Kandidatura e Jean-Claude Juncker, për postin e Presidentit të Komisionit Europian vazhdon të jetë në fokus të diplomacisë evropiane, në një lobim të hapur pro dhe kundër miratimit të tij. E nisur si një skicim projekti nëpërmjet Traktati të Lisbonës, për t’i dhënë më shumë transparencë demokratike dhe besueshmëri zgjedhjes së tij nëpërmjet elektoratit, dukej se ishte planifikuar për një rrëshqitje më pas, në shpërfillje të lojës demokratike.
Lëvizja nga formati demokratik dhe presioni i ushtruar nga politika vendase, ndikoi që kancelaria Merkel të pozicionohej përfundimisht pro kandidaturës së PPE-së, Juncker. Ajo ndërmori gjithashtu një fushatë lobimi me vendet, që tashmë e kishin deklaruar hapur mos miratimin e kësaj kandidature. Ndonëse nuk pati konfirmim zyrtar, nëse objekti i lobimit ishte Juncker, të mbledhur të gjithë në një varkë, në një organizim Mini-Samiti në Suedi me kryeministrin britanik Kamerun, holandezin Rutte dhe suedezin Reinfeldt, Merkel përpiqej të bindte zërat kundër Juncker.
Ndër kundërshtimet më kategorike dhe të forta shfaqet refuzimi i britanikut Kamerun. Reagimi i tij u shoqërua me një kërcënim, se në rast miratimi të kësaj kandidature ai do të përshpejtonte referendumin e premtuar për dalje të Britanisë nga BE. Ndonëse argumentimi logjik kërcënues i ofruar, në pamje të parë të krijon përshtypjen tejet reduktuese, se për mos uljen e një individi në një post normal, do të tronditen interesat ekonomike dhe politike britanike dhe evropiane, skema e përdorur edhe mund të justifikohet nëse marrim parasysh nga njëra anë pozicionin politik të pafavorshëm të Kamerun dhe partisë së tij pas rezultateve të zgjedhjeve evropiane, si edhe kërkesat e tij përballë BE-së për rinegocim termash në traktate në dobi të interesit britanik.
Paralelisht me këtë kërcënim, parashtroheshin edhe “kërkesat speciale” britanike për përfitime postesh dhe portofolash në nivel evropian, në shkëmbim të votës pro-Juncker. Ndër to spikasin, kërkesa për postin e zv. Presidentit të komisionit Europian si edhe mundësia e një Komisioneri britanik, i cili do të ketë një ‘super’ portofol që përfshin kompetenca mbi tregun e brendshëm, konkurrencën, tregtinë dhe energjinë. Në këtë paketë kërkesash, Londra kërkon edhe postin strategjik të Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit, si edhe ‘përfitime të tjera shtesë’.
Por, problemi qëndron tek fakti se zgjedhja e kësaj skeme, bazohet në një skicim jo shumë të favorshëm duke marrë parasysh se, Britania nuk mund të vendosë veton ndaj kësaj kandidature, por duhet të krijojë një mundësi bllokimi, duke tërhequr dhe vende të tjera pas saj. Një sërë vendesh si Hungaria, Italia, Suedia, Holanda, Franca ishin shprehur tashmë kundër kandidaturës së Juncker. Por, këto ditë Italia ka ndryshuar qëndrim. Lobimi pro Juncker, duket se ia ka dalë të bindë kryeministrin italian Renzi, se do të gjejë mbështetje të kërkesave të tij politike në nivel europian, për më pak politika shtrënguese ekonomike dhe për më shumë zhvillim të politikave mbi rritjen ekonomike dhe kjo në shkëmbim të votës pro Juncker. Pa mbështetjen ose abstenimin italian, vota kundër Juncker minimizohet.
Fushata e egër mediatike e Kamerun kundër Juncker qartazi e prerë midis dy opsioneve: ose mos miratimin e tij, ose tërheqjen e vetë kandidatit fitues nga procesi selektues, ekspozohet si një taktikë me risk, e cila nënkupton, se çdo opsion tjetër do ta shfaqë humbës përballë elektoratit dhe partisë së tij. Të pozicionuar në këtë optikë, mund të kuptohen dhe lëvizjet strategjike për ulje të standardit të kërkesave britanike nga refuzim total i kandidaturës, në disa kërkesa për përfitime postesh dhe portofolash.
Por, si do të prezantohet Kamerun përballë elektoratit në këtë zgjedhje strategjike, politike? Diplomacia produktive e Merkel dhe mundësitë që Juncker të mos refuzohet, po rriten gradualisht. Mundësia që Britania të mos formojë dot, as një minoritet bllokues në këtë votim, është e mundshme gjithashtu. A do të shfaqet Kamerun nëpërmjet një politike viktimizuese, duke ia kaluar përgjegjësinë e pafuqisë negociuese të tij, fuqisë reale diplomatike gjermane? Apo, kjo do ta shtyjë atë më tej, në veprimin e tij, si mbrojtës politik i idesë për referendum dalje nga BE, në rast dështimi negocimesh me të?
Të gjitha opsionet duken, se nuk janë aspak në favor të diplomacisë britanike. Nëse Juncker miratohet, diplomacia e Kamerun mund të konsiderohet se ka dështuar. Nëse “kërkesat speciale” të Kamerun refuzohen, si edhe është deklaruar politikisht nga Juncker, i mbështetur në këtë refuzim dhe nga liderë të tjerë evropianë, dështimi i dytë i shtohet atij të parë. Nëse miratimi i Juncker shoqërohet, si edhe pretendon Kamerun, me një refuzim në vazhdim nga ana e tij, në lidhje me kërkesat për rinegocime termash në traktatet e BE-së, diplomacia e Kamerun do të shfaqet sërish e humbur. Nga ana tjetër, probabiliteti se diplomacia evropiane, pas problematikave që reflektuan rezultatet e zgjedhjeve evropiane, mund të thellojë më tej krizën demokratike dhe institucionale të saj, duke mos miratuar Juncker, është shumë i ulët.
Por, kërcënimit të Kamerun se do të përshpejtojë referendumin për dalje të Britanisë nga BE, nuk po i përgjigjet aspak elektorati. Sondazhi i fundit i “YouGov” për “The Sun” shfaq një tendencë në rritje me 8 pikë, si asnjëherë tjetër të britanikëve që kërkojnë të qëndrojnë në BE. 44% e britanikëve, nëse votojnë në këto momente, janë pro qëndrimit të Britanisë në BE, kundrejt 36% që kërkojnë daljen e saj nga BE.
E gjendur në këtë panoramë dhe pavarësisht faktit se, diplomacia e Kamerun do të përpiqet të minimizojë ose të menaxhojë dëmet politike, që mund të shkaktojë më tej vazhdimi i këtij procesi, ky profilizim i pasuksesshëm i shoqëruar edhe me rezultatet humbëse në zgjedhjet e fundit europiane, mund edhe të konsiderohen si kronika e afrimit të një fundi të paralajmëruar për Kamerun./im.ta/