“Qerratuci që arriti derisa vdiq të mbulohej kokë e këmbë me gjemba vetëmbrojtës e vetëshfajësues”, rrefimi i Isuf Kalos për Ramiz Alinë

Ornela

Nga Isuf Kalo

Botuar në DITA

Ndërkaq, Ramiz Alia si person dhe si qytetar, e kishte që në rini brenda vetes një brengë. Ai, edhe pas studimeve për ideologjinë marksiste-leniniste ndihej si një “intelektual pa profesion të mirëfilltë”. Kur unë isha mjek i ri në Klinikën e Udhëheqësve në vitet 1970, ai erdhi aty për një problem shëndetësor dhe pasi mbaroi ekzaminimet, hapi vetë një bisedë miqësore.

U interesua për planet tona profesionale e sidomos ato shkencore. Më pyeti nëse e kisha zgjedhur vetë mjekësinë për profesion. Ju përgjigja që ishte një vendim fëmijëror imi, në moshën 10 vjeç, si premtim ndaj nënës sime, për ta shëruar atë kur të plakej e sëmurej.

Ai buzëqeshi me përzemërsi, por pastaj sikur u ngrys dhe për një moment shprehu një lloj “zilie” njerëzore që ne po merreshim me shkencën dhe profesionin që e dashuronim. “Eh! — tha, — lum ju! Ku ka si profesioni që ke ëndërruar vetë në fëmijëri!”, dhe lëshoi një psherëtimë.

Siç pati pohuar më vonë në librin “Jeta ime”, ai kishte ëndërruar të bëhej inxhinier (asaj kohe sipas Leninit, pushteti sovjetik ishte “pushteti i inxhinierëve”?). Kjo, sepse prioritet ishte industrializimi i vendit dhe që ai të kryhej kërkonte shumë inxhinierë. Premisat e intelektit i kishte të plota për t’u bërë i tillë. Në gjimnazin e Shkodrës, ku nisi shkollën e mesme, ishte shquar në shkencat ekzakte: matematikë, fizikë, kimi. Mirëpo në vend të tij ëndrrën për profesionin e dëshiruar fati ia përmbushi së shoqes, Semiramisit, e cila studioi e u diplomua në Inxhinieri Kimike dhe ia kushtoi jetën e saj me pasion qenies pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës.

Sa kohë vallë i dhembi ndërprerja e ëndrrës profesionale, të cilën e bëri të pamundur angazhimi së pari në luftë, e më pas në politikë? A mos ishin velja apo ndoshta edhe “pështirosja” nga pushteti e monotonia e zyrës, e shkresave, e detyrave burokratike e partiake që kryente, të cilat nuk kishin sharmin dhe nuk ia ushqenin pasionin tërheqës që pati ëndërruar në moshën rinore?

Ramiz Alia dhe Enver Hoxha

Atë çast që ne po bisedonim, ai me jakën e këmishës të nxjerrë mbi xhaketë, në formë sportive rinore si e komsomolasëve sovjetikë, m’u duk sikur “fliste pa folur”. A ruante ai brenda vetes enigma, vlera e ndoshta edhe zhgënjime të rrezikshme në ato kohë për t’i ekspozuar? Kjo më bëri ta shoh më me admirim si një person interesant. “Ja, thashë me vete atë ditë, edhe këto personalitete të lartë, të nderuar që e kanë kapur qiellin me dorë mund të mos jenë aq të lumtur sa duken!”

Në dallim nga “tufa e kolegëve të zymtë” të tij, Ramizi m’u duk atë ditë “dikush ndryshe”. Dikush “tjetër”, i vetmuar brenda vetes dhe i vetmuar mes të tjerëve. Ishte realisht më afër preferencave të mia të atëhershme rinore. Dhe nuk isha i gabuar në këtë hamendje. Më pas ai më rezultoi në mjaft drejtime vërtetësisht i tillë.

Ndoshta shqetësimi i tij i asaj dite lidhej me drejtimin dhe angazhimin që i kishte dhënë jetës. Mangësia e formimit të plotë universitar cilësor, sidomos në shkencat ekzakte, mungesa e një profesionalizmi të mirëfilltë dhe mosnjohja e kritereve shkencore në përzgjedhjen e vendimmarrjeve të drejta, do të rezultonte më pas një faktor fatal jo vetëm për atë vetë, por për të gjithë vendin tonë.

Ai do të ishte një nëpunës, një zyrtar i lartë, por për vendimmarrjet e duhura e të drejta do i duhej një metodologji seleksionuese e bazuar në fakte. Sepse, mes gjuhës së sheqerosur propagandistike dhe të vërtetave, jo rrallë të hidhura, të evidencave shkencore, qëndron shpesh një hendek i madh.

Atëherë unë nuk e dija se një ditë Ramiz Alia do të bëhej personi “numër një” vendimmarrës i vendit. Asgjë nga paraqitja, statura dhe konstrukti relacional e shpirtëror i tij nuk të linte të hamendësoje se ai kishte prerjen e duhur për këtë. Dhe kjo është një nga çuditë e fatit të tij. Duket sikur ai i imponoi vetes të merrej me diçka të paëndërruar, të padëshiruar nga ai vetë. Ndoshta dhe të pamundur për ta kryer?

Ramizi ishte sekretar rinie në luftë, sekretar i parë i rinisë shqiptare pas Çlirimit, pastaj sekretar ideologjik i Komitetit Qendror të partisë dhe në fund sekretar i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Më i pushtetshmi i vendit. Posti i sekretarit të partisë u shndërrua së pari në profesion nga bolshevikët. “Kishim matriarkat, pastaj patriarkat, tani kemi sekretariat”, pati ironizuar dikur Trocki. Zyra u bë bota që përpiu energjitë, ëndrrat e iluzionet e dikurshme djaloshare të tij. Në gjuhën ruse, ky profesion quhej “Cinovnik”. Ai u bë një i tillë tipik.

Ramizi qëndroi për katër dekada me radhë në zymtinë e zyrës së tij me dritare të zëna me grila dhe perde të trasha, e shtruar me tapet kadife ngjyrë vishnje, brenda ndërtesës së rëndë të Komitetit Qendror. E ndërtuar edhe ajo sipas arkitekturës ruse, me kolona dhe harqe që krijonin mister dhe ftohtësi.

Aty pati fare pak kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit, me vendet ku punohej, ndërtohej, prishej, mbillej e korrej; Ai u shndërrua në burokrat partiak profesionist. Ndodhte rrallë edhe që t’i vizitonte apo takonte ata. Por kryesisht në zyra partie, në salla konferencash, apo sheshe mitingjesh ku u ofronte atyre premtime dhe shpresë, ose paralajmërime. Por jo zgjidhje. Sepse këto ishin detyrë e qeverisë dhe pushtetit ekzekutiv.

Ramizi nuk u ngul të punonte e të jetonte asnjëherë qoftë edhe për disa muaj, diku jashtë Tiranës, larg zyrës së tij. Disa nga kolegët e tij të Byrosë Politike kishin “qarkulluar” diku jashtë kryeqytetit. Ai jo. Me sa dukej, Enveri donte që ta mbante më afër se këdo tjetër, nën vëzhgim, nën sqetullën edukuese, frymëzuese dhe mbrojtëse të tij.

Brenda kuvlisë së Komitetit Qendror, me kalimin e viteve dhe dekadave djaloshi Ramiz Alia gradualisht sikur u vyshk. U ndryshk shpirtërisht. Disa bashkëpunëtorë të tij besonin se shkaku nuk qe vetëm mjedisor. Sipas tyre shkaku ishte edhe brumi karakterial dhe emocional i atij vetë.

Faqja e parë e DITA 23/07/2021

Që kur kishte ardhur aty, më së pari djalosh, Ramizi ishte shquar për korrektesë dhe mirësjellje, por dhe si njeri i mbyllur, i kujdesshëm e i thatë, pa lëng shpirtëror. “Me një fjalë, pati thënë një ndër bashkëpunëtorët e atëhershëm të tij për ta karakterizuar, djalë Shkodre që nuk gërget kënd, as mburret, as dëgjon e as di barsoleta”.

Zyra dhe detyra shumëvjeçare e cinovnikut të imponuara nga sistemi e shndërruan Ramiz Alinë në një kaktus që rritej ngadalë, tinëzisht, pa pretendime, “pa kërkuar shumë ujë”, në vazot luksoze të mbrojtura nga erërat e Bllokut dhe të Komitetit Qendror të Partisë.

Kaktuset në vend të luleve e frutave prodhojnë gjemba rreth vetes për të mos i prekur kush. Edhe Ramiz Alia arriti të vetëmbulohej kokë e këmbë gjithë jetën deri sa vdiq me gjemba vetëmbrojtës e vetëshfajësues.

Një meritë e çmueshme e Ramizit asaj kohe ishte edhe zotësia për “vetëkyçjen e gojës”. Fjala është për mosshprehjen e kritikave ose të pakënaqësive për regjimin ose për udhëheqjen e lartë. Ramizi qëndroi i heshtur e mosbesues thuajse ndaj kujtdo. Edhe në bisedat intime me Todi Lubonjën, që ishte ndër të paktët me të cilin kishte njëfarë miqësie personale, ky i fundit ka pranuar që kanë biseduar dhe komentuar të dy si miq të ngushtë, por nuk kishte nxjerrë nga goja e tij ndonjë fjalë të dënueshme armiqësore. Në shiritat e magnetofonit të Sigurimit të Shtetit që monitoronin fshehurazi në privatësi kudo bisedat e udhëheqësve të lartë, nuk u regjistrua dot asnjëherë ndonjë fjalë a shprehje e dyshimtë e thënë prej tij.

Një herë tjetër, kur ai erdhi në Klinikën Speciale për konsultë mjekësore, Ramizi ishte i veshur me këmishë të bardhë dhe kostum ngjyrë gri të çelët, si të Enverit. Ai rrezatonte përzemërsi dhe shfaqej i shkathët, i qeshur. Kur mbaroi vizitën dhe po largohej, më rrahu miqësisht lehtë shpatullat dhe më përshëndeti: “Hajt ditën e mirë doktor! Puna e mbarë!”. Dhe i qeshur si të ishte djalosh “garip” shkeli njërin sy! Shumë vite më pas, në kujtimin e atij gjesti realizova disi i çuditur që ai shkeljen e syrit e paskësh pasur ves. E përdorte herë pas here në biseda edhe me personalitete kur donte të linte të nënkuptohej një mesazh apo diçka tjetër të fshehtë konfidenciale a shejtanëzore, që ai nuk donte ose nuk mund ta thoshte hapur.

Atë ditë gjesti më la një përshtypje jo të këndshme. Sepse, siç dihet, zakonisht shkelja e tij e syrit është mënyrë komunikimi e hilacakëve. Unë si mjek fare i ri, i perceptoja atëherë personalitetet e lartë anëtarë të Byrosë Politike, siç ishte edhe ai, persona seriozë. Nuk e pata imagjinuar që dikush prej tyre mund të bënte një gjest të tillë. Dhe në fakt nuk besoj se ky ves haset rëndom në botë te ndonjëri nga personalitetet shtetërore. Atë ditë në sytë e mi pesha e tij u bë më e lehtë.

“Është dreq ky shoku Ramiz!”, tha atë ditë me admirim njëra nga infermieret veterane të Klinikës së Udhëheqjes, e cila ishte mësuar me ta. Pastaj vazhdoi: “I shkathët shejtani. Qerratuc i madh”. Qerratuci ndryshe nga kolegët e tij, edhe pse qëndroi aq gjatë në lartësitë e pushtetit, shpëtoi mrekullisht pa pësuar gjë.

Them se një arsye do të ketë qenë qëndrimi i tij i qëllimshëm anash, i papërzier, pa miq të ngushtë intimë, i pahapur me asnjë nga anëtarët e tjerë të Byrosë apo me personat e afërt me të cilët bashkëpunonte.

Ramizi ishte më i riu ndër byroistët, por u bë më “i pjekuri”, më i kujdesshmi në akte, në komunikim dhe arsyetim. Ai nuk ra si shumica e bllokistëve në gabimin e lakmisë për luks, mall apo pasuri. Përkundrazi, mbajti një aparencë korrektësie e modestie si për veten dhe për familjen, pa teprime, pa lakmi e abuzime financiare, duke ruajtur një brendësi më intelektuale dhe një mendësi më të rafinuar urbane.

Një nga shpjegimet është se lakmitë materialiste dhe rivalitetet e luksit, e vanitetit apo favorizimet nepotike brenda Bllokut, më së shumti nxiteshin dhe inspiroheshin së pari nga gratë ose fëmijët e rritur të udhëheqësve të lartë.

Ramiz Alia edhe në këtë drejtim qëlloi me shumë fat. E shoqja e tij, Semiramisi, por dhe të tre fëmijët e tyre nuk kishin manira dhe interesa obsesive të kësaj natyre. Për ta, ato lakmi qenë jo prioritare. Ajo kishte kulturë, edukatë qytetare, profesionalizëm dhe integritet. Ramizi e kishte njohur atë që gjatë viteve të luftës partizane. Por në vitet 1950 u dashuruan dhe vendosën të lidhnin martesë. “Muajin e mjaltit” e bënë kur u nisën të dy për studime në Bashkimin Sovjetik në një udhëtim të gjatë me vapor në Detin e Zi, deri në Krime.

Jeta me favore e Semiramisit në Bllok nuk kishte ndikuar në mentalitetin qytetar e dinjitoz, të saj, në natyrshmërinë dhe modestinë e paraqitjes, zakoneve, preferencave dhe sjelljeve të saj. Ajo ndryshe nga disa gra të Bllokut ose gra ministrash, shkonte e vinte në këmbë çdo ditë nga Blloku në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pa abuzuar me përdorimin e mjeteve zyrtare në dispozicion të të shoqit. Pa kujdesje të veçantë për pamjen e saj të jashtme, pa ndonjë tualet a krehje speciale, e veshur thjesht, pa mani e pa asnjë pasion ndaj luksit dhe modës, ajo nuk rrezatonte asgjë të privilegjuar nga Blloku, përveç mirësisë, mençurisë dhe çiltërsisë së veçantë të saj.

Botuar në Dita nga libri BLLOKU, botim i UET Press

Share This Article