Policia e Vlorës finalizoi operacionin e koduar “Verbas”, dhe asgjësoi 823 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sattiva. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se bimët narkotike u zbuluan në një sipërfaqe toke pa pronar në fshatin Verbas, në vendin e quajtur “Ledhet e Hoxhes”.
Mësohet se bimët narkotike, me gjatësi nga 30 cm deri në 150 cm, janë asgjësuar me djegie. Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e kultivuesve të bimëve. Operacione antikanabis, për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella, ka kryer me sukses edhe policia e Shkodrës.
Po sot, policia e Mallakastrës asgjësoi 2530 rrënjë hashashi. Në vijim të operacioneve antikanabis, nga puna e efektivave të Komisariatit të Policisë Mallakastër për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, janë goditur tre raste te kultivimit të bimëve narkotike. Konkretisht:
Në fshatin Anabreg, në vendin e quajtur Korie e Madhe janë gjendur 11 parcela me 1396 bimë narkotike, në Çorrush, në vendin e quajtur pylli Allkaj janë gjetur 7 parcela dhe 495 bimë narkotike, në Kutë u gjetën 7 parcele.
Sakaq, policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, ka nisur procedimi për 3 kryepleqtë e këtyre tre fshatrave, përkatësisht; A.Sh., 39 vjeç, banues në Anabreg, S.V., 58 vjeç, banues në Çorrush si dhe K.A,, 69 vjeç, banues në Kutë.
