KM i kënaqur: Gjithçka shkon mirë, PPP-të, pjesë e “procesit të Berlinit”

Elena Tase

Kryeministri Edi Rama prej orës 11:00 po zhvillon një bashkëbisedim me gazetarët për të folur për krizën politike, ekonominë, por edhe objektivat.

Rama gjatë fjalës së tij për infrastrukturën e vendosi theksin te dy rrugët e reja që do të ndërtohen me PPP-të, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, rajoni i Shkodrës ku thumboi Voltana Ademin sërish, por nuk harroi as Poradecin, që gjithashtu drejtohej më parë nga të djathtët.

“Së shpejti nisin punimet për Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Milot-Balldren është pjesë e korridorit blu, europian dhe pjesë e projekteve rajonale të procesit të Berlinit, ndërsa Orikum-Dukat është një tjetër aks me rëndësi strategjike, të cilit duam ti bashkojmë tunelin e Llogarasë, për të cilin ka nisur studimi dhe së shpejti nis projekti. Prioritet nisja e punës për Shëngjin-Velipojë, për rrugën e Thethit, projekte të financuara që janë në fazat e fundit të procedurave.

Nga ana tjetër rruga e Semanit. Shkodra do të marrë një rëndësi të vecantë, do të jetë zonë me prioritet strategjik, i gjithë rajoni i Shkodrës. Jemi përgatitur dhe kemi një sërë projektesh, nga finalizimi i atyre të nisura apo të mbetura në start për shkak të murit shurdh të bashkisë, deri te disa projekte më të gjëra, që synojnë të krijojnë një atraksion të ri turistik nga liqeni deri në alpe. Do të fokusohemi te parku i Lurës, Korabit dhe Shebenikut” tha ai.

Ndër të tjera, ai bën me dije se ekonomia është rritur me 2.21% krahasuar me një vit më parë, ndërsa garantoi se aksioni anti-informalitet do të vijojë deri në fund të mandatit. “Një komunikim për të përmbledhur 6 mujorin e parë të vitit dhe për të nënvizuar disa prioritete shtator 2019-korrik 2020. Duke qenë se ju do të pyesni për politikën, politikën do ua lë ju të pyesni dhe do të fokusohem te qeverisja duke filluar nga ekonomia, që edhe në një situatë jo normale, aspak nxitëse, por frenuese u rrit krahasuar me një vit më parë me 2.21%.

Ndërkohë efekti i thatësirës së madhe është ndjeshëm duke pasur parasysh se vjet patëm një vit me shumë reshje dhe mundësi të shtuar për rritjen ekonomike. Të ardhurat kanë pasur një pasojë problematike për shkak të frymës së anti shtetit që ka ndikuar edhe në rritjen e informalitetit, që do të mbetet në fokus. Papunësia është ulur. Borxhi rezulton me një ulje në raport me qershorin e vitit të kaluar, 2.16%” tha ai.

e.t./dita

Share This Article