Kohët e fundit mediet serbe kanë hedhur idenë e një presioni politik, që mund të ekzistojë në nivel evropian ndaj Greqisë, për njohjen e Kosovës. Presion, që aludohet se po kryhet, teksa pozicioni i Greqisë në këtë periudhë krizë ekonomike, është delikat dhe i dobësuar. Por, a po ushtron realisht Unioni një presion ndaj çështjes së pazgjidhur të njohjes së Kosovës ?
Zgjerimi i Unionit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor është një sfidë, realizimi i së cilës do të garantojë stabilitet dhe paqe, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Në të gjithë historikun e integrimit evropian, një nga vlerat më të rëndësishme, që vazhdon të ruajë karakterin e fortë të saj, është sigurimi i paqes dhe i pajtimit mes popujve.
Në këtë dosje zgjerimi dhe integrimi, sigurisht që ka edhe raste përjashtimorë, si anëtarësimi i një Qiproje të ndarë në dy pjesë. Por nuk duhet harruar se, ky integrim që u shoqërua me problematikat e tij, shkaktoi një ndërgjegjësim në politikën evropiane të zgjerimit. Ndërgjegjësim, që u përcoll më vonë me doza reflektimi ndaj dosjes ballkanike, sidomos mbi nevojshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Integrimi evropian i Kosovës sigurisht, që ndër të tjera ka edhe 5 barriera shtetërore në BE, që ushtrojnë peshën dhe influencën e tyre në procesin e vendimmarrjes, në çdo fazë integruese. Por, edhe procesi i mëtejshëm integrues i Serbisë, sigurisht që kalon dhe do të kalojë nëpërmjet kushtëzimit të dosjes “Kosova”.
Është për t’u theksuar se, një peshë të rëndësishme, në mos kryesoren, në lëvizjen dhe avancimin e këtij mekanizmi e mban Gjermania.
Me një fokus të lartë ndaj Ballkanit, jo vetëm në kuadrin e një perspektive zgjerimi, por edhe nën ambicien diplomatike për adresimin dhe parandalimin e rreziqeve të stabilitetit në rajon, Gjermania ka arritur të shndërrojë gradualisht çështjen e Kosovës, në një kushtëzim për integrimin evropian të Beogradit. Mbart vlera të një konsiderimi historik, momenti i ndërhyrjes së kancelares gjermane Merkel (2011), mbi rëndësinë e një dialogu mbi normalizimin e marrëdhënieve, duke e shndërruar në një parakusht për akordimin e statusit të vendit kandidat, Serbisë. Vizita e saj në Beograd, teksa konkludoi në parakushte të caktuara, duke kërkuar edhe heqjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, janë momente të forta, që vlerësohet se arritën të gërshetojnë dy çështje të një rëndësie të veçantë, bisedimet Serbi-Kosovë dhe të ardhmen integruese evropiane të Serbisë.
Rëndësia, që po i kushtohej normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të ruajë karakterin e saj dhe në vijimësi. Ky detyrim, parakusht dhe insistim i vazhdueshëm mbi normalizimin e marrëdhënieve, ka marrë trajtat e një karakteri juridik. Gjermania e mbështetur gjithashtu edhe nga Britania e Madhe kanë kontribuar në përkufizimin imponues të një kuadri ligjor, që do të parandalojë pengesën e mundshme që Serbia mund t’i sjellë anëtarësimit të Kosovës në BE. Kjo iniciativë, mori formën e saj përfundimtare duke figuruar edhe në dokumentin, që shoqëroi takimin ministerial të Konferencës Ndërqeveritare mbi Aderimin e Serbisë në BE (janar 2014). Në këtë dokument, ku specifikohet pozicionimi i përgjithshëm i BE-së, shënohet se:
“Avancimi i negociatave do të udhëhiqet nga progresi i Serbisë, në përgatitjen për aderim..”
(…)
Ky progres do të matet në veçanti, kundrejt kërkesave të mëposhtme:
(…)
“Angazhim i vazhdueshëm i Serbisë, në përputhje me procesin e Stabilizim Asocimit, drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhënie me Kosovën. Ky proces duhet të sigurojë se, të dy vendet mund të vazhdojnë në rrugën respektive evropiane, teksa shmangin pengimin e njëra-tjetrës në këto përpjekje dhe duhet të çojë gradualisht në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në formën e një marrëveshje ligjore të detyrueshme deri në fund të negociatave të aderimit të Serbisë, me perspektivën se, të dy vendet do të jenë të afta të ushtrojnë plotësisht të drejtat dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre.” (…)
Rezistenca e të pestëve
Nga 28 vendet anëtare të Unionit, 5 prej tyre nuk e njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova. Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro nuk pranojnë njohjen e saj, kryesisht për shkak të karakterit juridik, apo mënyrës së përzgjedhur të procedimit me shpallje unilaterale, duke u nisur nga principi i së drejtës ndërkombëtare, që ndër të tjera, nga forma e përzgjedhur për shpalljen e pavarësisë, kërkohet edhe marrja e konsensusit nga shteti apo njësia qendrore, në këtë rast Serbia. Sigurisht që pas qëndrimeve zyrtare, qëndron edhe frika ndaj problematikës së krijimit dhe ndjekjes së precedentit nga vetë struktura apo lëvizje separatiste, brenda territoreve të këtyre shteteve.
Por, pavarësisht se, këto shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ato janë të angazhuara në marrëdhënie politike dhe diplomatike me shtetin e Kosovës. Ndër to, spikat në një nivel angazhimi më të lartë Athina zyrtare. Edhe në nivel evropian, ato nuk kanë shfaqur aspak pengesa të natyrës konfliktuale, duke dhënë miratimin dhe konsensusin e tyre për vazhdimin e mëtejshëm të procesit integrues me Kosovën.
Por, ndonëse opinioni këshillues i GJND-së, konfirmoi karakterin e ligjshëm të shpalljes unilaterale të pavarësisë së Kosovës, duket se për këto 5 shtete, problematika qëndron më tepër tek precedenti dhe rrezikshmëria, që kjo situatë mund të gjenerojë në politikat e brendshme kombëtare. Nga ku, krijohet bindja se, një nga pikat me rëndësi të lartë ka aspekti i një marrëveshje mes dy palëve, ku Serbia të shprehë brenda formës së karakterit ligjor, qoftë direkt apo indirekt dakordësinë e saj, mbi çështjen e Kosovës, në formatin e një dialogu normalizmi marrëdhëniesh. Nëse, çështja e statusit të Kosovës do të futet gjithashtu përgjatë negociatave, në Kapitullin 35 (çështje të tjera) me Serbinë, atëherë probabiliteti është i lartë për shkuarjen drejt njohjes graduale të Kosovës nga Serbia.
Duket se, insistimi i Berlinit me një fokus të lartë, jo vetëm për inkuadrimin dhe futjen e çështjes së Kosovës në axhendën integruese të Serbisë, por edhe në detyrimin për të shkuar drejt nënshkrimit të një marrëveshje apo kuadri ligjor mes palëve, do të jetë një rrugëzgjidhje që mund të zhbllokojë edhe procesin e njohjes nga pesë vendet e BE-së. Nëse kjo marrëveshje arrihet të nënshkruhet, ajo mund të shërbejë edhe si një argument ligjor për të përligjur mungesën e një konsensusi mes palëve, duke zhbllokuar edhe nyjen frikësuese, që mund të riprodhojë situata të ngjashme në politikat e brendshme të shteteve anëtare në fjalë. Ose të paktën mund të shërbejë si referim ligjor mbi nevojshmërinë e një kuadri konsensusi, çka të paktën konfirmohet deri më tani nga shtetet në fjalë.
Nëse ndjekim logjikën e presionit evropian (kryesisht gjerman) mbi gjetjen e një zgjidhje për çështjen e Kosovës, duket se, ai është fokusuar kryesisht mbi krijimin e një formati, që do ta çojë gradualisht Serbinë drejt njohjes së saj, përgjatë rrugës integruese. Athina zyrtare i ka shtuar kohët e fundit deklaratat mbi një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës. Deklarata, që theksojnë ndër të tjera edhe rëndësinë e stabilitetit dhe të sigurisë së vazhdueshme në rajon.
Aludimi i medieve serbe mbi një presion të mundshëm, që Unioni po ushtron ndaj Greqisë për njohjen e Kosovës, duket më shumë si taktikë përgatitëse e një terreni në opinionin publik, pa përjashtuar edhe një komunikim justifikues mes palëve, mbi një njohje të “imponuar” që vjen nga BE, në rrethana detyruese, jashtë vullnetit ekzistues shtetëror.
A mund të ushtrojë një presion kaq të lartë dhe kaq emergjent Unioni mbi dosjen kosovare, që nuk është veçse në fillesat e rrugëtimit të saj evropian, teksa dosja maqedonase është prej 10 vitesh e bllokuar nga Greqia, duke gjeneruar kosto tepër të larta politike dhe ekonomike për vendin ?
Gjithsesi, pavarësisht njohjes së mundshme të Kosovës nga ana e Greqisë, rruga integruese evropiane e Serbisë kryqëzohet në mënyrë të pashmangshme me çështjen e Kosovës. Një realitet, që pavarësisht shmangies në kohë, është i pakthyeshëm dhe i patjetërsueshëm./im.ta/
