Rumania, një prej vendeve të ish-bllokut të Lindjes komuniste, do të spikaste përgjatë epokës komuniste, me instalimin e një sistemi të veçantë. Një sistem, që mundësoi një përafrim dhe hapje me Perëndimin, por duke ruajtur besnikërinë e saj ndaj Moskës. Por, Rumania do të futej gjithashtu në memorien historike si i vetmi vend, ku përmbysja e sistemit komunist, do të çonte në gjykimin dhe ekzekutimin e dy drejtuesve kryesorë të vendit, bashkëshortëve Nikolai dhe Elena Çaushesku. Sot, pas 28 vitesh tranzicion dhe pas 10 vitesh anëtarësim në BE, qytetarët e Rumanisë kanë mbushur sërish sheshet, duke kërkuar t’i jepet fund korrupsionit dhe favorizimit të tij. Edhe pse 10 vite anëtar i Bashkimit Evropian, Rumania nuk është ende pjesë e Shengenit dhe vazhdon të jetë e monitoruar, nën Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe të Verifikimit.
Një prej ish-vendeve satelitë të Bashkimit Sovjetik, Rumania është karakterizuar nga një profil i veçantë gjatë regjimit komunist, pasi arriti të ndërthurte një hapje dhe bashkëpunim me Perëndimin, teksa mbante marrëdhënie angazhimi të padiskutueshme me Bashkimin Sovjetik. Ky angazhim, kishte filluar të krijonte një hapësirë autonomie në vendimmarrjen politike të Rumanisë, që me ardhjen në pushtet të Nikita Hrushovit, teksa Rumania drejtohej nga George Georgiu Dezh. Ky i fundit, teksa kishte shfaqur hapur refuzimin, ndaj preferencave ekonomike sovjetike, që kërkonin ta shndërronin Rumaninë në një vend me të ardhme në fushën e agrikulturës, synonte një hapje të vendit dhe përafrim me Perëndimin, kryesisht me Francën. Dëshira për një afrim me Francën, buronte jo vetëm nga mbështetja që Franca kishte shfaqur ndaj Rumanisë, si përgjatë periudhës së pas Luftës së Parë Botërore, në ricaktimin e kufijve, kur ish-kryeministri francez Zhorzh Klemenso do të mbronte interesat rumune, kundër interesave të Austrisë dhe të Hungarisë, por edhe nga një lidhje e veçantë e natyrës kulturore mes dy vendeve. Rumania ka gjithashtu një preferencë të veçantë ndaj gjuhës frënge, dhe vendi është pjesë e rrjetit botëror të frankofonisë.
Preferenca për hapje ndaj Perëndimit, mbajti të njëjtin ritëm edhe pas vdekjes së Georgiu Dezh (1965) dhe daljen në skenë dhe fuqizimin më pas, të Nikolai Çaushesku Një punëtor i thjeshtë, i ardhur nga një familje modeste, Çaushesku arrin të forcojë pozitat e tij brenda sistemit komunist, duke u zgjedhur fillimisht Sekretar i Parë i Komitetit Qendror, dhe pas dy vitesh President i Këshillit të Shtetit, duke marrë në të njëjtën kohë si drejtimin e partisë, por edhe drejtimin e shtetit dhe duke konsoliduar gjithnjë e më shumë pushtetin e tij personal.
Por, momenti që shërbeu si një ndërlidhje e vërtetë me botën Perëndimore, do të ishte pozicionimi i Rumanisë në momentin e Pranverës së Pragës (1968) dhe shtypjes së saj nga forcat sovjetike. Mos miratimi i kësaj shtypje dhe dënimi i këtij akti, i mundësoi Rumanisë tërheqjen e vëmendjes nga Perëndimi, që në ato momente kërkonte një aleat brenda bllokut të sferës komuniste, duke dhënë shenja të qarta për afrim. Po në të njëjtin vit (1968) Rumania do të presë në një vizitë katërditore Gjeneralin francez De Gol, dhe një vit më vonë (1969) do të kemi për herë të parë vizitën e një presidenti amerikan në kryeqytetin e një vendi që i përkiste bllokut sovjetik, në Bukureshtin e Rumanisë. Vetë Çaushesku, do të vizitonte Parisin, vetëm dy vite më vonë (1970). Ky afrim i qartë me Perëndimin, do të mundësonte nga njëra anë realizimin e objektivave rumunë, që kryesisht lidheshin me industrializimin e vendit, por nga ana tjetër, do t’i mundësonin Çausheskut një lloj “lirie” brenda varësisë sovjetike, si edhe një përforcim të pozitave të tij politike brenda një periudhe të shkurtër kohore, pasi do të zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, President i Këshillit të Mbrojtjes dhe Komandant Suprem i Forcave të Armatosura.
Por, afrimi i Perëndimit, kushtëzohej nga rrethanat gjeopolitike, çka nënkuptonte se ky afrim do të ndryshonte në varësi të rrethanave. Përgjatë periudhës së qetësimit të përkohshëm të marrëdhënieve Lindje-Perëndim, interesi politik ndaj Rumanisë do të zbehej. E tillë do të ishte edhe periudha e mesit të viteve ’70. Edhe pse bashkëpunimi i Rumanisë me Perëndimin për zhvillimin industrial të vendit do të njihte rritje (Francë, Gjermani dhe Britani e Madhe në fushën e automobilave), bashkëpunimi nuk do të ishte i frytshëm për shkak të pengesave, që shfaqte ekonomia e centralizuar në Rumani. Gjatë mesit të viteve ’70, kemi edhe përkeqësimin e situatës ekonomike, që do të vijonte të ishte e tillë edhe në dekadën në vijim, përgjatë viteve ’80. Dhe përkeqësimi i situatës ekonomike, do të ndikonte negativisht në marrjen e masave shtrënguese në vend, që kulmuan me racionalizimin e ushqimit në bazë të një argumenti shkencor për “përcaktimin e sasisë së kalorive të nevojshme, për çdo kategori punonjësish”, pra atë që njihet rëndom në të gjithë vendet e ish-lindjes komuniste, si futja e tollonave ushqimore.
Rrënimi i situatës ekonomike, u shoqërua me thellimin dhe përqendrimin e pushtetit në duart e Causheskut dhe klanit të tij, rritje të rolit të bashkëshortes, duke e shndërruar atë në numrin dy
të regjimit shtetëror dhe partiak, dhe rritje të rolit të sigurimit të shtetit. Ndryshohet kushtetuta dhe krijohet posti i Presidentit të Republikës së Rumanisë nga ku kemi zgjedhjen e Çausheskut në krye të vendit, ngritjen e kultit të individit, që kulmon në vitet ’80 me ngritjen e një pallati madhështor presidencial.
Rënia e Çausheskut, nuk do të ngjante me asnjë rënie tjetër në ish-kampin komunist. Pas një rebelimi popullor të armatosur, që nisi më 17 dhjetor 1989 në perëndim të Rumanisë, revoltat përhapen me shpejtësi dhe situata del jashtë kontrollit. Çaushesku përpiqet të largohet duke lënë qytetin, por arrestohet dhe ekzekutohet më vonë, me vendim të një gjykate ushtarake, që e shpalli fajtor për krime dhe gjenocid. Ai do të ekzekutohet së bashku me bashkëshorten e tij, në një prej kazermave ushtarake të vendit, në rrethana ende të pazbardhura.
Ku gjendet sot Rumania ?
Sot, pas 28 vitesh tranzicion dhe pas 10 vitesh anëtarësim në BE, qytetarët e Rumanisë kanë mbushur sërish sheshet, duke kërkuar t’i jepet fund korrupsionit dhe favorizimit të tij. Edhe pse 10 vite anëtar i Bashkimit Evropian, Rumania nuk është ende pjesë e Shengenit dhe vazhdon të jetë e monitoruar, nën Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe të Verifikimit.
Anëtarësimi i Rumanisë së bashku me Bullgarinë, nuk do të ishte një proces i thjeshtë. Meqenëse situata nuk shfaqej në parametrat e duhur, ka pasur një hezitim që në momentin e anëtarësimit, duke krijuar klauzola shtesë, që do të bënin të mundur shtyrjen e datës së anëtarësimit. Klauzolave që përfshinte Traktati i Luksemburgut (ekonomia, tregu i brendshëm, drejtësia dhe Punët e Brendshme), që i lejonin Komisionit të ndërmerrte me iniciativën e tij apo me kërkesën e një vendi anëtar, masa për zgjidhjen e problematikave që mund të konstatoheshin, pas anëtarësimit të vendit në BE, iu shtuan edhe dy të tjera.
Klauzola e parë, i lejonte Këshillit të vendoste me unanimitet, mbi bazën e një rekomandimi të Komisionit, për të shtyrë anëtarësimin me 1 vit nëse një prej vendeve, nuk do të mundte të përmbushte angazhimet e tij, në një sërë fushash të rëndësishme. Ndërsa klauzola e dytë, prekte vetëm Rumaninë, pasi ajo lejonte gjithashtu shtyrjen e anëtarësimit, nëse Rumania nuk respektonte disa angazhime, që lidheshin me kapitullin Drejtësi dhe Punët e Brendshme dhe atij të Konkurrencës.
Gjatë viteve 2005-2006, raportet e Komisionit Evropian teksa shfaqin një sërë problemesh do
të kishin një theks të rëndësishëm mbi problemet kyçe, që lidheshin me korrupsionin e lartë në vend, sidomos në gjyqësor, duke kërkuar reformimin e tij dhe ngritje efikase të sistemit juridik dhe administrativ.
Por, në prag të zgjerimit, problematikat që do të shfaqnin të dy vendet, me një sërë çështjesh ende të pazgjidhura, do të detyronin ngritjen e një mekanizmi, që do të garantonte plotësimin e kushteve të kërkuara për ndërtimin e shtetit të së drejtës, Mekanizmi i Bashkëpunimit dhe i Verifikimit (MBV).
Ky mekanizëm, detyron edhe sot e kësaj dite Rumaninë dhe Bullgarinë t’i raportojnë Komisionit mbi progresin e kryer, me synim realizimin e objektivave që kërkohen, si edhe detyron Komisionin që në funksion të evoluimit të situatës në vend, të dalë me një raport të paktën çdo 6 muaj. Çdo vit, situata nuk është e kënaqshme në nivelin që kërkohet dhe mekanizmi monitorues, shtyhet për vitin në vijim. MBV e fundit u publikua në fund të muajit janar (25.01.2017) dhe sërish korrupsioni në të gjitha nivelet, por sidomos në nivelet e larta dhe reforma në fushën e gjyqësorit, ngelen prej 10 vitesh problematika kryesore e Rumanisë. Edhe pse ka kontestime të vazhdueshme politike për heqjen e mekanizmit të kontrollit dhe të verifikimit, ai nuk mund të hiqet pa u plotësuar të gjitha kriteret që përfshihen në të dhe raporti vijues pritet të jetë sërish, në fund të këtij viti.
Po në të njëjtin kontekst, mbi një procedurë vlerësimi, gjen shtyrje të vazhdueshme dhe çështja e pranimit të Rumanisë, si edhe e Bullgarisë në hapësirën Shengen. Që të dy vendet, të mund të bëhen pjesë e Shengenit, duhet të plotësojnë kushtet e kërkuara, dhe pas plotësimit të tyre, duhet që Këshilli të shprehet në unanimitet, për futjen e tyre në hapësirën Shengen.
Por, problemi me Rumaninë duket se është i lidhur edhe me Moldavinë, një vend me shumicë rumune. Në momentin e anëtarësimit të Rumanisë në BE, moldavët nuk mund të hynin më në Rumani pa vizë, siç hynin deri para anëtarësimit. Në vitin 2009, u arrit të nënshkruhet një marrëveshje ku u hoq detyrimi për pajisje me viza për të hyrë në Rumani, dhe kjo është situata që shqetëson deri diku vende të ndryshme në BE.
Anëtarësimi i Rumanisë në BE, pre-supozohej që të sillte jo vetëm një ndihmesë në rritjen e ndërgjegjësimit politik, por edhe të përgjegjësisë mbi rëndësinë e përthithjes së vlerave demokratike dhe ekonomike të Unionit. Por, raportet e vazhdueshme të Mekanizmit të Monitorimit dhe Kontrollimit ofrojnë një panoramë të plotë të vështirësive të vazhdueshme, për të dalë nga faza e gjatë e tranzicionit. Një tranzicion, që pavarësisht specifikës rumune, duket se mbart të njëjtat gjurmë në të gjithë bllokun e ish-Lindjes komuniste. Elementi, që tërheq vëmendjen në rastin rumun nuk është vetëm progresi shumë i ngadaltë në rrugën e reformave, sidomos në fushën e gjyqësorit, por tentativat e vazhdueshme politike, për të përmbysur në çdo moment të mundshëm, këtë reformë. Dhe pavarësisht rolit të padiskutueshëm që BE po përpiqet të ketë përballë elitës drejtuese politike në Rumani dhe monitorimit 10 vjeçar të reformës në drejtësi, një element i pazëvendësueshëm i sistemit demokratik, ngelet ndërgjegjësimi popullor dhe mekanizmat e presionit, që mund të arrijnë të fusin politikën shtetërore në shinat e shtetit të së drejtës.
Im.Ta.
DITA
