Vjetërsia e punës dhe mospërfshirja në veprimtari ekonomike si punësuar, punëdhënës ose i vetëpunësuar, janë dy kushtet që duhen përmbushur për të siguruar pension të reduktuar pleqërie.
Përfitim ky që jepet për të gjithë të siguruarit deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension. Kështu, nëse për arsye të ndryshme nuk prisni dot arritjen e moshës së përcaktuar për pensionin e plotë të pleqërisë, ju mund të kërkoni daljen në pension të reduktuar.
Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, çka do të thotë se masa e këtij pensioni nuk mund të ndryshojë pasi ju të arrini moshën e daljes në pension të plotë.
Sa i takon procedurës së llogaritjes së masës mujore të pagesave që përfitohen në këtë rast, ekspertët sqarojnë se: “Pensioni i reduktuar i pleqërisë, llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë, shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, të ligjit për sigurimet shoqërore në fuqi, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë rast është 0,6 për qind në muaj.
Sikundër ndodh me të gjitha llojet e tjera të pensioneve dhe të ardhurave, edhe përfitimet e reduktuara indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.
Kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të siguruar këtë lloj përfitimi duhet të paraqiten dhe administrohen në sportelet e shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin përkatës. Por, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, tashmë aplikimet për sigurimin e pensionit mund të bëhen online në portalin E-albania, duke shmangur kështu rrezikun e infektimit, po ashtu edhe procedurat dhe radhët e pritjes pranë sporteleve të sigurimeve shoqërore.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës të sigurimeve, pensionet caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota e të sakta për pension. Pas marrjes së vendimit të caktimit të masës së pensionit, përfituesi ka të drejtë të aplikojë për rishqyrtim pensioni për të dorëzuar dokumentacion shtesë, për një masë më të lartë përftimi, ose për zgjatjen e afatit të përfitimit për pensionet invaliditetit, familjare dhe suplementar të parakohshëm. Gjithashtu, vendimi për ndryshimin e pensionit merret edhe pa kërkesën e të interesuarit, për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm, si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave.
