Përmbytjet e ditëve të fundit, më tepër se sa tërbimin natyror të pakontrollueshëm, kanë ekspozuar fenomenin e mungesës në kohë të strukturave shtetërore, apo e thënë shqip papërgjegjshmërinë qeverisëse. Kjo është njëra anë e problemit. Por, në fatkeqësi të tilla ekspozohen dhe elementë të rëndësishëm për një popull dhe një komb, siç janë solidariteti dhe humanizmi. Jo shumë larg, në maj 2014, përmbytje të tilla ndonëse në përmasa më të mëdha njohën edhe Serbia dhe Bosnja. Por, shembujt e humanizmit dhe solidaritetit popullor arritën të pushtojnë faqet e shtypit evropian.
Humanizmi dhe moraliteti
Kriza të tilla sigurisht që kërkojnë një organizim dhe menaxhim të solidaritetit, në ndihmë të situatave emergjente. Organizim që mbart një aspekt shtetëror. Në kuptimin që çdo organizim ka nevojë për një strukturim dhe hierarki, në mënyrë që të jetë efikas. Nga njëra anë kemi menaxhim të centralizuar të kërkesës për ndihmë dhe solidaritet, dhe nga ana tjetër mbulim të koordinuar si edhe financiar të strukturave të kapacitetit vullnetar (ekipet vullnetare në terren logjistika për strehimin e tyre, etj).
Por, përgjegjshmëria shtetërore për organizim dhe menaxhim të solidaritetit, është vetëm njëra anë e situatës. Nga ana tjetër, kemi edhe një kuadër humanizmi popullor, i cili nuk ka kohë të presë organizimin dhe zbarkimin e strukturave shtetërore në terren, por vepron i pari. Vepron në bazë të një humanizmi, si forma primare e një instinkti natyral, por gjithashtu vepron edhe në emër të një morali, i cili përfaqëson vlerat dhe virtytet historike të një kombi. Pikërisht në këto momente ku historia edhe shënohet.
Ndryshe nga panorama e solidaritetit popullor shqiptar, një tjetër panoramë në kushte pak a shumë të ngjashme, u ekspozua jo shumë larg saj, në Serbi dhe në Bosnjë.
Katastrofa dhe përmbytjet e majit 2014 në Serbi dhe në Bosnjë, tërhoqën vëmendjen e shtypit evropian mbi solidaritetin e paimagjinueshëm popullor, që po ndodhte.
Ndonëse armiq, përgjatë luftërave 1992-’95 dhe të përçarë nën ambicien nacionaliste që prej fundit të konfliktit, Myslimanë, Serbë dhe Kroatë thyen barrierat mes tyre në emër të një humanizmi solidar.
Pa asnjë organizim shtetëror, pjesëtarë të këtyre komuniteteve krijuan një bazë momentale ushqimore dhe objekte të tjera emergjente, dhe shkuan tek armiqtë e tyre në kohë lufte, për t’i shpëtuar dhe ndihmuar të parët:
“U sollëm ujë, qumësht, çarçafë, çizme plastike. Ishim të parët, që u erdhëm në ndihmë….” “Ato u shokuan……… por, ishte një veprim thjesht natyral. Gjatë luftës ne kemi qenë ushtri kundërshtare, por lufta është një gjë, që i përket të shkuarës…” (dëshmi e një myslimani boshnjak, marrë nga shtypi europian)
“Sinqerisht, nuk e prisja një solidaritet të tillë. Na pritën, na sollën për të ngrënë dhe veshmbathje……..për mendimin tim është një pikë kthese në marrëdhëniet mes tre komuniteteve. Mendoj se ky solidaritet do të kontribuojë fuqishëm për rikthimin e besimit mes popujve, që kanë luftuar njëri me tjetrin” (dëshmi e një ish luftëtari mysliman, marrë nga shtypi europian)
Solidaritet dhe organizim popullor të lartë njohu edhe Serbia. Jehonë në shtypin evropian pati edhe roli i Diasporës serbe, sidomos në Francë, ku organizimet në bashkëpunim me komunitetin serb, kishën ortodokse dhe shoqatat humanitare, ishin tepër të fuqishme.
Solidariteti Evropian
Rasti i përmbytjeve në Serbi dhe në Bosnjë në vitin 2014, ekspozoi për herë të parë për rajonin, mekanizmin efikas të Mbrojtjes Civile në nivel evropian. Si Serbia, por edhe Bosnja arritën të përfitonin një ndihmë të koordinuar nga BE, nëpërmjet këtij mekanizmi.
Vetëm disa orë pasi Serbia kishte bërë kërkesën për ndihmë urgjente në ERCC (Qendra e Koordinimit të Reagimit të Urgjencës) të Komisionit Europian, ajo merr direkt përgjigje pozitive nga ana e Bullgarisë, Gjermanisë, Sllovenisë dhe Austrisë. Dhe vetëm 36 orë pas apelit të saj të parë për ndihmë, numri i shteteve që i propozonin ndihmën e tyre shkon në dhjetë, Republika Çeke, Franca, Kroacia, Lituania, Letonia dhe Estonia iu bashkëngjitën kësaj ndihme (në nivel teknik: helikopterë, barka shpëtimi, pompa thithëse uji me kapacitet të lartë, pajisje të ndryshme dhe ekipe ekspertësh, etj). Brenda 48 orësh, solidariteti shkoi në 14 shtete evropiane.
Ndaj kërkesës së Bosnjës reaguan menjëherë Sllovenia, Austria, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Sllovakia, Belgjika dhe Gjermania. Bosnjës iu akordua edhe një ndihmë shtesë nga mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së, pasi situata në vend po përkeqësohej më tej. Qendra e koordinimit të reagimit të urgjencës, dërgoi në mënyrë urgjente kërkesën e Bosnjës, shteteve anëtare (për pompa uji, gjeneratorë, çadra, aparatura tharje, të sistemit të pastrimit të ujit, aparatura ngrohje me gaz për çadrat si edhe artikuj higjene).
Mekanizmi i mbrojtjes civile, thjeshtëzon bashkëpunimin në fushën e parandalimit të katastrofave, si edhe përgatit reagimin ndaj tyre. Mekanizmi funksionon midis 32 shteteve (BE-28 +Maqedoninë, Islandën, Lihtenshtajni dhe Norvegjinë).
Ndihma financiare
Menjëherë pas daljes nga kriza e përmbytjeve, BE akordon një ndihmë prej 65 milionë euro, për të menaxhuar pasojat e katastrofës natyrore. Pra, përveç ndihmave humanitare në terren, 65 milionë euro u caktua për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
Nga kjo shifër, 3 milionë euro ndihmë humanitare u mobilizuan për të ndihmuar popullatën në nevojë në dy vendet (kujdes shëndetësor, ndihma e parë dhe strehim). Prioritet iu dha furnizimit me ujë të pijshëm, artikujve emergjentë (batanije, jorganë, aparatura tharje, etj). Ndërsa pjesa tjetër e shumës, pra 62 milionë euro, shkoi për rehabilitimin e banesave, ndihmave urgjente afatshkurtra dhe afatmesme në zonat e përmbytura, mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, si shkollat apo shërbimet sociale si edhe për financimin e pajisjeve kryesore të destinuara për t’i mundësuar ndërmarrjeve dhe aktiviteteve agrikulturore të rifillojnë sërish aktivitetin e tyre.
Qeveria shqiptare tashmë e ka deklaruar kërkesën për ndihmë pranë institucioneve përkatëse të BE-së. Ndihmë që konsiston në dy faza, ndihmë emergjente fillimisht dhe ndihmë financiare në një moment të dytë, pas vlerësimit të dëmeve dhe rikuperimit të mundshëm të tyre. Por, ndërsa pritet një përgjigje solidariteti nga ana e vendeve të BE-së, vëmendja sigurisht që shkon drejt solidaritetit të munguar popullor shqiptar. Humanizmi ka treguar se edhe në rrethana transformuese dhe asgjësuese ai ka mbijetuar. Rasti i Bosnjës, duhet të shërbejë si një model për të kuptuar se edhe kur masakrohesh, torturohesh, vritesh dhe asgjësohesh, humanizmi arrin të mbijetojë si vlerë e patjetërsueshme e një identiteti njerëzor, popullor dhe kombëtar. Historia është aty, ajo shkruhet dhe lexohet edhe kur pretendohet, se nuk shikohet ! /im.ta/
