Një prej figurave më të njohura të ekstremit të djathtë, holandezi Geert Wilders është gjetur fajtor nga gjykata për diskriminim, por jo për ngjallje të urrejtjes. I njohur për pozicionimet e tij islamofobe, pozicionime kundër sistemit politik tradicional dhe elitave politike, procesi gjyqësor i zhvilluar kundër tij, duket se ka ndikuar në rritjen e mëtejshme të popullaritetit, që ai gëzon. Holanda pritet të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme në muajin mars, të vitit 2017 dhe sondazhet paraprake e nxjerrin Wilders fitues. Sondazhet i atribuojnë rreth 34 vende në parlament, pra 10 vende më shumë se partia e kryeministrit liberal Mark Rutte.
Holanda, ka spikatur në arenën ndërkombëtare për traditën e saj tolerante dhe shumë-kulturore. Këto tendenca identifikuese të shtetit dhe shoqërisë holandeze, njohën një ekspozim të rëndësishëm, sidomos përgjatë valëve të mëdha të migrimit, në vitet ’50-’60. Ndjekja në vitet në vazhdim e filozofisë shtetërore, gjithëpërfshirëse, krijoi edhe mundësinë e hartimit të politikave integruese përgjatë viteve ’90.
Kjo kulturë tolerance dhe shumë-kulturore, ka përbërë një nga faktorët dominues, që ka ndikuar në pasjen e një spektri politik nacionalist të dobët dhe me jetë relativisht të shkurtër elektorale. Një sërë partish nacionaliste të krahut të djathtë, do të dështonin në iniciativat e tyre politike, duke u përballur edhe me akuza ligjore për racizëm dhe diskriminim.
Në vitin 1960, “Partia e Fermerëve”, dështoi në artikulimin e një ideologjie koherente. Partia “Unioni i Popullit Holandez”, e krijuar në vitin 1971, vetëm gjashtë vite më vonë, arriti të fitonte një vend në parlament. Por, ndërsa linja ekstremiste e partisë ashpërsohet drejt ksenofobisë dhe racizmit, Gjykata e Hagës ndalon aktivitetin e saj duke e konsideruar, se binte ndesh me moralin dhe rendin publik. Një tjetër parti e quajtur “Partia e Qendrës”, arrin më 1982, të fitojë një vend në parlament, por edhe kjo parti do të përballet me akuza ligjore për racizëm dhe diskriminim, pas protestave të fuqishme popullore. Më 1985, një tjetër parti e quajtur “Demokratët e Qendrës”, e fokusuar mbi imigrantët, minoritetet etnike dhe refuzimin e hapur të shoqërisë shumë-kulturore, arrin të fitojë një vend në parlament, vetëm katër vite më vonë, më 1989. Por, pas vitit ’94 edhe kjo parti, fillon të humbasë gradualisht terrenin elektoral, duke shkuar drejt dështimit politik.
Mos rezistimi në kohë i jetës elektorale të këtyre partive nacionaliste, përtej faktorit kryesor ndikues të traditës tolerante dhe shumë-kulturore të shtetit dhe shoqërisë holandeze, njeh gjithashtu edhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm, që kanë ushtruar influencën e tyre. Një ndër to, vlerësohet të jetë edhe prosperiteti dhe sigurimi social i klasës punëtore dhe i të papunëve, të cilët formojnë elektoratin potencial të partive ekstremiste në shoqërinë post-industriale. Si edhe, paaftësia e liderëve politike, për të mbajtur të palëvizshëm elektoratin e tyre.
Nacionalizëm i një forme të re
Vitet dymijë, do të karakterizohen nga një rishfaqje politike e formave të pastra të një nacionalizmi të ri, i cili do të zgjerojë terrenin e tij elektoral, i ndihmuar nga një sërë ngjarjesh që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik holandez dhe që përfshijnë në vetvete edhe elementë fetarë.
Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, që patën një jehonë të gjerë edhe në opinion publik holandez, Holanda përjeton atë çka konsiderohet si “11 shtatori” i saj. Politikani Pim Fortuyn, një profesor i njohur për publikun, i cili mbronte politikat kundër imigracionit dhe kundër fesë islame, duke kërkuar deri mbyllje të kufijve, dhe gjithashtu një homoseksual i deklaruar, ekzekutohet gjatë fushatës elektorale.
Partia e Pim Fortuyn, një parti e ekstremit të djathtë, kishte arritur të thithte 20 përqind të elektoratit. Ideologjia partiake bazohej në kundërshtim të shoqërisë shumë-kulturore, në racizëm dhe anti-Islam. Vrasja e tij tronditi opinionin publik, pasi në perceptimin e njerëzve Fortuyn, u ekzekutua vetëm sepse guxoi të thoshte publikisht, atë që e mendojnë të gjithë.
Dy vite më vonë, më 2004 një tjetër ngjarje, do të tërhiqte sërish vëmendjen e opinionit publik holandez, vrasja për arsye fetare e regjisorit Theo Van Gogh, nga një mysliman ekstremist. Van Gogh, sapo kishte nxjerrë filmin e tij “Submission” (Nënshtrimi), ku kritikonte trajtimin e grave në Islam.
Këto ngjarje të perceptuara gjerësisht në publik, si dhunë ndaj shprehjes së lirë të mendimit, dhe shfaqje e karakteristikave anti-moderne islame, të shoqërizuar gjithashtu me retorikën politike, vlerësohen të kenë kontribuuar në vazhdimësi në krijimin e një identiteti polarizues të shoqërisë, të ravijëzuar në mysliman dhe jo mysliman.
Lindja e Wilders
Pas ekzekutimit të Fortuyn, linja ideologjike e partisë së tij, përthithet nga një tjetër nacionalist, Geert Wilders. Pas largimit nga partia e tij VVD (Partia e popullit për Liri dhe Demokraci) më 2004, për arsye se ajo mbështeste perspektivën e Turqisë për anëtarësim në BE, Wilders krijon Partinë për Lirinë, (PVV). PVV me daljen e saj në skenë, fillon të adaptojë politika me fokus mbi imigracionin dhe drejtësinë.
Wilders, arrin gradualisht të thithë më shumë se 20% të elektoratit, duke përfshirë edhe elektoratin e Fortuyn. Agjenda e tij partiake përfshin: promovimin e kulturës judo-kristiane si kulturë dominuese në Holandë, e cila duhet të përthithet nga imigrantët; ndalimi i Kuranit, i xhamive në zonat urbane, i shkollave islamike dhe mbështetjes financiare të huaj për xhamitë; tërheqjen e Holandës nga BE, nga Marrëveshja Shengen, nga Eurozona dhe nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit; ndalimi i Turqisë për anëtarësim në BE dhe dalja e Turqisë nga NATO; përforcimi i legjislacionit për ruajtjen e komunitetit LGTB dhe i çifutëve (sidomos nga islamistët), etj. Në shtator të po këtij viti 2009, Wilders, propozon vendosjen e taksave për gratë myslimane, që mbulojnë trupin dhe fytyrën e tyre. Që prej vitit 2004, Wilders është nën mbrojtjen e forcave policore, pas kërcënimeve të shumta që ka marrë.
NEXIT
Pak para zgjedhjeve evropiane të vitit 2014, Wilders do të prezantonte publikisht konkluzionet e një raporti të titulluar NEXIT (Netherland-Exit), publikim i “Capital Economics”, i cili vlerëson impaktin ekonomik të Holandës, në rast se vendos daljen nga BE. Sipas argumentimit të Wilders, bazuar në këtë raport, dalja e vendit nga BE, do t’i rikthejë Holandës sovranitetin kombëtar, do të gjenerojë ekonominë dhe do t’i ofrojë Holandës, një rrugë për të dalë nga kriza. Raporti përveçse ofron një panoramë optimiste të shkëputjes së vendit nga BE, ofron gjithashtu dhe modelet e mundshme për të ndjekur, si ai norvegjez dhe zviceran. Por, raporti gjithsesi, ka pasur një oponencë të gjerë, në lidhje me objektivitetin e metodave të përdorura në të.
Sondazhet e kryera në Holandë, me fokus mbi daljen apo qëndrimin e vendit në BE, favorizojnë ndjeshëm qëndrimin e vendit në BE. Në këtë linjë qëndrojnë dhe preferencat e partive të tjera kryesore në Holandë, të cilat refuzojnë idenë e daljes nga anëtarësimi në BE. Sipas tyre, lënia e Eurozonës do të thotë një krizë e re financiare për Holandën, duke marrë parasysh faktin, se ekonomia është gjerësisht e varur nga tregtia. Por, ndikimi i PVV-së në jetën politike të vendit, është i konsiderueshëm. Rritja e përqindjes përfaqësuese të elektoratit të tij, ndikon në imponimin e një axhende ekstremiste dhe euroskeptike. Aktualisht PVV ka 21 deputetë në Parlamentin holandez dhe 4 deputetë në Parlamentin Evropian.
Pse kjo rritje e populizmit në Evropë ?
Ekstremi i djathtë ka njohur një zgjerim të konsiderueshëm thuajse në çdo zgjedhje lokale, apo legjislative në një sërë vendesh evropiane. Faktorë të ndryshëm kanë ndikuar në zhvillimin dhe zgjerimin e tij duke nisur nga kriza ekonomike, rritja e shifrave të papunësisë, si edhe mungesa e investimeve publike. Dalja e partive tradicionale nga boshti i tyre ideologjik, ka bërë të mundur
që partitë ekstremistë të ofrojnë mbrojtje dhe përfaqësim të elektorateve të braktisura, me një retorikë dhe gjuhë të thjeshtë populiste, duke u bazuar në dy elementët kyç të identifikimit të tyre: refuzimi ndaj tjetrit dhe nacionalizmi.
Pavarësisht karakteristikave specifike të çdo vendi, refuzimi ndaj tjetrit merr trajta të ndryshme, herë ndaj të huajit (ndaj migrantit, ndaj azilkërkuesit, ndaj refugjatit), por shpeshherë ky refuzim drejtohet edhe ndaj vetë shtetasve brenda një territor kombëtar (Vlaams Belang në Belgjikë, Lega Nord në Itali), si edhe ndaj minoriteteve brenda një hapësire shtetërore (Jobbik në Hungari), por trajtat e tij formësohen edhe ndaj shtetasve të vendeve të ndryshme evropiane (rasti i polakëve në Britaninë e Madhe pas Brexit, vendet skandinave ndaj grekëve dhe spanjollëve). Në këtë platformë urrejtje, tjetri shndërrohet në një fenomen ku i atribuohen të gjithë aspektet negative, për të cilat vendi përkatës dhe shoqëria në fjalë është “duke vuajtur padrejtësisht”. Verën e kaluar, konfliktet e Lindjes së Mesme arritën të zhvendosin miliona persona në Evropë, duke i lejuar ekstremit të djathtë evropian të shfrytëzojë akoma më shumë kartën e tij të ksenofobisë dhe të racizmit. Nuk duhet harruar se Evropa po përballet me nevojën për të absorbuar në shoqëritë e saj, flukse të larta të migrimit, por se këto flukse Evropa i ka njohur kryesisht vetëm në periudhat e lulëzimit të saj ekonomik, atëherë kur vendet bënin kontrata, duke marrë në territoret e tyre krahun e punës për zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturave të ndryshme në vend. Dhe kjo vështirësi për të absorbuar në shoqërinë e saj këto flukse migrimi, duhet kuptuar edhe në kontekstin e krizës ekonomike dhe financiare që ka përshkruar prej vitesh Evropën.
Refuzimi i tjetrit, ndërthuret ngushtësisht me elementin e dytë, që është kuadri i theksuar nacionalist. Dhe ky nacionalizëm, nuk është një nacionalizëm i çfarëdollojshëm, por sipas specialistëve kemi të bëjmë me një “nacionalizëm organik”, në kuptimin që kombi merr vlerën, formën dhe rëndësinë e një “organi biologjik”, që mund të sulmohet dhe infektohet nga “viruset”, që duhet t’i luftojmë dhe t’i përzëmë jashtë territorit kombëtar.
Të gjithë partitë ekstremiste të djathta, bazohen në skeletin e mësipërm, ndonëse në varësi të aktualiteteve të vendeve përkatëse axhenda e tyre ndryshon, pasi synohet zgjerimi i elektoratit. Por, duhet theksuar se në përgjithësi, këto parti ekstremiste përpiqen të distancohen në parim nga ideologjitë ekstremiste të djathta fashiste, naziste apo frankiste. Ndër to, përjashtim bëjnë Jobbik në Hungari dhe Agimi i Artë në Greqi, që nuk hezitojnë të shfaqin elementë të qartë të ideologjive naziste. Duhet theksuar se, si ideologjia fashiste edhe ajo naziste lindën në një kontekst të veçantë të lidhur ngushtë me Luftën e Parë Botërore. Konteksti i ditëve të sotme, është shumë i ndryshëm, duke i detyruar këto parti të jenë më të frenuara, teksa distancohen të paktën në parim nga këto ideologji, por është e pamundur të mos hiqen disa paralelizma. Paralelizma, jo vetëm në kuptimin e vijimësisë të karakteristikave bazë si konceptimi etnik i popullit, apo i identitetit kombëtar që funksionon vetëm me “armiq” të përcaktuar, por që kanë një qasje të ngjashme si në raport me krizën financiare, ekonomike dhe sociale, pa përjashtuar këtu edhe krizën demokratike. Gjithsesi, ato nuk e kanë vënë asnjëherë në diskutim një element të rëndësishëm, që lidhet me refuzimin e demokracisë parlamentare, ndryshe nga partitë ekstremiste të fillim shekullit të XX, të cilat pasi morën pushtetin e shuan jetën parlamentare.
Në hartën e një Evrope ku partitë ekstremiste po zgjerohen duke filluar nga Franca, Gjermania, Austria, Italia, Hungaria, Polonia, Finlanda, Danimarka, Belgjika, Holanda etj, vëmendje po tërheq rezistenca e Portugalisë, Spanjës dhe Irlandës. Një rezistencë, që spikat dhe që në optikën e specialistëve, mund të lidhet me raportet e veçanta që ato kanë ndërtuar me çështjen kombëtare, apo me një histori që i ka shkualifikuar regjimet autoritare.
Im.Ta.
DITA
