Qendrat e emergjencës kanë nevojë për këto barna!

Ornela

Për të përballuar pasojat e rënda të shkaktuara nga tërmeti i rënë mëngjesin e datës 26 nëntor, qendrat e emergjencës të ngritura pranë strukturave vendore kanë konfirmuar nevojën për barna dhe pajisje të tjera mjekësore që duhen për trajtimin e personave të lënduar.

“Pas vëzhgimeve në terren dhe komunikimeve të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë, na është bërë me dije një liste paraprake e medikamenteve që duhen për menaxhimin e situatës së krijuar nga tërmeti, të cilat mund të sigurohen nga subjektet farmaceutike që veprojnë në vendin tonë.

Të gjitha medikamentet që janë pjesë e listës së konfirmuar duhet që të dorëzohen sa më shpejt që të jetë e mundur pranë qendrave të emergjencave në bashkitë përkatëse”, është kjo thirrja që u ka bërë anëtareve të saj, Urdhri i Farmacistëve.

Ndërkohë që spitalet dhe poliklinikat vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie, si dhe të ofrojnë gjatë 24 orëve ndihmë të specializuar mjekësore për të gjitha rastet e paraqitura. Sipas të dhënave të deklaruara, 658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale teksa aktualisht po trajtohen 65 të lënduar, nga të cilët 8 janë në gjendje më të rënduar, nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.

Në vizitën që ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu zhvilloi dje në në spitalin e Traumës, deklaroi se po bëhet e pamundura për të trajtuar me profesionalizëm çdo të lënduar.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga ekipet mjekësore qoftë këtu në spitalin e Traumës, qoftë në spitalin e Durrësit, por edhe nga urgjenca paraspitalore për trajtimin e 650 të lënduarve si pasojë e tërmetit”, vuri në dukje ministrja Manastirliu, teksa konfirmoi se dy prej të lënduarve nga tërmeti po vlerësohen të dërgohen për trajtim më të specializuar në Itali.

“Jemi në kontakt me partnerët tanë italianë që kanë sjellë misione shëndetësore për të na ndihmuar në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe po bëhet vlerësimi i një djali 30 vjeçar dhe një vajze 20 vjeçare për t’u dërguar në Itali”, nënvizoi ministrja Manastirliu, teksa konfirmoi gjendjen e gatishmërisë jo vetëm në spitale, por edhe në qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti dhe në qendrat e emergjencës. Për të shmangur ndërlikimet që mund të vijnë nga frika apo paniku i shkaktuar nga tërmetet, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se fillimisht duhet të kërkoni ndihmë.

Nëse tërmeti ka shkaktuar dëme fizike në ambientet tuaja, apo në komunitet kërkoni menjëherë ndihmën e institucioneve shtetërore. Nëse vini re, përkeqësim të shëndetit si pasojë e stresit shkoni të merrni menjëherë ndihmë të specializuar në pikën apo qendrën më të afërt shëndetësore. Një tjetër këshillë që nuk duhet të neglizhoni është edhe të folurit për frikën, ankthin, stresin e shkaktuar nga tërmeti.

Ndani situatën fillimisht me personat që keni pranë. Nëse gjykoni se situata është tej mundësive personale, për ta menaxhuar duhet të drejtoheni tek një mjek specialist. Gjithashtu këshillohet që të ruani lidhjet me komunitetin. Në situata të tilla, ruajtja e lidhjeve, madje edhe ofrimi i ndihmës nëse është e nevojshme, ndihmon nga ana tjetër edhe në uljen e ankthit dhe në përmirësimin e gjendjes psikologjike.

Barnat dhe pajisjet që duhen:
Karrocë
Aparat për matjen e glicemisë
Uturak
Pompa të ndryshme për trajtimin e astmës
Pompë shpuese
Aspirinë 100 mg
Amlodipine
Atenolol
Qafore
Analgjezikë, antipiretik
Tegretol
Antihipertensive të ndryshëm
Aripiprazole
Salospir
Mebhidroline
Ibuprofen
Fluomed
Librian
Riscon
Siofor
Maninil
Enalapril
Aparat diabeti
Herbifit
Ateroz
Tritace
Biosensor (fisha)
Naproksen
Methylprednizolon 4 mg
Kompleks Omega
Metropolol
Barna të ndryshme për trajtimin e shëndetit mendor;
Fisha për aparatet e matjes së glicemisë, etj.

o.j/dita

Share This Article