Kryeministri Edi Rama ka komentuar ngjarjen pranë “Petro Ninit” ku policia, banorët e një shtëpie dhe disa punonjës të një kompanie përmbarimore u përfshinë në konflikt.
Në rubrikën “Përgjigja ime”, shefi i qeverisë ka dënuar formën e ndërhyrjes së policisë duke e cilësuar si të papregatitur për situatën.
“Trupa ishte nisur pa asnjë përgatitje paraprake. U krijuan skena të panevojshme, njerëz që shtriheshin rrugës dhe policia që nuk dinte se çfarë bënte, shikonte si trupë pa kokë. Ishte dinjitoz reagimi i drejtorit të policisë që largoi nga detyra drejtuesin e policisë së Tiranës”, u shpreh Rama.
Më poshtë pjesë nga deklarata e tij:
“Lidhur me ngjarjen e djeshme te Petro Nini, u provokua qëllimisht irritimi i njerëzve pa u dhënë informacion faktik. unë do të them cfarë di unë, pasi jam informuar në detaje, që edhe për mua dje ishte irrituese.
Me ligj vendimet ekzekutohen nga përmbarimi, kur kërkon mbështetjen e policisë, policia është e detyruar që ta mbështesë. Duke shkuar në mbështetje të përmbarimi policia zbatoi ligjin, por edhe pse prania ishte kërkesë e ligjit, sjellja e saj nuk ishte dinjitoze, trupa ishte nisur pa përgatitje.
Ishte një mësim i mirë për policinë, reagimi dinjitoz i ministrit, që mbajti anën e opinionit të qytetarëve. Policia duhet të jetë me mendje dhe zemër. Lirimi i drejtuesit të Tiranës ishte mesazh se të jesh në rregull me ligjin nuk mjafton, pasi duhet dicka më shumë.
Qeveria nuk është e përsosur, por ka një virtyt, ka sytë dhe veshët katër për të parë dhe dëgjuar. Kur të mos më keni do më kujtoni. Por deri atëherë ka yhyhy kohë. Rëndësi ka të na bashkojë qëllimi i mirë”, u shpreh Rama.
Një ditë më parë ministri Lleshaj tha gjithashtu se drejtori i Policisë së Tiranës ishte liruar për shkak të ngjarjes te “Petro Nini” dhe gati me të njëjtat fjalë si KM tha se “nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull”.
“Vendimi i kreut të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra të drejtuesit të Policisë së Tiranës është reagimi i duhur. Nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull. Prej saj kërkohet më shumë. Ajo duhet të jetë dhe me mendje e zemër në lartësinë që e kërkon ndjeshmëria dhe interesi i publikut. Jo si sot, tek rruga e shkollës “Petro Nini” – shkruante ministri.
k.a. / dita
