Po ç’bëre kështu more Kameron… Ç’do ndodhë tani mes BE dhe Britanisë

redaktor

Është barrë shumë e rëndë politike, por mbi të gjitha morale, të aktivizosh një mekanizëm që rrezikon të ndryshojë kursin historik të vendit. Aq më tepër, kur edhe vetë personalisht dhe politikisht nuk e dëshiron aspak këtë ndryshim! Kjo ndodhi me Kameron! Krejtësisht e padobishme! E panevojshme ! Si i tillë u vlerësua insistimi për të mbajtur një referendum, ndërkohë që kërkesat ishin tashmë të plotësuara nga Brukseli. Por, me sa duket epërsia dhe fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme të 2015-s, krijuan iluzionin e gabuar se do të shkohej drejt fitores së radhës, me ambicie për të fituar edhe kartën e dominimit brenda fraksioneve partiake.

Çfarë pritet të ndodhë tani ?

Fillimisht kemi një skemë të qartë operimi në nivel evropian, që pritej të aktivizohej, pas rezultatit të mundshëm për dalje. Duke filluar nga sigurimi i tregjeve, ku pritet një komunikim i Bankës Qendrore Evropiane për sigurimin e tregjeve dhe të mjedisit ekonomik që në orët e para të mëngjesit të sotëm. BQE kishte deklaruar paraprakisht se ishte gati për përballimin e çdo të papriture, si do që të ishte rezultati.

Drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së, do të shprehen pas mbledhjes së përbashkët ( Juncker-Tusk-Schulz) për të ofruar panoramën e perspektivës së projektit evropian. Ka një peshë që duhet të anojë sa mbi vizionin e një të ardhme, por edhe përqendrim drejt një mesazhi të unifikuar për evitimin e çdo tentative të mundshme të një efekti zinxhir.

Paraprakisht kreu i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk është shprehur publikisht me një mesazh të fortë për Evropën e së ardhmes, për bashkim dhe shmangie të reagimeve histerike. “Çka nuk të vret të bën më të fortë ”, ka deklaruar Tusk duke nënkuptuar se, kjo dramë do të shndërrohet në forcë dhe vizion për të ardhmen.

Kemi një mbledhje të Ministrave të punëve të Jashtme të 6 vendeve themeluese të Unionit (Francë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Itali dhe Luksemburg) që do të zhvillohet të shtunën në Gjermani (ende jo e konfirmuar). Pritet një impuls publik i çiftit franko-gjerman, me qëllim krijimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen. Platforma paraprake, që pritet të konkretizohet është Evropa e dy kategorive, ku njëra do të ketë opsione më të thelluara që çojnë drejt politikave të përbashkëta të një fryme thuajse federale. Një sërë mbledhjesh do të organizohen nga Parlamenti Evropian mes shefave të grupeve politike, ku pritet dhe një seancë e jashtëzakonshme, ndoshta javën e ardhshme. Komisionerët evropianë (28) pritet të mblidhen të hënën për të filluar vënien në jetë të një procedure, që pritet të lajmërohet për t’u nisur.

Procedura e daljes

Pas daljes së rezultatit përfundimtar, britanikët duhet të interpretojnë rezultatin e dalë nga vota si edhe t’a përkthejnë atë politikisht përpara Unionit.

Juridikisht, fokusi i zgjidhjes së ngërçit politik ka profilizuar dy opsione: dalje automatike si edhe dalje e “pjesshme”.

Opsioni i daljes automatike, angazhohet nën aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, që parashikon procedurën e negocimit për dalje. Një negocim që zgjat dy vite, deri në daljen e plotë të vendit nga BE. Por, aktivizimi i këtij neni duhet të kërkohet nga pala britanike, e cila edhe mund ta shtyjë atë në kohë, duke u përpjekur të ndërmarrë ndonjë lëvizje strategjike, si periudhë e nevojshme për reflektim. Nëse vendos të aktivizojë nenin 50, atëherë fillon procedura e negocimit për dalje dhe vetëm pasi mbyllet kjo fazë, Britania e Madhe mund të kërkojë negocim për marrëdhënien që dëshiron me Unionin. Por, çdo lloj marrëdhënie e re që ajo do të kërkojë, si tregtare, qasje në tregun e përbashkët, etj, duhet të ratifikohet nga çdo shtet anëtar i BE-së. Ekspertët e fushës e vlerësojnë këtë fazë, si një etapë që mund të zgjasë përafërsisht deri në 10 vite.

Ndërkohë paralelisht me opsionin e parë, jo rastësisht kemi edhe qarkullimin e një opsioni të dytë. Një opsion, që eviton krizën për Unionin, duke mos e lënë Britaninë të shkëputet tërësisht nga BE. Ky opsion përfshin revokim të Aktit të vitit 1972 mbi aderimin në Komunitetin Evropian, që imponon superioritet të legjislacionit evropian mbi legjislacionin britanik. Një opsion interesant, pasi e zhvesh Britaninë nga detyrimi ligjor i BE-së, por që vlerësohet se përmban një risk, atë të efektit domino me vendet e tjera dhe krijimit të një kaosi në Union.

Praktikisht

Praktika ndryshon në kuptimin që kjo fushë nuk është e njohur dhe e përdorur ndonjëherë. Çka nënkupton se nuk ka një afat preciz se kur qeveria britanike do t’i dërgojë komunikimin e saj zyrtar Unionit. Nëse rezultati i referendumit vlerësohet si i “ngushtë”, rruga është e hapur për një rekurs. Pra, mund të pritet për një pozicionim përfundimtar të qeverisë britanike. Pasi, nuk është e qartë se ç’strategji do të përzgjedhë qeveria britanike për operim, nëse do të pranojë rezultatin dhe do të vijojë me procedurën formale, apo do të kërkojë hapësira për manovrim strategjik. Kush do e marrë përsipër barrën e “rëndë” të nënshkrimit të aktit zyrtar të daljes së vendit nga BE ? A duhet të kalohet nga Parlamenti për legjitimim përfundimtar të  verdiktit popullor?!

Gjithçka pritej të qartësohej me daljen publike të Kameron, ku do të shikohej edhe orientimi i afërt juridik dhe politik mbi zgjidhjen më të përshtatshme. Por, Kamerun sapo është komunikuar se ka dhënë dorëheqjen. Çka nënkupton se ka hequr nga supet barrën morale të nxjerrjes së vendit zyrtarisht nga BE. Zhvillime të reja pritet të qartësojnë në vijim pozicionimin e palës britanike./im.ta/DITA/

Share This Article