Pazari i radhës nisi dje

redaktor

Nga Bedri Islami

Opozita e kreu dje në mesditë protestën e radhës. Më shumë se sa për ndjekësit e saj, ajo dërgoi mesazhet që donte drejt shefit të qeverisë. Si asnjëherë tjetër, nuk u mor as me Rilindjen në pushtet dhe as me qeverisjet vendore. E gjithë protesta kishte vetëm një lejtmotiv të artikuluar përherë e më ashpër: largimin e Edi Ramës.

Pritej përgjigjja e shefit të qeverisë. Ajo vonoi pak, por nuk mungoi. Ai gjeti rrjetet sociale dhe këtë herë i la shpotitë e zakonshme. Foli shumë, por në thelb ofroi diçka që deri më tani nuk e kishte artikuluar; gjithsesi të pritshme për ata që e njohin kurbën shumëpolare të reagimeve kryeministrore: “bashkëpunim” me opozitën.

I gjithë ky teatër të kujton prillin dhe majin e vitit 2017. Deri në pikëzime. Kohë para zgjedhjeve politike. Protestë e opozitës. Një çadër në mesin e bulevardit. Shefi i qeverisë rigjen momentin të bëjë ironinë e rastit. Çadra shpall “Republikën e re”. Shefi i qeverisë i qesëndis më tej. Basha, i ngeshëm, shkon dy herë në ditë tek çadra e tij dhe bën kërcënimet e zakonshme. Pret sinjalin nga aleati i tij i nesërm, LSI, që fillimisht nuk vjen i qartë. Gjithkush ka pazarin e tij ndërsa kanë zënë prej fyti vendin dhe po ia marrin frymën. Pastaj…

Vjen nata e 17-18 Majit dhe Shqipëria zgjohet me një qeveri gjysëm gjel e gjysëm pulë, ku shefi i qeverisë ka mbajtur postin e tij dhe gjysmën më të rëndësishme ia ka dhënë të pandëshkuarve, sëbashku me 15 milionë euro për xhepin e familjes Basha për prishjen e një pallati, vlera e të cilit, edhe nëse do ishte shitur i gjithi, nuk e kap kurrë as çerekun e kësaj shifre në fitime.

Tani po përsëritet e njëjta skenë.  Prag zgjedhjesh. Protesta. Kërcënime lufte. Pragu i kompletimit të reformës në Drejtësi. Përbetime serioze. Ultimatume të shkallës më të lartë. Gojët që i shpallin janë të mykura nga korrupsioni, nga vrasjet dhe shit-blerjet. Basha kërcënon se godina kryeministrore do të mbetet e bllokuar deri sa Rama të ikë, por, befas, pas pesë orësh jep urdhërin, “Shkoni në shtëpi”. Pret një kasnec nga Rama. Në vend të tij Rama dërgon fotot nga mitingu gjysëm elektoral e gjysëm pushtetor i Vlorës.

Një përgjigje aspak e pritur mirë dhe hakmarrja nuk vonon. Pas 12 orësh: do të djegim mandatet. Rama sërish ka dorën e parë të përbuzjes: nuk e kanë seriozisht, nuk i djegin. Përsëri përgjigjja nuk është ajo e pritura. Protesta dhe dorëzim mandatesh. Dhe mbrëmë erdhi edhe përgjigjja e Edi Ramës. Njëlloj si 19 muaj më parë.

Në fillim qurravitje me hallin e  madh që e paska zënë duke qeverisur plot “sakrifica” personale e familjare këtë vend të mallkuar. Pastaj gjasme pranim të gabimeve me lojën e zakonshme të fjalëve “shumë kemi bërë, nuk i kemi bërë të gjitha, po do bëjmë më shumë”  për të dalë tek “ne jemi më të mirë se të tjerët” etj. Shkurt, llogjet e zakonshme, për të ardhur në fund tek aryeja e vërtetë e daljes publike: “Jemi gati të ulemi dhe të dialogojmë me opozitën” Duke shtuar se “opozitën nuk e zgjedhim, thjeshtë e pranojmë pa kushte dhe përpiqemi t’i krijojmë kushtet që të kontribuojë sa më shumë”.

E më pas, me të shpejtë diçka nga e cila gjithsesi do heqi dorë ca më pas: “Nuk do flitet për “ndryshimin e qeverisë”, as për “ndërprerjen e një mandati legjitim qeverisës”. Një pazar i ri mes vijuesit të traditës së korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, me ata që duhej të ishin tashmë të ndëshkuar është çështje kohe.

Në fakt kjo është një lojë e ulët vrasëse e moralit të shoqërisë, vrasëse e shpresës dhe e perceptimit për shtet ligjor të së drejtës. Një hipokrizi që vazhdon prej vitesh.

Askush nuk i ka bërë më shumë dëm vendit se sa kjo klasë e dërmuar politike, e zhvlerësuar nga mendja, e egërsuar nga era e pushtetit, e marrosur kur vjen në pushtet, vrasëse dhe grabitëse, që gjithnjë thirret në emrin e popullit.

Mjerë populli për ju!

 

Share This Article