Rruga e bekuar e Tomorit

time

Nga Klevis Bakillari

Mali i Tomorit ose Parku Kombëtar i Tomorit gjendet vetmitar e hiror në lindje të qytetit të Beratit dhe në veriperëndim të qytetit të Çorovodës.

Mali i shenjtë apo ‘malbaba siç e quan poeti Xh. Spahiu, nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore, bukuritë e të cilit janë magjepsëse. Tomori njomet nga ujërat e lumit Osum dhe lumit të Tomoricës ndërsa ballin e mbanë tek retë në lartësinë 2416m.

Ndaj kush kalon natën në Tomor do t’i duket sikur po mbledh yjet me dorë. Aty flladiten gjilpërat e pishës që janë një ilaç kurues,  livadhet janë shtruar me qilim lulesh, të ofrohet pamje eksploruese e sunduese përreth,  freskohesh nga ujërat e borës së re e të vjetër.

Rrobull, ah, lis, shkozë, lajthi, dëllinjë, frashër, mëllezë, thanë, mare, shqopë etj, si dhe 6 lloje bimësh endemike, mes të cilave Astragalus Autroni, lloj endemik i cili ndodhet vetëm në Malin e Tomorit janë përfaqësuesit specifik të florës dhe faunës në këtë zonë.

Sa i përket kafshëve dhe shpendëve të egra gjenden këto lloje: ari i murmë, ujku, dhia e egër, derri i egër, mace e egër, lepuri i egër, dhelpra, kunadhja, baldosa, ketri, shqiponja, gjeli i egër, fëllëza e malit, disa lloje skifteresh, mëllenja dhe disa lloje të tjera zogjsh.

Parku Kombëtar i Tomorit është një oaz, ku nuk gjenden vetëm monumente natyrore të tilla si Rrapi i Lybeshës, Shpella e Kapinovës, Stera e Prosekut, Stera e Katafiqit, Stera e Kakrukës, Cirqet Akullnajore të Tomorit, Stera Uvlën (Pusi Ramijës), Morenat Akullnajore të Ujanikut, Vrima e Dragoit, Qafa e Kulmakut, Robulli i Kulmakut por edhe objekte kulturore fetare e historike siç është Teqeja e Abaz Aliut, që është një arsye e fortë e shumë vizitorëve të këtij parku.

Për Tomorin, vizitat e ngjarjet që janë zhvilluar në trup të tij dhe ritet e besimit kanë shkruar një sërë personalitetesh.

Lord Bajron që vizitoi malin e shenjtë i shkruante kështu nënës së tij: Kudo që shohim rrotull, sipër, poshtë, na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi.. Të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe, ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura… Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm afër malit të Tomorrit u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha”.

Gjithashtu britaniku tjetër, piktori Eduard Lear do ta përjetësonte Tomorin në veprat e tij të peizashit. Eqrem Vlora ka shkruar kujtime e studime historike “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003).

Petro Marko ishte i apasionuar pas Tomorit dhe shpesh e vizitonte bashkë me Dritëro Agollin dhe kthenin ndonjë gotë raki e këndonin bashkë me Demir Zykon në Gjerbës.

Vlen të theksohet ngjarja historike e krijimit të Çetës Plakë të Kulmakut më 14 Mars 1942 me komandant Mestan Ujaniku, e cila edhe çeta e parë e krijuar në Shqipëri.

Share This Article