Përpara se projektligji për referendumin europian të prezantohet në Parlament, euroskeptikët britanikë ka korrur fitoren e tyre të parë: regjistrimin e votuesve. Nuk mund të votojnë në referendum gjithë banorët britanikë jashtë vendit. As qytetarët e BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar (rreth një milion e gjysmë). Dhe së fundi, votimi nuk do të shtrihet, siç kërkonin laburistët dhe nacionalistët skocezë të SNP tek britanikët 16-17 vjeçarë.
Projekt-ligji do të prezantohet të mërkurën në fjalimin e Mbretëreshës (përmbledhja e programit legjislativ të qeverisë së re, që Elizabeth II lexon nga froni i saj në Dhomën e Lordëve), përpara se të kalojë në debat dhe votim. Kështu e drejta për të votuar është e njëjtë si në zgjedhjet e përgjithshme, dhe jo si ato lokale, apo evropiane. Mund të votojnë britanikët mbi moshën 18 vjeç, irlandezët dhe qytetarët e Komonuelthit rezident në Mbretërinë e Bashkuar dhe britanikët që jetojnë jashtë vendit për më pak se 15 vjet.
Do të votojnë gjithashtu anëtarët e Dhomës së Lordëve dhe qytetarët e Komonuelthit rezidentë në Gjibraltar që nuk mund të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Shumë përkrahës të qëndrimit në BE kanë mbrojtur zgjerimin e të drejtës së votës për britanikët që janë rezidentë në vendet e tjera anëtare, që do të jenë më të prekurit nga rezultati i referendumit. Ata gjithashtu mbështetën zgjerimin e drejtën e votës për personat 16-17 vjeçarë, duke pasur parasysh se rezultati i këtij referendumi do të jetë shumë më pak i kthyeshëm se ai i zgjedhjeve të përgjithshme dhe, për këtë arsye, do të ishte e dobishme një regjistrim sa më i gjerë të ishte e mundur.
David Cameron nuk ka dashur të humbasë as edhe një ditë nga axhenda e tij e bisedimeve me autoritetet evropiane për të rënë dakord mbi kushtet e reja të marrëdhënies mes Londrës dhe Brukselit. Dje pasdite kryeministri i rizgjedhur u takua në rezidencën e tij të pushimeve në Chequers me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Junker, të cilin vetëm një vit më parë, kryeministri donte me çdo kusht që të mos merrte detyrën. Në fund të javës Cameron ka në plan të vizitojë Danimarkën, Holandën, Francën, Poloninë dhe Gjermaninë. DITA
