Në njëqind gradë më valon gjaku,
dhe mes acarit-suferinës,
nëse do isha Maratonomaku,
tani do isha pranë Athinës!
Gati në fund të rrugëtimit,
në ankth pret turma e trazuar,
po unë në kulm të stërmundimit,
s’kam asnjë lajm sot për t’u çuar!.
S’ju them dot:”Luftën e fituam!,
mposhtëm armikun gjakatar,
vatanin dot nuk e çliruam!”,
e lamë më keq se dhe më parë!
Në tokë keq do përpëlitem,
mes turmës në një heshtje varri,
si nga rrufeja do goditem,
s’do vijë një engjëll të më marri!
Shumë kohë nuk më kishte mbetur,
i thoshja vetes :”Dhe pak-dhe pak!”,
doja-i lodhur e i tretur,
të isha Maratonomak!
Desha tani në zgrip të jetës,
të isha unë lajmëtari,
por ah-për hir të së vërtetës,
nuk sjell dot lajme fitimtari!
S’e fsheh aspak rjedhën e lotit,
s’ka asnjë shpresë për ne fatzinjtë,
se prapë Tempullin e Zotit,
e kanë pllakosur fajdexhinjtë!
Një jetë të tërë në vijë të parë,
unë kam bërë vetëm luftëtarin,
ndaj është një barrë e përmbi barrë,
të bëj tani dhe lajmëtarin!
Në fakt unë fantazova pak,
se këmbët ende s’i kam tundur,
të bëhem një Maratonomak,
është një mision krejt i pamundur!
Nuk ka beteja madhështore,
nuk ka gjëmime dhe tërmet,
ndaj s’kam mesazh për një fitore,
dhe as një turmë që më pret!
Po ne e bëmë luftën tonë,
një jetë të tërë u ndezëm flak’,
por humbjen kur provon gjithmonë,
nuk duhet Maratonomak!
Ne ecëm vetëm nga e mira,
po s’qe një ecje fare kot,
se qe e thellë errësira,
gjithë rrugët nuk i hapëm dot!
Nuk ndenjëm kurrë-po vetëm ecëm,
lamë gjurmë që kërkojnë lirinë,
dhe fiks aty ku neve ngecëm,
të ecin brezata që do vinë!
Kjo është një luftë që s’mbaron kurrë,
ata më trimat s’janë dorëzuar,
s’thonë dot për mua që s’jam burré,
të paktën unë e kam provuar!
Të paktën unë e kam provuar,
sa isha gjallë gjithë këto vite,
për luftëtarët e vonuar,
mbrapa kam lëné një gjurmé drite!
Piketat mirë i kam fiksuar,
drejt edhe drejt pa një zig-zak,
do ketë për luftën e fituar,
një tjetër Maratonomak!
Po nuk do ikim zëmërthyer,
asnjë betejë nuk na ka trëmbur,
dhe historia ka treguar,
çdo tirani me turp është shëmbur!.
Beteja për Lirinë s’mbaron,
se është betejë shekullore,
dhe për fitoren nuk mjafton,
një jetë e shkurtër njerëzore!
Do ikim ne-do vijnë të tjerë,
më trima dhe me më talent,
ne për ata do lemë përherë,
një zjarr të ndezur-testament!
Armiqtë e lirisë janë,
më të këqijtë në histori,
ndaj gjoksi ynë gjëmon kambanë,
Liri-Liri dhe veç Liri!
A.DUKA
