Nëse një vend anëtar do të dështojë në ruajtjen e kufijve, BE do të dërgojë trupat e saj evropiane, edhe pa pasur konsensusin e këtij vendi. Një plan ambicioz, që nga njëra anë synon të zgjidhë problemin, që po krijon fluksi i migrantëve, dhe efektin zinxhir të vendosjes së kontrolleve kufitare në hapësirën Shengen, por nga ana tjetër skicimi mbart në vetvete një përqasje federale. Kjo, pasi plani që pritet t’i paraqitet vendeve anëtare, transferon kompetenca kombëtare në një nivel supranacional.
Situata e fundit përkeqësuese në Greqi, në kuadrin e menaxhimit të fluksit të migrantëve, u shoqërua edhe me kërcënimin e Unionit për nxjerrjen e Greqisë nga zona Shengen. Kjo, pasi Greqia jo vetëm që po shfaqte shenja të vazhdueshme dështimi, në kontrollin e kufijve të jashtëm të Unionit, por nuk po kërkonte as aktivizimin e ndihmës së emergjencës në Union, çka do të bënte të mundur, ndër të tjera edhe dërgimin e ekipeve përforcuese të FRONTEX, për bashkëpunim të koordinuar operacional në kufijtë e saj. Një situatë zvarritëse prej javësh dhe muajsh, që u aktivizua vetëm pas presioneve ekstreme për përjashtim nga Shengen.
Pikërisht, kjo problematikë duket se evitohet nëpërmjet këtij plani ambicioz. Tashmë, nëse ky plan gjen aprovim*, nuk është më në dëshirën dhe në vullnetin e një vendi anëtar për të kërkuar ndihmë për administrimin dhe menaxhimin e kufijve nga Frontex. Plani parashikon, që kjo agjenci, e përforcuar me trupa rezerviste (1000-2000 persona) të analizojë dhe të vlerësojë në mënyrë të pavarur situatën problematikë në terren dhe t’i kërkojë Komisionit Evropian një rekomandim për ndërhyrjen e trupave të saj, për administrim dhe menaxhim të kufijve të vendit në fjalë, edhe pa pasur konsensusin e tij. Rekomandimi i Komisionit, si rregull procedure parashikohet t’i nënshtrohet një grupi ekspertësh, të përbërë nga përfaqësues të vendeve anëtare, që votojnë nëpërmjet një shumice të cilësuar.
Ky plan synon të zgjidhë problemin, që ka krijuar kriza e fluksit të vazhdueshëm të migrantëve. Nga njëra anë, ky plan bën të mundur atë çka një sërë shtetesh po kërkojnë përgjatë shfaqjes së kësaj problematike, një përforcim dhe administrim të duhur të kufijve të jashtëm të Unionit. Të gjithë vendet, që kanë vendosur kontrollet e brendshme kufitare nxjerrin pikërisht këtë problematikë, si arsyen kryesore të vendosjes së kontrolleve kombëtare. Nga ana tjetër, plani synon të administrojë në mënyrë efikase të gjithë fluksin e migrantëve, duke proceduar me një regjistrim sistematik të tyre, si edhe rikthim ndaj rasteve të migracionit të mirëfilltë ekonomik, apo atij të paligjshëm. Aktualisht, konstatimet flasin për një lënie të lirë të këtij fluksi apo pjesëve të tij, drejt vendeve që ato dëshirojnë të instalohen për të kërkuar azil, ndërkohë që rregullorja imponon kërkimin e tyre të azilit, në vendin e parë hyrës në Union.
Në fakt, ndonëse ajo çka kërkohet lidhet me një përforcim të Agjencisë Frontex, (apo një modeli të ngjashëm me të) kompetenca të zgjeruara dhe kapacitet autonom për ndërhyrje dhe veprim operacional, nuk duhet anashkaluar edhe një lloj klime tensioni, që ekziston ndaj mënyrës aktuale të operimit të kësaj Agjencie. Tension mes asaj se, çka duhet të jetë dhe çfarë aktualisht është, kjo Agjenci. Një sërë kritikash, që adresohen ndaj saj kanë shfaqur një profil krejtësisht të ndryshëm, nga çfarë është ofruar dhe reklamuar, deri më tani. “Një makinë, që zmbraps të varfrit”, “Zmadhim i shifrave reale të imigracionit në Evropë, “ Kthim i detyruar i refugjatëve, për të kërkuar azil në vende si Ukraina, apo Rusia”. Kthime të forcuara, që vlerësohen se bien ndesh, apo dhunojnë të drejtën ndërkombëtare (neni 33 i Konventës së Gjenevës, thekson se asnjë shtet nuk mund të kthejë apo të përzërë refugjatët nga territori i tij, nëse jeta e tyre është në rrezik). Në këtë kuadër, nuk është i rastësishëm edhe aktivizimi i një fushate të gjerë, e quajtur “Frontexit” e nisur nga një sërë OJQ-sh, me synim sensibilizimin e përgjegjësve politikë, por edhe të opinionit publik. Fushatë, që synon transparencë në veprimet dhe operacionet e agjencisë Frontex, si edhe dhënien fund të veprimeve, që bien ndesh me frymën ligjore ndërkombëtare. Kritikat janë gjithashtu të forta edhe ndaj krijimit të pikave pritëse në kufijtë e Unionit (hot spots), që venë tërësisht në dyshim funksionin e tyre, “Nëse ato shërbejnë si filtruese e azilantëve dhe imigrantëve ekonomikë, mbi ç’kritere e kryejnë këtë ? Si e përcaktojnë ato, se një personi i kërcënohet jeta në një vend ?!”Kush janë personat përgjegjës për këtë klasifikim ? Doganierët, apo ekspertët e fushës së azilit ?!
Frymë federale
Por, pavarësisht debateve, që lidhen me funksionimin aktual të Frontex, plani i ri që pritet të propozohet, mbart edhe elementë me përqasje federalë. Elementë, që nga njëra anë e tejkalojnë natyrën kombëtare të vendimmarrjes, por nga ana tjetër shmangin edhe dhënien e konsensusit nga vendi anëtar, duke i lënë fushë të lirë një mekanizmi me natyrë supranacionale. Jo rastësisht, në krye të kësaj iniciative shfaqen dy vende si Franca dhe Gjermania, tashmë të profilizuara në vullnetin dhe dëshirën e tyre për një Evropë më të thelluar, më të integruar dhe me një karakter federal. Në letrën e tyre të përbashkët, drejtuar Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare Franca dhe Gjermania, kërkojnë një përforcim të domosdoshëm të Frontex, si edhe kapacitet për vetëvendosje: “Në rrethana të jashtëzakonshme, Frontex duhet gjithashtu të marrë iniciativën për të zhvendosur në përgjegjësinë e saj, ekipe të ndërhyrjes së shpejtë në kufij.”
Por, a do të pranojnë vendet anëtare, që nëpërmjet një kontrolli të përbashkët të kufijve evropianë, të hedhin një hap më tej drejt projektit federal ? Në fakt, kjo nuk është hera e parë, që ky skicim diskutohet, dhe përforcimi i mëtejshëm i kësaj ideje duhet kuptuar me kontekstin e fortë të krizës, me të cilin po përballet Unioni. Ambiciet dhe projektet për një Evropë më të integruar dhe më të thelluar, janë aty, siç janë edhe presionet aktuale ligjore ndaj një sërë vendesh si Greqia, Italia, Malta, Kroacia, apo Hungaria që të veprojnë në përputhje me standardet, që kërkon Unioni në këtë fushë.
Kohët e fundit këto presione janë rritur, pasi kërkohet që këto vende të regjistrojnë të gjithë migrantët dhe refugjatët, që hyjnë në BE dhe të ndjekin detyrimisht rregullat evropiane në lidhje me azilkërkimin. Një sërë procedurash ligjore kanë nisur ndaj Greqisë, Italisë dhe Kroacisë, pasi këto vende kanë probleme të rënda me regjistrimin e migrantëve dhe refugjatëve, në regjistrin e të dhënave evropiane Eurodac, siç kërkohet që në momentin e tyre hyrës në territor. BE kërkon regjistrim sistematik të çdo personi dhe jo vetëm të një pjese të tyre, që në shumicën e rasteve regjistrohen vetëm në regjistrat kombëtarë, ku Eurodac e ka të pamundur konsultimin e tyre. Vendet e mësipërme kanë dy muaj kohë për të përputhur veprimet e tyre me kërkesat evropiane, ndryshe e kanë të pashmangshme përplasjen me gjyqësorin evropian. Dhe këto vende, që janë gjendur në vijën e parë të frontit, me nisjen e kësaj krize, sigurisht që do të vuajnë të parët “pasojat”, nëse kemi një miratim të planit ambicioz të Unionit. Ku, trupat evropiane mund të zhvendosen në kufijtë e tyre, edhe pa konsensusin e tyre, për të bërë të mundur menaxhimin, administrim dhe kontrollin e flukseve të migrimit. /im.ta/
* Qëndrimet paraprake të grupeve politike në PE, janë pro miratimit të këtij plani, detajet e të cilit pritet të zbardhen gjatë ditës së sotme (15.12.2015). Social-Demokratët janë pozicionuar pro paraprakisht. Gjithsesi, kreu i grupit, italiani Xhani Pitela është shprehur se ky plan nuk ka kuptim, nëse nuk shoqërohet edhe me dy elementë të tjerë, që janë fshirja e rregullores Dublin (që imponon kërkimin e azilit në vendin e parë hyrës në BE) dhe pasja e një mekanizmi efikas të shpërndarjes së refugjatëve në Union. Ndryshe, në logjikën e Pitelës, këto zona pritje mund të shndërrohen në “kampe përqendrimi”. PPE është pozicionuar gjithashtu pro planit, duke kërkuar përforcime të mëtejshme. Edhe drejtuesi liberalëve në PE, belgu Verhofstadt është shprehur pro planit, duke kërkuar gjithashtu përforcim të tij, si edhe alternativa si p.sh., nëse një vend nuk pranon, mund të propozohet dalja e tij nga Shengen.
