Psikodrama gjermane e edukimit politik të Tsipras

redaktor

Bisedimet në Bruksel u përmbyllën me një marrëveshje mes palëve. Marrëveshje, që s’është e formës përfundimtare, por do të mundësojë si fillim vijimin e procesit të negocimeve mbi programin e ri të ndihmës ekonomike, të kërkuar nga pala greke. Rindërtimi i besimit është pika kyçe, në të cilën vërtitet logjika e marrëveshjes. Për këtë arsye kërkohet angazhim dhe veprim konkret i Athinës zyrtare, që të kalojë në parlament së shpejti miratimin e një sërë masash legjislative.

Sipas dokumentit të publikuar nga Euro Samiti deri të mërkurën më dt. 15 korrik, Greqia duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme në mënyrë që të fillojë diskutimi mbi planin e ri të ndihmës: të racionalizojë sistemin e TVA-së dhe të zgjerojë bazën e saj për të rritur të ardhurat; të përmirësojë qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve; të sigurojë pavarësinë e institutit të Statistikave ELSTAT”; të vërë në jetë një Autoritet Fiskal të pavarur dhe një mekanizëm reduktimi automatik të shpenzimeve në rast të mosarritjes së objektivave buxhetorë.

Ndërsa reformat që duhet të kryhen, prekin një sërë fushash, si : reformimi i sistemit të pensioneve; reformimi i tregut të brendshëm, i rrjetit të transportit elektrik; i tregut të punës sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare; përforcim i sektorit financiar; sistem privatizimi të zhvilluar;  reformim i administratës politike dhe çpolitizimi i saj; rikthim i tre institucioneve (ish-Trojka) në Athinë, që do të mbikëqyrin edhe disa projekte, ligje apo referendume; si edhe anulim të disa masave të ndërmarra tashmë nga Tsipras.

Pritet që Eurogrupi që do të mblidhet sërish në orët në vijim, të gjejë një mënyrë operimi për t’i lejuar Greqisë ndërkohë të përballojë nevojat e saj më urgjente të financimit, pra rreth 12 miliardë euro deri në mesin e muajit gusht, si dhe për t’i mundësuar asaj shlyerjen e pagesave që i detyrohet FMN-së. Gjithashtu pritet edhe akordimi i 10-25 mld euro në rast të rikapitalizimit të bankave. Nëse Greqia do të respektojë angazhimet e mësipërme atëherë do të krijohet hapësirë edhe për vlerësimin e masave shtesë, që lidhen me borxhin si zgjatja e afateve të shlyerjes së tij, apo uljes së mundshme të përqindjeve. Në tërësi paketa e ndihmës së programit të ri, që pritet të nisë negocimet, shkon në vlerën 82-86 miliardë euro.

Çfarë ndodhi në Bruksel ? 

Nuk mund të mohohet shfaqja e një euforie politike e kreut të qeverisë radikale Tsipras, pas përfundimit të referendumit. Një mbështetje politike popullore qartazi pro tij, që i krijonte një klimë komoditeti tek pritej të ulej në tavolinën e bisedimeve me partnerët evropianë. Por, ndodhi krejtësisht e kundërta. Mes një reagimi të prerë dhe të qartë, kushtet e prezantuara jo vetëm ishin ashpërsuar, por drafti paraprak shënonte si opsion alternativ edhe një dalje të përkohshme pesë vjeçare të Greqisë nga Eurozona.

Kërcënimi “gjerman” i vendosur në tavolinë po luante me fuqinë reale të simbolikës së përjashtimit. Kartat e taktikave politike për negocim të domosdoshëm, po prezantoheshin me ftohtësi.

Kushte të ashpra përtej atyre të imagjinuara, parakushte shtesë, reforma të zgjeruara dhe thellim i tyre, afate të mirëpërcaktuara, vënie në diskutim të sovranitetit kombëtar në disa sfera vendimmarrje, ose përballje me krizën, dalje pesëvjeçare nga Eurozona, dhe aplikim të ndihmës humanitare ndaj Greqisë. Burime brenda zyrës së negocimit flisnin, për ankth, tension, përplasje të fortë verbale dhe situatë dramatike. Një sërë opinionistësh evropianë filluan të solidarizohen me Greqinë, duke e konsideruar veprimin e diplomacisë gjermane të egër, të ashpër, ndëshkues dhe hakmarrës.

Por, përtej emocionalitetit të lartë, a po i nënshtrohej Tsipras një psikodrame analitike, dhe a po shndërrohej tavolina e negocimit në një vend të veprimit edukativ dhe politik të frymës disiplinuese gjermane ?

Në fakt, psikologjia e përdor rëndom psikodramën si formë terapie, ku thelbi i saj konsiston në teatralizmin dramatik, nëpërmjet skenarëve të improvizuar. Ajo zhvillohet në grup, ku pjesëtarët e grupit mund të jenë edhe terapistë të tjerë. Një “Lojë-Terapi”, që synon ndërgjegjësimin mbi fakte, deri më tani të injoruara nga e ndërgjegjshmja. Aty ku psikodramatizuesit inskenojnë një apo disa elementë të realitetit, duke i ndërthurur me një ndërtim imagjinar. Mes realitetit dhe imagjinares, synohet sjellja e një këndvështrimi të ri, ngjallja e surprizës, habisë, të papriturës së frikshme, duke imponuar hapësira apo pista të reja veprimi dhe reflektimi. Është si një proces katharsis, ku vënia në skenë e pasioneve provokon zhdukjen e tyre, por e ndërthurur dhe me një proces analitik. Formë të cilën e huazon edhe politika.

A u fut në “kurth” Tsipras ? Ndonëse, logjika dhe objektiviteti politik nuk mund ta pranojnë, në këto momente hapësirën e taktikave, lojërave psikologjike dhe presioneve politike, ato janë më se të pranishme. Nëse ndërthurim elementët e imagjinares, skenarin “Grexit” të parashtruar në draftin paraprak evropian, me elementë të presionit dhe kërcënimit real, si falimentimi dhe rrënimi i mëtejshëm ekonomik i vendit, duket se teoria politike e “psikodramës analitike” funksionoi. Këndvështrim, që niset nga logjika e përjashtimit paraprak kategorik, në nivel të lartë evropian të skenarit “Grexit” dhe futjes së tij në mënyrë surprizë dhe të papritur përgjatë bisedimeve. /im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Tsipras, mes demagogjisë dhe surrealizmit

Greqia është një vend me fat

Greqia mes fitores dhe kaosit

Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona

BE thirrje popullit grek: Nvse votoni JO i thoni JO Evropës

Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë

Share This Article