi e mbushi kupën. Londra urdhëroi në fund të shtatorit 1944 tërheqjen e oficerëve të ndërlidhjes prej tij. Amerikanët ishin me kohë të mendimit se Kupi ishte thjeshtë humbje kohe për kauzën aleate.
Sinoptika aleate për pushtetin e ardhshëm
Politika britanike dhe amerikane duke ndjekur dinamikën e rezistencës antifashiste në Shqipëri dhe të aktorëve kryesorë të saj, në verën e vitit 1944 u ndodhën para nevojës për të mbajtur një qëndrim të ri ose një rishikim të pjesshëm të saj.F.N.Ç kishte krijuar qeverinë e përkohshme në Përmet që në muajin maj dhe kërkoi njohjen e saj nga aleatët.Gjithashtu pasi përballoi ofensivën gjermane të qershorit, forcat e U.N.Çl kaluan në një ofensivë në veri të Shqipërisë.Britanikët dhe më pak amerikanët u përpoqën nga njëra anë të frenonin e të mbanin nën kontroll ofensivën partizane në veri por nga ana tjetër bënë një përpjekje të fundit e të zgjatur për të nxitur Ballin Kombëtar e Legalitetin për t’u aktivizuar kundër gjermanëve.Në 5 qershor 1944 në Përmet, në takimin me misionin britanik, Enver Hoxha kishte pranuar që në rastin kur Abas Kupi do të jepte prova konkrete të disa veprimeve luftarake kundër gjermanëve, F.N. Çl do të ishte i gatshëm që të bashkëpunonte me të.
Britanikët refuzuan ta njohin qeverinë e përkohshme të Përmetit dhe po kështu edhe amerikanët.Ata ushtruan presion mbi Enver Hoxhën përmes Komandës Aleate të Mesdheut duke e kërcënuar edhe me ndërprerjen e furnizimeve ushtarake për të mos vazhduar operacionet në veri të vëndit me frikën e shpërthimit të luftës civile.Tensionet duket sikur u fashitën në fund të korrikut e fillim të gushtit kur një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Ç u ftua në Bari dhe bisedoi me përfaqësues të Komandës Aleate dhe u nënshkruan edhe disa marrëveshje.Por marrëveshjet nuk u respektuan.Balli Kombëtar dhe Legaliteti u përpoqën të fitonin kohë dhe siç do të pohohej më vonë edhe në Forin Ofis “u bë e qartë se ata më shumë synonin të luftonin organizatën komuniste të F.N.Ç se sa tu rezistonin gjermanëve” dhe meqënëse “disa prej grupeve të Ballit Kombëtar bashkëpunonin me gjermanët ne tërhoqëm mbështetjen tonë prej tyre dhe ja dhamë atë të gjithë F.N.Ç”.
Në fund të shtatorit – fillim i tetorit 1944 britanikët dhe amerikanët të zhgënjyer përfundimisht nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti vendosën të largohen nga politika mëdyshëse që u ishte imponuar ose që ata shpresonin se do të ishte më e dobishme për të ardhmen e Shqipërisë.Është mëse e drejtë mënyra se si gjykuan e vepruan deri në atë kohë. Por ata patën iluzione dhe e kuptuan vonë se Balli Kombëtar e Legaliteti e donin fitoren në tavolinë dhe se në emër të antikomunizmit të tyre atë do tua sillnin britanikët dhe amerikanët.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kishin bërë aleancë me Rusinë e Stalinit dhe kishte arritur marrëveshje të mëdha historike duke shpresuar një botë më të mirë në paqe e pa luftra.Ato nuk ushqenin asnjë iluzion se do të ndryshonte natyra e regjimit sovjetik pas Luftës.Ndonëse Shqipëria nuk kishte asnjë peshë e rol parësor në Luftë, ato respektuan ata që luftuan kundër armiqëve të përbashkët, ndonëse mund të mos ishin dakort me bindjet e tyre politike.Shpresuan se në rrugë e sipër do të mund të ndikonin e ta ndryshonin Shqipërinë.
Në fund të shtatorit –fillim të tetorit politika britanike dhe amerikane ndaj Shqipërisë morri kthesën. Forin Ofis pasi ka diskutuar gjatë përcaktoi politikën e ardhshme ndaj Shqipërisë. Në dokumentin britanik të 2 tetorit 1944 shprehimisht thuhej se “interesat tona në Shqipëri janë absolutisht të kufizuara por sigurisht nuk dëshirojmë ta shohim vëndin të kalojë në orbitën ruse. Ne duhet megjithatë të synojmë në forcimin e pozitës tonë në F.N.Ç tani me qëllim që pas Lufte ne mund të jemi në gjëndje të influencojmë qeverinë e F.NÇ”.
Britanikët ishin kontradiktorë.Nga njëra anë kërkojnë të ndikojnë në rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme në Shqipëri dhe nga ana tjetër nuk njihnin qeverinë e përkohshme të Përmetit.Madje Forin Ofis dëshmoi dritëshkurtësi në vlerësimin e situatës në vënd kur në dokumentin e mësipërm përmëndte edhe rikthimin e mbretit Zog si një alternativë e mundshme në rastin e dështimit të qeverisë së F.N.Ç.3 Anëtarë të misioneve britanike në Shqipëri në këtë kohë paralajmëronin që “sa më shpejtë që të jepet njohja zyrtare F.N.Ç, qeverisë hije, aq më të mundshme do ta ketë Qeveria e Madhërisë së Tij të jetë e aftë që të rrit influencën e saj mbi të”. Gjatë gjithë muajit tetor 1944 në Forin Ofis u rrahën mendime pro dhe kundër për çështjen e njohjes në fillim të qeverisë së përkohshme të Përmetit dhe pasi u formua edhe të qeverisë që doli nga mbledhja e II-të e Këshillit të Përgjithshëm të F.N.Ç në Berat në 20 tetor.Një pikëpamje ishte ajo e këshilltarit politik britanik në Kazerta Broad, sipas të cilit “ne duhet të lemë F.N. Ç të vijë te ne dhe jo të përpiqemi të konkurojmë me qeverinë sovjetike në këtë fazë… ne nuk kemi interesa britanike për të mbrojtur në Shqipëri” dhe “ne nuk do t’i përmirësojmë punët duke vrapuar pas Enver Hoxhës”. Forin Ofis nuk u pajtua me këtë qasje për F.N.Ç por i kthehu përgjigje Broad-it se “është e rëndësishme që ne duhet të përpiqemi për të vendosur një farë shkalle influence mbi të… se ne mund të rrezikojmë duke pritur për të që të vij te ne”.
Britanikët informuan amerikanët për këtë qasje të tyre dhe kërkuan të ecej me të njëjtin hap.Departamenti i Shtetit vetë ishte në dilemë në çështjen e njohjes të qeverisë shqiptare të përkohshme.Një studim i tij i fillimit të tetorit paraqiste 16 argumente për mos njohjen e saj dhe 20 argumente në favor të saj. Qëndrimin zyrtar amerikan për këtë çështje në 5 tetor e shprehu sekretari i shtetit Hall i cili udhëzonte se pas tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria, kushtet do të bëjnë të mundur “formimin e shpejtë të një qeverie të përkohshme përfaqësuese të gjërë në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar”.Uashingtoni dhe Londra u konsultuan edhe për një ftesë të mundshme të Enver Hoxhës në Itali për të biseduar me gjeneralin Willson por vetëm për çështje ushtarake.Amerikanët ishin të bindur se Enver Hoxha në rradhë të parë ishte i interesuar për çështjen e njohjes së qeverisë së tij dhe të furnizimeve ushtarake dhe vështirë të pranonte të vinte pa i vendosur në tavolinë ato.Këto dyshime çuan në përfundimin se ftesa për Hoxhën ishte e papërshtatshme të bëhej në këtë kohë.
Ende pa u çliruar vendi në Londër ishte konsoliduar mendimi se qeveria e re shqiptare e sapo formuar në Berat ishte e dominuar nga komunistët.Anëtarët e kësaj qeverie ishin të njohur mirë nga misionet britanike në Shqipëri dhe kishin patur mundësinë të dërgonin në Bari por edhe në Forin Ofis informacione të detajuara rreth tyre.Për dy apo tre prej tyre nënvizohej një ndjenjë pro britanike por për shumicën me në krye Enver Hoxhën nuk vihej në dyshim orientimi i tyre pro sovjetik.Ky vleresim mbizotëroi në Forin Ofis në gjykimin edhe të kërkesës që kryetari i qeverisë së re shqiptare Enver Hoxha u kishte bërë qeverive të të tre Fuqive të Mëdha, Shteteve
të Bashkuara, Britanisë së Madhe e Bashkimit Sovjetik por edhe qeverive të vëndeve të tjera për njohje.
Qeveria britanike edhe në tetor-nëntor 1944 vazhdoi të nënvizoj përparësinë e interesave të saj në Shqipëri në raport me Fuqitë e tjera të Mëdha.Njëkohësisht i njihte vehtes dhe të drejtën për të thënë fjalën e para për çështjet shqiptare pavarësisht se shprehej për “interesa shumë të kufizuara” në këtë vënd.Mbi këtë bazë ajo në fillim të nëntorit 1944 iu drejtua qeverive të Shteteve të bashkuara e të Bashkimit Sovjetik rreth kërkesës për njohje që kishte bërë qeveria shqiptare. Duke e vlerësuar situatën në Shqipëri konfuze, qeveria britanike propozonte që të mos njihej qeveria e përkohshme e dalë nga F.N.Ç.
Departamenti i Shtetit nuk u ngut që të kthente përgjigje veç pas gati tre javësh.Ishte një përgjigje e studjuar dhe e argumentuar dhe që bënte diferencë me qëndrimin britanik.Në thelb Departamenti i Shtetit bashkohej me propozimin e Forin Ofis-it për të mos i dhënë njohje qeverisë së re shqiptare.Por nuk qëndroi me kaq, e la të hapur njohjen “në një të ardhme jo të largët”, në momentin kur autoritetet qeverisëse shqiptare do të kenë kontrollin de facto të vëndit.Njohja de jure do të mund të bëhej atëherë kur qeveria shqiptare do të demonstronte se “ajo është jo-fashiste në karakter, se ajo ka vendosur autoritetin e saj në të gjithë vëndin, se ajo përfaqëson vullnetin e popullit dhe është e përgatitur të plotësoj detyrimet e saj ndërkombëtare”.
Shqipëria në fund të vitit 1944 ndodhej mes optimizmit që ngjalli çlirimi i vëndit nga pushtimi nazi – fashist dhe dilemave të orientimit për të ardhmen e saj.Politika britanike dhe amerikane nuk u befasuan nga tendencat prosovjetike të fitimtarëve të luftës në Shqipëri.Ato gjykuan në mënyrë klasike se qeverisja e re komuniste do të lejonte hapësira demokratike për alternativa të tjera politike dhe se do të mund të ndikonin që vëndi të mos rrëshqiste përfundimisht në orbitën sovjetike.Por u gabuan dhe përgjegjësia e tyre qëndron mes vullnetit e kompromisit për të lënë Shqipërinë në anën sovjetike të ndarjes së sferave të influencës dhe injorimit që i bënë duke nënvlerësuar rëndësinë e saj.
Studjues shqiptarë por edhe të huaj në këto afro 30 vitet e fundit janë përqëndruar me përparësi në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.Kjo ka ndodhur jo për shkak të peshës e të rolit që pati Shqipëria në fatet e Luftës së Dytë Botërore e në fitoren mbi fashizmin.Motivi kryesisht është nxitur për katër arsye:e para se Shqipëria ishte ndër vëndet e para që u pushtua nga fashizmi, e dyta se pas verës së vitit 1943 ajo u bë një objekt i rëndësishëm strategjik për fuqitë ndërluftuese për zotërimin e Ballkanit, e treta se lufta e armatosur antifashiste e shqiptarëve ishte nga më të avancuarat e më efektive në Ballkan e në Evropë dhe e katërta se Shqipëria u çlirua pa ndërhyrjen e ushtrive të huaja nga pushtimi fashist.
Vijon numrin e ardhshëm
Një material të lidhur me temën mund ta klikoni KËTU
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
