Protesta e sotme e opozitës me objektivin politik për të deklaruar, apo imponuar formimin e një qeverie teknike, për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme, u shoqërua edhe me një sërë aktesh dhune.
Protesta ishte e të njëjtës formë dhe i të njëjtit model, që tashmë opinioni publik në Shqipëri është njohur, që prej viteve ’90. Me një inkurajim të qartë politik, skenari ishte i përqendruar në sulme me objekte të forta ndaj institucioneve, si edhe me vënie zjarri me synim shembjen e një simboli, që konsiderohet nga protestuesit si simbol komunist.
Pa hyrë në vlerësimin e këtij argumenti, që rreshket në një paradoks, pasi historia duhet kujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur, interes ngjall mënyra se, si strukturat shtetërore dhe të agjencisë së zbatimit të ligjit menaxhojnë raste të tilla.

Shembujt e fundit, që vijnë nga Brukseli, janë interesantë, pasi nga njëra anë protestat e fundit që janë zhvilluar, në thelb, kanë të bëjnë me kundërshtimin e ashpër të reformave sociale, që ka ndërmarrë qeveria e djathtë e Charles Michelit, por nga ana tjetër, ato kanë filluar të shfaqin një dhunë të konsiderueshme në terren.
Protesta e fundit e zhvilluar në muajin nëntor, u shoqërua me zjarrvënie të objekteve të ndryshme në rrugët e Brukselit, shkulje të trotuareve, heqje dhe dëmtim të tabelave rrugore, të stolave në ambientet publike, thyerje xhamash dhe vënie flake ambienteve të biznesit privat, sulm ndaj forcave policore (dhjetëra të plagosur), etj.

Por, si reaguan forcat policore belge ? Pozicionimi i tyre ishte tërësisht në mbrojtje, duke caktuar linjat strategjike, deri ku mund të lejohej tolerimi. Ndërhyrjet u shënuan vetëm në rastet kur personat, që hidhnin shishe me koktej molotov, penetronin brenda gardhit policor, ku pasi goditeshin për t’u neutralizuar, shoqëroheshin për ndalim nga forcat policore.
E njëjta situatë u vëzhgua edhe ditën e sotme në pozicionimin e forcave policore shqiptare përgjatë protestës. Një sjellje, pozicionim dhe reagim, që mund të vlerësohet tërësisht e një standardi evropian. Bile, qetësia e tyre e tejkalonte edhe qetësinë e menaxhimit të protestave të fundit në Bruksel, nga forcat policore. Dhe kjo duhet theksuar si një arritje, jo thjesht ndaj një sektori, ndaj një reparti, ndaj një institucioni apo ndaj një emri të përveçëm, por më gjerësisht, në frymën e një demokracie, që duhet të përfaqësojë filozofia dhe statura e një shteti demokratik.
Çfarë ndodhi në Bruksel pasi përfundoi protesta e fundit e dhunshme ? Forcat policore dhe ato të sigurisë, tek ruanin qetësinë ekstreme të pozicionuar në mbrojtje, ishin të angazhuar tërësisht në një proces dokumentimi, filmimi dhe fotografimi të të gjithë akteve të dhunës. Nuk kaluan as 24 orë nga mbyllja e protestës dhe një sërë arrestimesh dhe ndalime administrative u kryen.
Të gjithë personat e filmuar në kryerje e sipër të akteve të dhunës, të vandalizmit, të shkatërrimit të pronës publike, kaluan në një proces gjyqësor, ku u ngarkuan sipas rëndesës së aktit të kryer, me shlyerjen e detyrimeve financiare për rikuperimin e tyre. Ndërsa rastet ekstreme të dhunës ndaj forcave policore, morën ndëshkim më të rreptë, ashtu siç mundëson edhe kodi penal, për raste të tilla.
Në asnjë shoqëri dhe sistem demokratik, nuk mund të tolerohet dëmtimi i vazhdueshëm i pronës dhe i objekteve publike, riparimi i të cilave duhet detyrimisht të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kësaj logjike dëmtimi me frymëzim politik duhet t’i vijë fundi. Menaxhimi i protestës nga forcat policore ishte tërësisht i një niveli evropian, bile i një niveli, që ofron kryeqendra e saj dhe jo vendet periferike.
Por, ky menaxhim i lartë demokratik duhet edhe të vijojë me procedimet e mëtejshme ndaj dëmeve të pronës publike, në mënyrë që të imponohet një respekt dhe frymë e nevojshme për ruajtjen dhe kujdesin ndaj pronës publike. Demokracia është sundimi i ligjit dhe jo i kaosit ! /Dita/
