E ndërsa e gjithë bota po lufton me Covid-19, ekspertët e shëndetit apelojnë që të mos neglizhohet edhe kujdesi për sëmundshmëritë e tjera, të cilat gjithashtu janë një kërcënim i vazhdueshëm i shëndetit tonë. Një ndër shqetësimet e shpeshta që kërkon vëmendjen e të gjithëve, është ndërhyrja në parandalimin apo diagnostikimin e hershëm të hepatiteve virale, vecanërisht llojeve B dhe C që shoqërohen me ndërlikime të rënda deri në pasoja për jetën. Konkretisht, llojet B dhe C të hepatitit çojnë në sëmundje kronike qindra miliona njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë që shpesh përfundojnë në vdekje. Sipas të dhënave të konfirmuara nga strukturat e shëndetit virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së bashku shkaktojnë rreth 80 për qind të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë. Përkundrejt kësaj rrezikshmërie që paraqesin vecanërisht këto dy lloje hepatitesh, sot në “Ditën Botërore të Hepatiteve”, apelohet për marrjen e masave në parandalimin kryesisht të transmetimit të virusit nga nëna tek fëmija.
“Hepatiti viral është inflamacion i mëlçisë, i njohur ndryshe si verdhëza, i shkaktuar nga viruse të ndryshme. Ka disa lloje hepatitesh virale A, B, C, D dhe E, në varësi të llojit të virusit që i shkakton. Hepatiti B dhe C sëbashku janë shkaku më i zakonshëm i vdekjeve me afërsisht 1.3 milion jetë të humbura çdo vit. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë Covid-19 hepatiti viral vazhdon të marrë mijëra jetë çdo ditë. Slogani i Ditës Botërore të Hepatiti për këtë vit është “Një e ardhme pa hepatit”, duke pasur në vëmendje parandalimin e hepatitit B tek nënat dhe të porsalindurit. Në këtë ditë Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të japë rekomandimet e reja për parandalimin e transmetimit te këtij virusi nga nëna tek fëmija”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik në vendin tonë.
Ekspertët e OBSH-së u kanë kërkuar të gjitha shteteve që gjatë kësaj periudhe të pandemisë që të mos neglizhojnë ruajtjen e shërbimeve kryesore të hepatiteve. Shërbimet e parandalimit dhe kujdesit ndaj hepatiteve, siç janë imunizimi i foshnjave, shërbimet për uljen e rrezikut dhe trajtimit të vazhdueshëm për hepatitin kronik B, të cilat janë gjithashtu të rëndësishme edhe gjatë pandemisë së koronavirusit të ri.
Në vijim të shkrimit, krahas këshillave që duhet të dimë rreth rrezikshmërisë që paraqet virusi i hepatitit B, si dhe masave që duhet të merren për ta parandaluar, tregojnë edhe 5 strategjitë që u janë rekomanduar të gjitha vendeve në luftën kundër hepatitit.
Rrezikshmëria që vjen nga Heptaiti B
Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë, potencialisht kërcënues për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike. Hepatiti B është një problem madhor global shëndetësor dhe lloji më i rëndë i hepatitit viral. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë.
Kanceri i mëlçisë është pothuaj gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona që janë në moshën më produktive dhe që kanë përgjegjësi familjare.
Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar. Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si për virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues. Ndryshe nga virusi HIV, virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Çdo njeri që bie në kontakt me gjakun apo lëngje të tjera të trupit të një personi të infektuar me virusin e hepatitit B, është i rrezikuar të infektohet.
Duhet të dini që Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja apo shtrëngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi apo uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.
Diagnostikimi
Sa i takon diagnostikimit, nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar sepse nuk kanë shenja të dukshme. Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar.
Si mund të parandalohet
Vaksinimi dhe kujdesi ndaj faktorëve të riskut janë thelbësore në parandalimin e hepatitit viral. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon që të gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, brenda 24 orëve. Doza e lindjes duhet të pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit.
Përveç vaksinës e cila ka një siguri dhe efektivitet të lartë, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë së gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B. Praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jenë strategji efektive për t’u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve dhe përdorimin e masave mbrojtëse/prezervativë mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B.
Rekomandimet për parandalimin e hepatitit
Parandalimi i infeksionit tek të porsalindurit
Të gjithë të porsalindurit duhet të vaksinohen për hepatitin B që kur lindin, e ndjekur më pas me të paktën edhe 2 doza.
Ndaloni transmetimin nga nëna tek fëmija
Të gjitha gratë shtatzëna duhet të testohen në mënyrë të vazhdueshme për hepatitin B, HIV dhe sifilizin dhe nëse nevojitet duhet të mjekohen.
Mos lini asnjë të pa përfshirë
Çdo person duhet të ketë qasje ndaj shërbimeve të parandalimit, testimit dhe trajtimit të hepatiteve përfshirë persona që injektojnë drogë, të burgosurit, emigrantët dhe popullata më të prekura.
Më shumë akses në testime dhe në trajtim
Testimi dhe trajtimi në kohë i hepatitit viral mund të parandalojë kancerin e mëlçisë dhe sëmundje të tjera të rënda të mëlçisë.
Kujdesi gjatë Covid-19
Gjatë Covid-19 vendet këshillohet të ruajnë me kujdes shërbimet kryesore të hepatiteve. Shërbimet e parandalimit dhe kujdesit ndaj hepatiteve, si: imunizimi i foshnjave, shërbimet për uljen e rrezikut dhe trajtimit të vazhdueshëm për hepatitin kronik B, janë të rëndësishme edhe gjatë pandemisë së Covid-19.
