Ndonëse një vend kandidat dhe me një proces të gjatë përpara, opinioni publik shqiptar është i bindur se anëtarësimi në BE, është një gjë e mirë për vendin. Krahas kësaj bindje qëndron edhe mendimi se, Shqipëria do të përfitojë nga anëtarësimi në Union. Por, sa peshë zë BE në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe si shfaqet kjo e dhënë, në raport me fqinjët dhe vendet e tjera të BE-së ?
Sondazhi i fundit EB-83 (terreni i zhvillimit maj 2015) pasqyron të dhëna interesante për sa i përket njohurive që qytetarët shqiptarë kanë ndaj ekzistencës së institucioneve evropiane. Ato shfaqen të mirinformuar, në krahasim me vendet e tjera kandidate të rajonit, por edhe me vetë qytetarët e Unionit.
Në shumicë (93%) qytetarët shqiptarë janë shprehur se, kanë dëgjuar për Parlamentin Evropian, duka ia kaluar në këtë renditje qytetarëve francezë (90%), italianë (89%) por edhe britanikëve (84%). Ndërsa për ekzistencën e Komisionit Evropian, njohuritë e tyre renditen në vend të dytë (82%) pas Malit të Zi, por gjithsesi superiorë në krahasim me vendet e tjera të BE-së, si psh. Britania e Madhe (74%). Këto njohuri rezultojnë të sakta edhe për numrin përbërës të shteteve anëtare, duke ia kaluar qytetarëve francezë, gjermanë, por edhe italianë. Edhe mbi mënyrën e zgjedhjes së eurodeputetëve në PE, ato shfaqen të informuar ndonëse me një renditje poshtë Malit të Zi dhe Maqedonisë në rajon, por që gjithsesi ia tejkalojnë psh. qytetarëve francezë. Por, ekziston dhe një pike e dobët, ku qytetarët shqiptarë mbajnë kryesimin e tabelës për mos njohjen e faktit, që Zvicra nuk është vend anëtar i BE-së.
Interesant shfaqet edhe perceptimi i opinionit publik shqiptar në lidhje me punën, që BE po bën ndaj tyre. Në shumicë (53%) ato mendojnë se, BE po punon aktualisht për to. Një perceptim, që psh. është i ndryshëm për qytetarët serbë, që mendojnë në shumicë (53%) se, BE nuk po punon për to.
Studimi i fundit EB-83 pasqyron të dhëna interesante dhe mbi vëmendjen, që qytetarët shqiptarë kanë ndaj Unionit si edhe çështjeve të tjera, që lidhen me të. Vërehet se, tek takohen me miqtë, apo të afërmit e tyre, qytetarët shqiptarë bisedojnë shpesh (31%) si edhe herë pas here (55%) në lidhje me BE-në. Po në një shumicë prej 53% ato janë shprehur se, diskutojnë herë pas herë dhe shpesh (31%) edhe mbi çështje të politikës evropiane. Ky nivel i lartë interesimi mbi politikën evropiane, kryeson ndaj të gjithë vendeve të tjera, kandidate të rajonit, si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Por, çka tërheq gjithashtu vëmendjen është edhe krahasimi i kësaj përfshirje të shpeshtë (31%) në temat mbi BE-në, me vendet e tjera anëtare të Unionit, pasi ky nivel ia kalon edhe vendeve, që konsiderohen me peshë më të madhe në Union, si Gjermania (17%) Franca (10%), apo Italia (8%).
Ndonëse këto shifra flasin për një përqendrim relativisht të lartë politik të qytetarëve shqiptarë mbi BE-në dhe tema që lidhen me të, një interes të veçantë shfaq edhe leximi i situatës mbi përqendrimin e tyre në politikën e brendshme kombëtare.
Edhe në këtë drejtim qytetarët shqiptarë shfaqin një politizim të një niveli të lartë, duke kryesuar jo vetëm ndaj vendeve të tjera kandidate në rajon, por duke u renditur gjithashtu ndër pesë vendet e Unionit, ku qytetarët shfaqin një nivel të lartë interesimi mbi çështjet e politikës kombëtare. Greqia zë vendin e parë, duke u ndjekur nga Holanda, Suedia, Danimarka, dhe pas tyre renditet Shqipëria. Indeksi i interesit për politikën i ndërtuar mbi pyetje që masin interesimin e qytetarëve në çështjet politike, është gjithashtu më i larti për Shqipërinë, duke u krahasuar jo vetëm me vendet kandidate të rajonit, por edhe me të gjithë vendet e BE-së, duke përjashtuar vetëm Greqinë.
Por, si shpjegohet ky politizim i lartë i shoqërisë shqiptare ?
Në fakt, në rast se përjashtojmë Greqinë, që kryeson në këtë renditje, pasi ky politizim i lartë shikohet edhe i ndikuar nën kontekstin e një krize ekonomike dhe politike, vendet e tjera që shfaqin nivel të lartë përfshirje të qytetarëve në hapësirën dhe debatin politik, janë vende me demokraci tejet të zhvilluar.
A renditet Shqipëria si vend me demokraci të zhvilluar dhe të konsoliduar ? Në mungesë të plotësimit të këtij kriteri, dhe në mungesë të studimeve të mirëfillta të thelluara, që mund të shpjegojnë shkaqet e kësaj përfshirje të lartë të qytetarëve shqiptarë në debatet apo çështjet që lidhen me politikën, zhvillimi i këtij fenomeni duhet parë sa në të dhënat historike në kohë, që dëshmojnë mbi këtë fenomen, por edhe në kontekstin e një politizimi të lartë të shoqërisë shqiptare, përgjatë periudhës apo sistemit komunist. Sistem, që e bazonte ideologjinë e tij në politizimin e skajshëm të çdo aspekti të jetës sociale dhe ekonomike, nën këndvështrimin e filozofisë marksiste-leniniste.
Nëse gjerësisht pranohet se, në shtrirjen e hapësirës së politizimit, apo ndërgjegjësimit mbi dobishmërinë e ideve politike, në të gjithë territorin e një shteti, ndikojnë ndjeshëm faktorë, si zgjerimi i të drejtës së votimit edhe ndaj kategorive të tjera të përjashtuara, si e drejta e votimit për gruan; zhvillimi dhe fuqizimi i sistemit arsimor në të gjithë hapësirën shtetërore; krijimi, zhvillimi dhe fuqizimi edhe i rrjeteve dhe mënyrave të transportit publik, duke ndikuar në përhapjen dhe transportimin edhe të ideve dhe mendimeve politike, të gjithë elementët e mësipërm, kanë gjetur zhvillim dhe janë fuqizuar, pikërisht përgjatë periudhës së sistemit komunist. Duke ndikuar jo vetëm në një shpërndarje të gjerë të ideve politike në kategoritë e ndryshme të shoqërisë, por edhe në shpërndarjen e tyre fizike, duke mbuluar gjithë territorin shtetëror.
Por, ky politizim i lartë i ambientit shqiptar duhet parë gjithashtu dhe si një raport afektiv apo intelektual, që çdo person ka në raport me politikën, pra përfshirjen, diskutimin dhe ndjekjen e saj. Raport i cili, shoqërohet me një ndjesi të lartë vetëkënaqësie tek zotërojmë ose krijojmë bindjen se zotërojmë kompetenca politike, nëpërmjet kuptimit dhe deshifrimit të asaj që ndodh, mënyrës së shpjegimit dhe përcjelljes tek të tretët, pa anashkaluar edhe dëshirën për influencim, nëpërmjet çfarëdolloj, akti, mekanizmi apo mënyrave të zgjedhura për pjesëmarrje./im.ta/