Zgjedhjet, që pritet të zhvillohen në një sërë vendesh evropiane, janë shndërruar në shënjestrën kryesore të propagandës së Rusisë. BE ka kohë që ka shfaqur shqetësim në lidhje me këtë situatë. Studime të kryera nga institucione analitike dhe të kërkuara nga BE, kanë konfirmuar se ndërhyrja e Rusisë në çështjet e brendshme në territorin evropian, është e lartë. Audienca shtrihet nga përkrahësit e ekstremit të majtë, tek ata të ekstremit të djathtë, por edhe ndaj kategorive të ndryshme të popullatave, mbi një sërë çështjesh të ndjeshme të aktualitetit evropian.
Që prej muajit shtator 2015, BE ka ngritur një njësi ekspertësh, brenda strukturave të Shërbimit të Jashtëm Evropian, që duhet të përballojë dezinformimin, që vjen nga Rusia. Sipas specialistëve të kësaj njësie, ushtria e dezinformimit e sponsorizuar nga Rusia, ka venë në fokus zgjedhjet e Holandës në mars, zgjedhjet e Francës në prill-maj dhe zgjedhjet e muajit shtator në Gjermani. Ku, nëpërmjet shpërndarjes së lajmeve të rreme, apo imazheve të sajuara, synohet ngjallja e konfuzionit, ndarja dhe përçarja e shoqërisë, si edhe përhapja dhe ngjallja e frikës. Në sulmet sistematike, ndaj vlerave dhe politikave të BE-së, specialistët, kanë përmendur tema të ndjeshme të aktualitetit, si refugjatët dhe politikat e kancelares Merkel, ku dezinformimet flasin ndër të tjera se, “Merkel është e lidhur me sulmet terroriste në Bruksel apo Paris”.
Ekipi i posaçëm, i ngritur nga institucionet evropiane ofron dy lloj buletinesh të përjavshëm, për të qenë të informuar në lidhje me dezinformimet më të fundit: Rishikimi i Dezinformimit dhe Tretja e Dezinformimit. Buletini mbi rishikimin e dezinformimit, mbledh shembujt e artikujve dhe historive të dezinformimit në të gjithë Evropën, duke ofruar të dhëna të sakta se, ku është shfaqur si edhe kush është tendenca e javës. Ndërsa, buletini mbi tretjen e dezinformimit, analizon se, si media pro Kremlinit e sheh botën dhe çfarë thonë zërat e pavarur rusë, duke informuar njëkohësisht tendencat kryesore në rrjetet sociale ruse, në mënyrë që lajmet pro Kremlinit të shikohen në një kontekst më të gjerë. Njësia varet nga një rrjet i gjerë bashkëpunuesish, që ndjekin dezinformimet pro Kremlinit në vendet e tyre. Janë më shumë se 450 ekspertë, gazetarë, zyrtarë, OJQ në më shumë se 30 vende, që i raportojnë sistematikisht ekipit të ngritur nga institucionet e BE-së. Ndërsa struktura në vetvete, përbëhet nga një ekip i vogël, me vetëm 9 ekspertë komunikimi nga institucionet e BE-së. Është e rëndësishme të theksohet se, ekipi nuk është i angazhuar në bërjen e kundra-propagandës, por synon të promovojë në mënyrë aktive, politikat e Bashkimit Evropian ndaj, vendeve të fqinjësisë lindore dhe kur është e përshtatshme, ekipi identifikon dhe kërkon të korrigjojë gjithashtu dezinformimin.
Por, kush janë dezinformimet e fundit, që figurojnë në filtrimin evropian të ekipit të posaçëm ?
Tendenca e javës së fundit, lidhet me akuzimin dhe etiketimin si “nazist” të kujtdo, që kundërshton interesat e Kremlinit. Më shpesh, ky etiketim drejtohet ndaj ukrainasve dhe popujve të tre vendeve baltike. Por, si nazistë konsiderohen edhe trupat antisovjetike të revoltës së vitit 1956 në Hungari. Para pak kohësh, propaganda ndaj vendeve baltike përfshinte gjithashtu lajme të rreme mbi ngritjen e kampeve të përqendrimit, ndaj popullatës rusisht-folëse.
Britania e Madhe figuron gjithashtu në fokusin e lajmeve të rreme. Shërbimi i inteligjencës britanike është akuzuar në kanalin kryesor shtetëror rus, në orarin me audiencë më të lartë, se “ka shkatërruar demokracinë amerikane, kodet morale dhe reputacionin”.
Ndaj Gjermanisë, fokusi është sërish mbi kancelaren Merkel. Rrjeti informues Breitbart, ka keqinterpretuar sondazhet para zgjedhjeve gjermane, duke deklaruar se partia e Merkelit ka pësuar rënie dhe partia anti-migrim thuajse ka dyfishuar përqindjet e saj në sondazhe. Gjithashtu ka pasur raportime të rreme, se ambasadori gjerman në Ukrainë i ka dërguar një letër Presidentit Poroshenko, duke i bërë presion atij, t’i dorëzojë Donbasin, Rusisë. Propaganda mbi Gjermaninë ka kryesuar me dezinformime të vazhdueshme, që synojnë politikat e migrimit të kancelares Merkel si p.sh.: se 700 mijë gjermanë kanë lënë Gjermaninë, për shkak të këtyre politikave; se rreth 1 mijë imigrantë myslimanë i kanë venë zjarrin kishës më të vjetër në Dortmund; apo se, ngacmimet seksuale u ripërsëritën edhe përgjatë ndërrimit të viteve, 2016-2017.
Lufta po vjen !
Vëmendje tërheqin edhe përqendrimet apo tendencat mbi dy tema kryesore: ndryshimi kulturor dhe rreziku i Luftës së Tretë Botërore. Tema, që në logjikën e ekspertëve janë të ndërlidhura.
E para, pra ndryshimi kulturor, ka një theks të fortë mbi mesazhin se, njerëzit në Perëndim janë të ndryshëm nga njerëzit në Rusi: ata kanë më pak vlera, ose nuk kanë aspak; ata janë kundër Krishterimit dhe kundër Ortodoksisë ruse në veçanti; ata e mohojnë Rusinë dhe të drejtën e Rusisë për të ekzistuar. Ky theksim mbi ndryshimin kulturor, është sistematik. Edhe përgjatë vitit 2015, do të tërhiqte vëmendje raportimi rutinë i dy korrespondentëve belgë në Rusi, teksa do të informonin si më poshtë:
“Ndizeni televizorin, dhe çojeni në një kanal të madh rus dhe dëgjojeni. Aty, do të mësoni se shumica e evropianëve nuk lahen kurrë dhe nuk i ndërrojnë çarçafët, veçse tre herë në vit. Për më tepër, vetëm yjet e Hollivudit mund të përballojnë një vizitë tek dentisti. Aty, do të mësoni gjithashtu, se nëse evropianët, shqetësohen nga mënyra se, si kafshët trajtohen në cirkun rus, kjo ndodh sepse ata janë zoofilë (persona, që kryejnë marrëdhënie seksuale me kafshët- Shën.red.). Ata, krijojnë qendra strehimi për kafshët e braktisura, vetëm për të kënaqur instinktet e tyre. ….Ndër të tjera do të mësoni se, musketjerët mbanin kapele me bordura shumë të gjëra, për t’u mbrojtur nga përmbajtja e oturakëve, që banorët e Parisit i hidhnin nga dritaret e tyre, në një epokë kur Rusia, jetonte në pastërti absolute. Dhe për më tepër, mitet e Ivanit të Tmerrshëm, janë shpikur nga evropianët, ndërkohë që ata vetë janë fajtorë për krime çnjerëzore. Evropianët kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, por janë ata që e kanë shpikur fashizmin dhe kampet e përqendrimeve….” (La Libre 25.06.2015)
Ndërsa tendenca e dytë, lidhet me një theks në rritje mbi luftën. Një sërë mediesh pro Kremlinit kanë shpërndarë mesazhin se Ukraina, Turqia, NATO, tartarët e Krimesë, SHBA, Britania e Madhe, pra, Perëndimi në përgjithësi po përgatitet për luftë, në disa prej tyre, edhe për Luftën e Tretë Botërore. Rëndom në televizione shfaqen lajme se, Perëndimi po e përgatit popullatën e tij për një luftë nukleare me Rusinë; turqit akuzohen se, po armatosin tartarët e Krimesë dhe luftëtarët e ISIS, për një luftë në Krime; se Poroshenko i dehur kërcënon të pushtojë Rusinë në dhjetë ditë; se NATO po e çon botën drejt Luftës së Tretë Botërore. Në të gjitha lajmet, kryeson fakti se “Rusia po qëndron e vetme kundrejt pjesës tjetër të botës” dhe se “Rusia e ka të nevojshme të zgjerojë territorin e saj për të shpëtuar jetë njerëzore.”
Tema e luftës shfaqet në mënyrë sistematike në buletinet e ekipit të BE-së. Edhe përgjatë nëntorit të vitit të kaluar, rreziku se bota do të sulmojë Rusinë, ka dominuar. Sipas këtyre dezinformimeve, Estonia po përgatitet të hyjë në luftë me Rusinë, Presidenti i Ukrainës po bën thirrje për sulm ushtarak ndaj Rusisë, se SHBA e kontrolluar nga Sorosi, i ka deklaruar luftë Rusisë, se Hilari Klinton do të nisë luftën me Rusinë dhe se edhe Mbretëresha e Britanisë së Madhe po përgatitet gjithashtu për luftë, ndaj Rusisë.
Propaganda është bërë pjesë e çdo sistemi politik, qoftë për mirë, por qoftë edhe për keq. Si regjimet totalitare, por edhe sistemet demokratike, kanë përpunuar një sërë mjetesh dhe teknikash, për të pushtuar opinionin publik, për të penetruar në shpirtin dhe mendjen e njerëzve, dhe për të administruar dhe për të kontrolluar sjelljen si edhe për ta orientuar atë, drejt qëllimeve të tyre. Lufta e Parë Botërore, do të ishte terreni i lindjes së propagandës, në kuptimin e përkufizimit të saj si “bashkësi veprimesh të kryera nga një qeveri, për të ndikuar mbi opinionin e popullatës”. Dhe bëhej fjalë për të shmangur apo kufizuar shkurajimin e popullatës, si edhe për të mbajtur gjallë mobilizimin e saj. Propagandë, që do të spikaste sidomos nga Rusia ndaj vendeve neutrale. Lufta e Dytë Botërore, do të hynte në memorien historike si “luftë psikologjike”, me institucione speciale siç do të ishte ministria e Propagandës naziste dhe me figura të errëta si Gëbels, apo Himler, që do të linin gjurmë në historikun e komunikimit me masat.
Me përparimin e teknologjisë dhe përhapjen e medieve dhe të rrjeteve sociale, propaganda ka zgjeruar teknikisht terrenin e saj, duke marrë përmasa të pakontrollueshme. Efektet e saj, po vërehen prej kohësh në territorin e BE-së, çka ka imponuar edhe ngritjen e një njësie speciale, që mund të bëjë të mundur parandalimin e efekteve të saj. Para pak kohësh edhe Gjermania, do të kërkonte pa humbur kohë dhe në mënyrë urgjente, ngritjen e një qendre mbrojtje kundër dezinformimit, dhe shërbimet sekrete kanë paralajmëruar tashmë mbi rreziqet e piraterisë dhe të sulmeve kibernetike me synim ndikimin në fushatën dhe procesin zgjedhor në vend.
Im.Ta.
DITA
