Që me ardhjen në pushtet të ultra konservatorëve të djathtë në Poloni, një sërë ndryshimesh legjislative kanë tërhequr vëmendjen e Bashkimit Evropian. Këtë të mërkurë, diskutimet në Kolegjin e Komisionerëve kanë çuar në nisjen e një procedure vlerësimi, në kuadrin e sundimit të ligjit në Poloni. Por, çfarë po ndodh aktualisht dhe a po ndjek qeveria e re polake shembullin e drejtuesit të shumëpërfolur hungarez Viktor Orban ?
Sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore mbi të cilën është ngritur Bashkimi Evropian. Komisioni përtej detyrës të tij për të siguruar sundimin e ligjit, është gjithashtu përgjegjës së bashku me Parlamentin Evropian, Shtetet Anëtare dhe Këshillin, të garantojë vlerat themelore të Unionit.
Më 11 mars 2014, Komisioni Evropian adoptoi një kuadër të ri për adresimin e kërcënimeve sistemike të Sundimit të Ligjit. Kuadri krijon një mjet që lejon Komisionin të hyjë në dialog me shtetin anëtar në fjalë për të parandaluar një përshkallëzim të kërcënimit sistemik të sundimit të ligjit, që mund të çojë në një risk të qartë të një thyerje serioze, që mund të sjellë si pasojë aktivizimin e nenit 7 të Traktatit të BE-së (pezullim të të drejtës së votës në Këshill).
Kjo kornizë ligjore e sundimit të ligjit ka tre faza. Përgjatë fazës së parë, Komisioni mbledh dhe shqyrton informacionet përkatëse dhe vlerëson nëse ka indicie të qarta të një kërcënimi të vazhdueshë të sundimit të ligjit. Në rast se po, atëherë Komisioni nis një dialog me shtetin anëtar duke dërguar një opinion mbi sundimin e ligjit, ku shpreh edhe shqetësimet e tij.
Në një fazë të dytë, nëse çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të kënaqshme, Komisioni mund të dalë me “rekomandime mbi sundimin e ligjit” të adresuara shtetit anëtar, duke i rekomanduar atij zgjidhjen e problemeve të identifikuara, në një periudhë të caktuar kohore si edhe të informojë Komisionin për hapat që do të ndërmarrë në këtë drejtim.
Në fazën e tretë, Komisioni monitoron ndjekjen e rekomandimeve nga shteti anëtar. Nëse nuk ka rezultate pozitive, përgjatë periudhës së caktuar atëherë kalohet në fazën e procedurës, që përfshin angazhimin e nenit 7 të Traktatit të BE-së. I gjithë procesi, është i bazuar në një dialog të vazhdueshëm ndërmjet Komisionit dhe Shtetit Anëtar. Komisioni mban të informuar përgjatë gjithë kësaj procedure Parlamentin dhe Këshillin.
Ngjarjet e fundit në Poloni, në veçanti problematika ligjore dhe politike, që lidhet me përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, ka ngritur shqetësimin e respektimit të sundimit të ligjit. Komisioni ka kërkuar si rrjedhojë informacion mbi situatën, që lidhet me Gjykatën Kushtetuese dhe mbi ndryshimet ligjore, që prekin sistemin e mediave. Sot, Kolegji mbajti debatin e parë mbi zhvillimet e fundit në Poloni, në vazhdën e prezantimit të kësaj situate nga tre komisionerët përgjegjës për kuadrin e sundimit të ligjit, politikave të medias dhe të fushës së drejtësisë.
Çfarë ka ndodhur në Poloni ?
Në fakt, qeveria e kaluar vetëm dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme, që u zhvilluan më 25 tetor 2015, nominoi 5 gjyqtarë të cilët do të emëroheshin më pas nga Presidenti i Republikës si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Por, me ndërrimin e qeverisë dhe me ardhjen në pushtet të konservatorëve të djathtë, gjithçka ndryshoi. Qeveria e re, me procedurë të përshpejtuar amendoi ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese, duke hapur shtegun për heqjen e 5 gjyqtarëve të caktuar nga qeveria e kaluar, duke emëruar në këtë mënyrë 5 gjyqtarët e saj të rinj. Ndryshimet e tjera, që prekin Gjykatën Kushtetuese lidhen me shkurtimin e mandatit të Presidentit të kësaj gjykate, si edhe të zëvendësit të tij (nga 9 në 3 vite) duke mundësuar në këtë mënyrë përshpejtimin automatik të mbarimit të mandatit të tyre.
Ndryshimet e mësipërme ligjore u ankimuan në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi se, “Legjislatura e kaluar kishte kompetencat për nominimin e tre gjykatësve, por nuk duhej të kryente nominimin e dy gjykatësve, të cilët duhet të nominoheshin nga legjislatura e re.” Duke vendosur njëkohësisht se, “Legjislatura e re nuk ka kompetenca për të anuluar emërimet mbi nominimet e tre gjyqtarëve, që kreu legjislatura e kaluar, por ka kompetenca të caktojë dy gjyqtarë mandati i të cilëve fillon me legjislaturën e re”. Gjykata Kushtetuese shpalli gjithashtu të pavlefshëm, shkurtimin e kohëzgjatjes së mandatit të Presidentit dhe zv. Presidentit të Gjykatës Kushtetuese.
Pasojat e këtyre vendimeve janë se, Presidenti i Republikës është i detyruar të emërojë tre gjykatësit e nominuar nga legjislatura e mëparshme. Gjithsesi, Presidenti i Republikës, ka emëruar tashmë 5 gjyqtarët e nominuar nga legjislatura e re. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk janë implementuar dhe përbërja korrekte e Gjykatës ngelet e diskutueshme ndërmjet institucioneve të shtetit.
Përveç ndryshimeve të mësipërme ligjore, qeveria e re ka ndryshuar edhe rregullat mbi funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë më të vështirë që Gjykata të shpallë si antikushtetuese vendime të ndryshme, kjo nëpërmjet rritjes së numrit të gjykatësve që shqyrtojnë çështjet, por edhe duke ndryshuar mënyrën e votimit për refuzimin e vendimeve, nga votim me shumicë të thjeshtë, në votim me 2/3.
Ndërsa për sa i përket shqetësimit që lidhet me mediat, ligjet e reja të miratuara, ndryshojnë rregullat për caktimin e bordeve menaxhuese dhe mbikëqyrëse, duke i vënë ato nën kontrollin e qeverisë dhe jo organizmave të pavarur.
Situata e mësipërme ka krijuar një shqetësim të vazhdueshëm për BE-në, që kërkon respektim dhe zbatim të sundimit të ligjit. Deri më tani, qeveria polake ka ofruar shpjegimet e saj mbi situatën e shumëpërfolur. Por, këto shpjegime shfaqin sa acarimin e qeverisë, por edhe mbështetjen në argumente, që i ikin frymës ligjore. Së pari, qeveria polake ka shprehur indinjatën e saj, që në vend të kanaleve zyrtarë të komunikimit mbi shqetësimet përballë Polonisë, Unioni Evropian, ka përdorur mediat dhe kryesisht shtypin gjerman. Së dyti, qeveria polake shprehet e çuditur se si ky shqetësim i ngritur në lidhje me emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte i tillë, ndaj qeverisë që la pushtetin, që i emëroi gjyqtarët përpara mbarimit të mandatit të tyre. Ndërsa në lidhje me ndryshimet në sferën e kontrollit mediatik, qeveria polake shprehet se nuk ka asnjë ligj evropian që parashikon se duhet të jetë një organ rregullator i medias, që duhet të mbajë pushtetin e emërimit në ndërmarrjet publike të medieve.
Rasti polak ndonëse në fillimet e problematikës së tij në fushën e sundimit të ligjit duhet theksuar se është ende larg nivelit, që ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë Hungaria në të gjitha aspektet e drejtimit shtetëror. Por, ka një dallim, pasi nëse Hungaria ka shkuar shumë larg në mos respektimin, abuzimet dhe autoritarizmin e saj në rritje, duke mos angazhuar ende mekanizmat ndëshkues në nivel evropian, Polonia ka të tjera përmasa dhe roli i saj mbart një peshë me dimensione të konsiderueshme në Union. Për këtë arsye, edhe vëmendja evropiane ndaj Polonisë, ka një përqendrim më të lartë, duke imponuar një frymë respektimi të sundimit të ligjit. Këtë vëmendje, përqendrim dhe imponim e lehtëson edhe fakti se ndryshe nga rasti hungarez dhe drejtuesi i saj Orban, Partia për Ligj dhe Drejtësi në Poloni nuk ka mbështetjen as të të djathtëve evropianë, as të të majtëve dhe as të liberalëve, pra grupeve më me influencë, sa në jetën parlamentare, por edhe në jetën e ekzekutivit. Duke lehtësuar në këtë mënyrë presionin politik evropian ndaj qeverisë së re në Poloni. Jo rastësisht kreu i liberalëve, belgu Guy Verhofstadt i rikujtoi së fundmi qeverisë polake, se po të bëhej fjalë pikërisht në këto momente, për anëtarësimin e vendit në BE, kjo do të ishte diçka e pamundur./DITA
