Për një mik, për një koleg si Dhimitër Shtëmbari 

Ornela

Në 75 vjetorin e lindjes

Nga Bashkim Koçi

Cili është “rrugëtari” 75 vjeçar Dhimitër Shtëmbari? Ai u lind në fshatin Pirrë të Lushnjes më 24 Shtator të vitit 1945 nga dy prindër myzeqarë, të cilët përpos thjeshtësisë, ndershmërisë dhe vendosmërisë për ta përballuar jetën me djersën e ballit, kishin si “pronë” të patjetërsueshme, të trashëguar në breza njerëzish, atdhedashurinë dhe qëndresën në anë të progresit në të gjitha kthesat kur vendoseshin fatet e kombit. Por Dhimitri, veç “pasurisë” shpirtërore e morale të “faluar” nga prindërit, e paskësh ndirë fati që të vinte në jetë në muajin shtator që, sipas një studimi serioz, njerëzit e lindur në shtator janë më të mençur dhe më të talentuar, se ata që kanë lindur në muajt e tjerë të vitit. Por këtë le ta shikojmë, duke ndjekur hap pas hapi e vit pas viti “udhën” plot ngjarje që e shoqëruan atë gjatë formimit si njeri e që ishte i pasionuar pas shkollimit e dëshirës për marë dituri.

Shkollën fillore dhe atë 7-vjeçare i përfundoi në fshatrat aty pranë Pirrës, në Rrapes e Gorre. Ishin vite kur ai konsiderohej “letër e pashkruar”, shumë kureshtar dhe i vëmendshëm për të përvetësuar lëndët mësimore. Falë kësaj këmbnguljeje për të qenë nxënës i zellshëm, ai i përbylli shkollat fillestare me vlerësim maksimal, me nota të shkëlqyera. Por, siç dihet e thuhet, për çdo fëmijë ka gjithmonë një çast kur hapet porta dhe që lë të hyjë e ardhmja. Për Dhimitër Shtëmbarin ky çast ishte dhënia e të drejtës për shkollim, për mësuesi, pranë shkollës pedagogjike dyvjeçare “Ndrecë Ndue Gjoka” në Tiranë (1960-1962) por, si diçka e mbetur përgjysmë, iu desh që ciklin e plortë ta mbaronte  në shkollën pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” të Beratit.

Pedagogjikja e Beratit ishte shkollë me emër, nga më të mirat në vend, nga ku kanë dalë jo vetëm mësues me emër të dëgjuar për formim intelektual e profesional, por edhe krijues, gazetarë e shkrimtarë të shquar e që, njëri nga këta, do të ishte edhe Dhimitër Shtëmbari. Sigurisht kryeqyteti, Tirana, në ata vite ishte djepi i dijes dhe i formimit të rinisë studentore.  Për arsyen e thjeshtë: ishte qëndra e progresit dhe e përparimit. Ngado që të ktheheshe, të dilte përpara Biblioteka, Teatri Popullor, veprimtaritë kombëtare të sportit e të kulturës, të gjitha. Universitetin studenti Dhimitër Shtëmbari e përfundoi në vitin 1969. Sigurisht, shkëlqyeshëm.

Por ëndrra e Dhimitër Shtëmbrit nuk paskej mbaruar. Udhëtimi i tij synonte t’i kapërcente kufijt, të mund të kontribonte, pse jo, edhe në ndonjë organ të shtypit në Kryeqytet, në Tiranë. Nuk thonë kot që fati është në krahun e atij që punon ndershmërisht, të atij që i ngjit shkallët e suksesit me forcat e tij. Për koiçidencë ishte prap muaji korrik, por këtë radhë  ai i vitit 1987,  kur i erdhi emërimi për të punuar si redaktor në gazetën “Tirana”, organ që mbulonte si i tillë kryeqytetin, Tiranën. Sigurisht, përgjegjësia në këtë rast ishte shumë më e madhe. Ku gazeta “Shkëndia” e ku gazeta “Tirana”! Por  edhe për një fakt tjetër. Tashmë lexuesit ishin të një prerje tjetër, më me qibër, që kishin kërkesa për shkrime të nivelit të lartë, që të përmbushnin formimit kulturor e shpirtëror të tyre, ashtu siç mund të ishin lexuesit e kryeqytetit.  Në këtë kuptim ai do t’i thërriste mëndjes, por edhe ndërgjegjes si inttelektual për të qenë shumë më i matur në zgjedhjen e fjalës për të qëndruar në barazpeshë me lexuesin e kualifikuar.

Viti 1991, atëherë kur filluan zhvillimet e proceseve demokratike në vend Dhimitër Shtëmbari ishte në rreshtat e para të atyre që përkrahën ndryshimet. Në këtë sens ai kurrë, asnjëherë nuk u bë pjesë e atyre që  “çdo gjë” e kthyen në “asgjë”. Përkundrazi, skena të tilla ai, ashtu si çdo gazetar i ndershëm e me karakter, i përjetoi me dhimbje. Ishte koha që të bënte lëvizjet e duhura, për të mos e bërë me baltë figurën e tij si gazetar profesionist. Dhe si njeri i kompletuar, e gjeti qetësinë për të themeluar gazetën  “ALBANIA”, organ i Partisë Ekologjike dhe që të ishte edhe kryeredaktor i saj. Por edhe aty, për shkak të vështirësive financiare, nuk i gjeti shpirti rehat. Ai ishte idealist, nuk mund të pranonte drejtimin që po merrte shoqëria shqiptare, e për më shumë braktisja që po u bëhej shtresave në nevojë, të qytetit dhe të fshatit. Ishte viti 1992, ku me një grup intelektualësh shpirtlënduar, krijuan një gazetë të re, “Jehona”, e cila kishte orjentim bindjesh të majta.

Gazetari Dhimitër Shtëmbari ishte dhe mbetet nga ata gazetarë që nuk  bën dredha në rrugën që ka nisur. Madje nuk ka patur as mundësi që dikush t’ja rrezikojë drejtimin. Nëse ai në fillimet e proceseve demokratike u lëndua shumë sepse, siç edhe e thamë pak më sipër, “çdo gjë” u kthye në “asgjë”,  ai nuk mund të bënte “pazar”,  madje nuk mund ta imagjinonte hedhjen poshtë të ca vlerave të shenjta siç ishte Lufta Nacionalçlirimtare, gjaku i dëshmorëve të Atdheut, të asaj pasurie që e bënte Shqipërinë të mbante kokën lart para botës së qytetëruar. Jo, për këtë ai nuk mund të pajtohej kurrë. Ndaj një ditë vendosi të kontribonte në këtë front delikat. Në pozicionin e sekretarit të kolegjumit të gazetës , por edhe si gazetar, në gazetën emërmirë “Kushtrim Brezash”, bashkë me shokët, u arrit të mbaheshin lart e të ruaheshin vlerat e Luftës NÇ, por edhe të veteranëve, të atyre që u përballën dhe sakrifikuan në atë luftë. Vite më pas kreu edhe detuyrën e z/Kryeredaktorit, e cela zgjati deri në vitin  2010. Bilanci i 17 viteve në këtë gazetë ishte vërtet i pasur dhe e bukur, por edhe e mundimëshme.

Është e dhimbshme për t’i thënë “lamtumirë” një profesioni, e sidomos atij të gazetarit.  Por Dhimitër Shtëmbari pasi u largua nga “Kushtrim Brezash” e gjeti shumë shpejtë “melhemin” për të mos e përjetuar ndjesinë e braktisjes së punës si gazetar,  me të cilën ka vendosur ta  “ngrys” jetën ashtu si e ka menduar. Po çfarë bëri dhe si veproi ai për të mos u ndjerë keq kur kujtonte momentet e mira të së kaluarës? Thjesht, punoi si gazetar. Vitet 2010-2018 mbajti detyrën si Kryeredaktor i gazetës “Fjala e invalidëve të LANÇ”, organ i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ. Paralelisht punonte edhe me gazetën “Peza”, organ i Shoqatës Patriotike Kulturore “Myslim Peza” ( 2001- 2019).  Në gazetat që përmendëm ai gjeti veten, gjeti mundësinë për të trajtuar tema e probleme që ia donte zemra. Vetëm nga kjo dashuri për profesionin dhe të çështjeve që trajton, mundësoi që t’i  bënte tribuna të përcielljes të traditave patriotike.  Po jo vetëm kaq.  Ai shkruan e shkruan pa u ndjerë, me mendimin që nesër, pasnesër, pas shumë vitesh, emrin dhe punën të mund t’ja gjejnë jo vetëm në gazeta, por edhe nëpër libra. Deri tani Dhimitër Shtëmbari ka botuar 12 tituj libtash, nga të cilët dëshiroj të sjell disa prej tyre si “Qytete të përgjakura”, “Plagë të kohës sonë”, “Kënga e jetës fitoi mbi vallen e vdekjes”, “Lule gjaku”. “Kohë dhimbjesh”, “Me gjuhën e plagëve”,  “Shenjtorët e punës”,  “IKONA në murin e kohës” si dhe dy monografi që u kushtohen luftëtarëve të Luftës NÇ. Në këtë punë volumnoze gjendet edhe puna si redaktor i mbi 160 librave, nga ata për fëmijë e deri në libra historikë.

Thuhet se koha i ndryshon gjërat, por në realitet, nëse njeriu vendos të ndjek kohën, duhet t’i ndryshosh ti vetë. Gazetari Dhimitër Shtëmbari iu përshtat rrjedhës së kohës sepse guxoi të ndryshonte. Sigurisht jo në karakter. Nga kjo pikpamje ai mbeti ai që ishte, i vendosur dhe i virtytshëm, duke përciellë tek ne të tjerët cilësi e vlera të çmuara. Janë këto cilësi e vlera të spikatura që ai të nderohet me urdhëra e medalje. Ai është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhërin “Naim Frasghëri i Klait të II”.  Dhimitër Shtëmbarit  gëzon titujt “Nderi i Organizatës së Vetëranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar”, “Nderi  Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar” dhe “Nderi i Shoqatës Patriotike Kulturore “Myslim Peza””. Po për këto kontribute e arritje në punën si gazetar ai është shpallur “Qytetar Nderi i Lushnjes” dhe  “Nderi i Qarkut të Fierit”.

Nëse dikush kërkon të kontaktojë me Dhimitër Shtëmbarin tani për tani ka këtë adresë: Në Arkivin e Shtetit. Punon për të na gëzuar me botime të tjera.

 

 

 

 

 

 

Share This Article