Për kë punojnë disa deputetë evropianë ?

redaktor

Funksioni i deputetëve evropianë është i lidhur ngushtësisht me interesin e qytetarëve, që i kanë zgjedhur dhe deleguar në këtë funksion. Nëse funksioni për të cilin janë zgjedhur, dhe veprimet e tyre bien ndesh me interesin e përgjithshëm të qytetarëve, apo i vendosin në dyshim këto të fundit, atëherë hyjmë në fushën e një konflikti të fortë interesi. Çfarë tregon raporti i fundit mbi aktivitetet e disa deputetëve evropianë, dhe çfarë pyetjesh ngrihen pas këtyre fakteve ?

Raporti i fundit i Aleancës për transparencën e lobimit dhe kodit të etikës (Alter-EU), ka shënjestruar si të dyshuar 9 deputetë evropianë, që përveç funksionit të eurodeputetit mbajnë edhe funksione të larta në ndërmarrje apo shoqatash ndërmarrjesh, që lobojnë direkt ose indirekt legjislatorët e BE-së, mbi dosjet aktuale të legjislativit.

Ndër to, spikat eurodeputeti belg Guy Verhofstadt, një politikan karriere dhe ish kryeministër i Belgjikës (1999-2008). Me një elokuencë dhe oratori që tërheqin vëmendjen, Verhofstadt, do të dallohej për fjalimin e tij, gjatë seancës parlamentare në lidhje me krizën greke, ku ishte i ftuar edhe kryeministri grek Tsipras. Një fjalim mbresëlënës, për nga mënyra e shprehjes së shqetësimit mbi të ardhmen e popullit grek dhe zgjidhjes së krizës.

Por, pas publikimit të këtij raporti, ku Verhofstadt shfaqet në një konflikt interesi teksa punon dhe paguhet nga dy shoqëri private, e përditshmja belge Le Soir, do të shtronte pyetjen, nëse  Verhofstadt përgjatë asaj seance parlamentare mbi krizën greke, po shprehte shqetësimin e tij të thellë ndaj popullit grek, apo ishte i shqetësuar mbi dy shoqëritë Exmar dhe Sofina, në të cilën është administrator me pagë, dhe që synojnë të përfitojnë nga privatizimi i sektorit energjetik grek ?! Në të njëjtën linjë konflikti të fortë interesi, por në drejtime te ndryshme, shfaqen dhe 8 eurodeputetët e tjerë në raport.

Korruptimi

Lobimi është një mekanizëm ligjor dhe pjesë integrale e sistemit politik të BE-së. Ky mekanizëm është i nevojshëm për mirëfunksionimin e institucioneve të saj, duke bërë të mundur penetrimin në këto institucione, të informacioneve të nevojshme.

Studime të thelluara, informacione ekspertësh, apo vëzhgime të hollësishme, që në pamundësi të rrjetit mbulues institucional, janë të rëndësishme për të kuptuar edhe këndvështrime të ndryshme të preferencave publike.

Pra, ky influencim, duhet të jetë i një karakteri informues dhe i dobishëm për palët në proces.

Por, ky lobim nuk mund të përfshijë një shpërblim material, financiar apo këmbim të çfarëdolloj tjetër favori. Pasi pikërisht këtu fillon rrëshqitja drejt një terreni të paligjshëm. Nëse ofrohen para, përfitime financiare apo objekte të karaktereve të ndryshme me vlerë materiale, etj. këtu hyjmë në fushën e korrupsionit.

Ky kufi është shumë i hollë, dhe duke qenë i hollë ka tendencë të çojë të ligjshmen në një takim me të paligjshmen.

Pra, lobimi nën skemën e ligjshme demokratike për të influencuar në procesin e vendimmarrjes, mund të kryqëzohet edhe me korrupsionin politik.

Rasti flagrant në Parlamentin Evropian (2011), ku tre eurodeputetë pranuan të merrnin shuma të majme, në shkëmbim të futjes së amendamenteve për zbutjen e legjislacionit mbi reformimin bankar, dëshmon mbi këtë kufi të ndjeshëm. Gazetarët britanikë të The Sunday Times, të maskuar si lobistë banke, arritën të kontaktojnë rreth 60 eurodeputetë, duke tentuar t’i ofrojnë shuma parash në këmbim të paraqitjes së amendamenteve për hartimin e legjislacionit të BE-së. Tre prej tyre ranë në kurth. Ndër to edhe austriaku Ernst Strasser, deputet i PPE-së, si edhe ish Ministër i Brendshëm i Austrisë, i cili u gjet fajtor për akuzën e “marrjes së ryshfetit” dhe dëmit të madh që i kishte shkaktuar demokracisë së BE-së.

Por, Strasser nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar, pasi deklaratat e tij në mbështetje të qeverisë së kaluar dhe ish kreut të saj, kanë qenë haptazi të njëanshme.

Lobim pro Partisë dhe kundër Demokracisë

Skema e mësipërme, dhe kufiri i hollë që ndan lobimin nga korruptimi, komplikohet edhe më tej, pasi transparenca është thuajse e pamundur.

Le t’i kthehemi skenës politike kombëtare, ku shpeshherë akte dhe veprime të dyshimta dhe aspak demokratike vrapojnë në kërkim të  “legjitimitetit evropian”, për t’u pajisur me një hije rëndese të pagabueshmërisë demokratike evropiane.

Në këtë pozicionim të njëanshëm, absurd dhe të pashpjegueshëm janë renditur kohë pas kohe, edhe një sërë parlamentarësh evropianë, ndër to më të spikaturit Doris Pak, apo Zhozef Dol.

Në momentet më delikate që ka kaluar vendi, pozicionimi i eurodeputetëve të caktuar, nuk ka qenë aspak në shërbim të interesave demokratike të vendit, por në shërbim të interesave individuale.

Pas vrasjeve të 21 janarit 2011, ish-Kreu i PPE-së, Zhozef Dol do të deklaronte në krah të ish-kryeministrit të vendit se, ai arriti të ndalte gjakderdhjen, duke e konsideruar liderin e opozitës, një të sëmurë:

“ …Të falënderoj për gjithë punën, që ke bërë për të ndaluar gjakderdhjen. Ti ke të drejtë, dhe unë e di që ne kemi kaluar disa netë pa gjumë, së bashku me kryetarin socialist, që disa thonë se, ndoshta është pak i sëmurë. Me Martin Shulc dhe bashkë me ty, në sajin tënd, ne kemi arritur të ruajmë shumë jetë njerëzore dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Meqenëse ti ke dhënë këtë kontribut për vendin tënd, ti i meriton këto duartrokitje….(…)”

Edhe deklarata e fundit e kreut të Komisionit të Jashtëm parlamentar, Elmar Brok, i PPE-së, pas zgjedhjeve lokale të zhvilluara në vend, ishte jo vetëm e njëanshme, por kalonte çdo cak të etikës dhe ligjshmërisë demokratike.

“Unë mendoj se, raporti paraprak i ODIHR-it është i jashtëzakonshëm. Nëse gjysma e atyre që shkruhen aty janë të vërteta, atëherë mund të themi se pati një falsifikim madhor të këtyre zgjedhjeve dhe unë do ta përfshij këtë raport të hënën para Komitetit të Jashtëm. Në Komitetin e Jashtëm do të jap informacionin ndaj anëtarëve dhe të shohim sesi do të shkojë, sepse ka shumë manipulim të zgjedhjeve. Unë jam shumë i shqetësuar, por pavarësisht kësaj, partia e Edi Ramës humbi 20 % të votave. Kjo është drejtësi”.

Argumentet, që përdoren rëndom për të justifikuar këtë njëanshmëri të verbër, lidhen me përkatësinë partiake dhe mbrojtjen me çdo kusht të nënbijave të saj, në vendet përkatëse.

Por, a mund të jetë i justifikueshëm në sytë e parlamentarëve evropianë, lobimi qorrazi pro partisë dhe kundër demokracisë ? A mund të justifikojë ideali partiak shkeljen, dëmtimin dhe përligjjen e dhunimit të demokracisë ? Si mund të mbrohet partia, po u dhunua demokracia ?

Logjika e ka të vështirë të pranojë këto argumente, dhe në pamundësi të këtij pranimi logjik, hapësirat detyrimisht hapen drejt sferave të tjera të influencës. Sfera, që jo vetëm rrotullohen në një mungesë tërësore transparence, por në këtë rrotullim, mbase edhe mund të kenë shansin të përplasen me konfirmimin e së vërtetës, mbi dëmin e madh, që i kanë shkaktuar demokracisë dhe parimeve bazë të saj./im.ta/

Share This Article