Sa vlen Evropa për një qytetar të thjeshtë ?

redaktor

Me ikjen e Britanisë së Madhe nga BE, debati mbi të ardhmen e Evropës, është shoqëruar me një seri reflektimesh. Reflektimi i muajit prill, do të shtrihej mbi dimensionin social të Evropës. Reflektimet e muajit maj, përfshinin thellimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar, por edhe qasjen ndaj globalizmit.

Në fillim të këtij muaji, fokusi do të ishte mbi reflektimin e së ardhmes evropiane të mbrojtjes. Ndërsa, reflektimi i fundit, i pasqyruar këtë javë nga Komisioni Evropian, do të përfshinte burimet financiare të Unionit.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE, shkakton në mënyrë të pashmangshme një boshllëk financiar për Unionin. Buxheti vjetor i BE-së, është rreth 155 miliardë euro dhe kontributi neto i Britanisë së Madhe ishte rreth 11 miliardë euro. Boshllëk, që kushtëzon reflektimin evropian, duke imponuar një rishikim strategjik të prioriteteve të tij në këtë fushë.

Historikisht, buxheti evropian i është dedikuar në 3/4 e tij, dy fushave të veçanta: agrikulturës dhe  (39%) dhe politikës së kohezionit rajonal (34%). Dy fusha, që kanë mbartur historikisht që prej krijimit të Evropës së bashkuar, prioritetet e mëdha të veprimit evropian.

Por, sot, sfidat e reja që janë shfaqur, kanë zhvendosur aksin historik të fokusuar mbi prioritetet e mëdha, si agrikultura dhe kohezioni, drejt politikave që imponon aktualiteti, si: siguria dhe mbrojtja, rritja ekonomike dhe punësimi. Dhe në reflektimin e shfaqur këtë javë nga Komisioni Evropian, vërehet se janë pikërisht prioritetet aktuale që citohen fillimisht dhe më pas, nën të njëjtin kapitull figurojnë edhe politikat e agrikulturës dhe ato të kohezionit.

Çështja e gropës financiare, që krijon ikja e britanikëve sigurisht që është pika më e nxehtë e debatit financiar dhe sipas reflektimit të Komisionit Evropian, përballë prioriteteve të reja, me një buxhet në ulje, duhet të bëhen zgjedhje të vështira.

Reduktimi i shpenzimeve, duket të jetë sfida kryesore për dhjetë vitet në vijim. “Asnjë qindarkë, nuk duhet të shpenzohet në nivel evropian, pa pasur një vlerë të shtuar”, në logjikën e komisionerit të Buxhetit, gjermanit Oetinger.

Por, se vetëm ky reduktim shpenzimesh, sipas autorëve të shënimit reflektues, nuk është i mjaftueshëm për të financuar boshllëkun e krijuar. Nga ku, lind domosdoshmërish nevoja për krijimin e burimeve të reja financiare. Një subjekt ky, mbi të cilin është përqendruar tashmë një grup pune, i kryesuar nga ish Komisioneri evropian dhe kryeministri italian, Mario Monti dhe ku në fund të vitit të kaluar, është depozituar një raport ku theksohej mundësia reale në parim, për të gjetur mënyra dhe mjete të tjera financimi për buxhetin evropian dhe se tashmë iu përkiste politikëbërësve dhe aktorëve buxhetorë të bënin zgjedhjet kurajoze për të përshtatur buxhetin e BE-së ndaj kohës dhe sfidave të tij.

Pesë janë skenarët e mundshëm, që skicohen në reflektimin e fundit të Komisionit Evropian, në të cilin theksohet theksohet se, “ku duhet bërë më pak, në mënyrë që të arrihet të bëhet më mirë, gjetkë”. Këta skenarë, korrespondojnë në mënyrë ekzakte me pesë skenarët e së ardhmes së BE-së, të përpiluar në Librin e Bardhë.

I pari, konsiston që “të ndiqet e njëjta linjë si aktualisht”, pra të kompensohen të ardhurat e humbura nëpërmjet burimeve të reja të financimit. Skenari i dytë, “të bëhet më pak së bashku”, për t’iu përshtatur zvogëlimit të recetave. Skenari i tretë, parashikon që shtetet anëtare që duan të bëjnë më shumë së bashku, të zhvillojnë politika të reja, duke shtuar burimet përkatëse. Skenari i katërt, flet për “reformë radikale”, pra ku BE do të veprojë më shumë në disa fusha, me koston e reduktimeve të qarta, në disa fusha të tjera. Dhe skenari i fundit, që mbart hijen e veprimit me natyrë federaliste,  bën fjalë “për të bërë më shumë së bashku, në të gjitha fushat e veprimit”.

Edhe pse skenari katërt, vjen i etiketuari si më “radikali”, ky shfaqet si skenari, që gjykohet se është më shumë ai i duhuri, për avancimin e mëtejshëm. Ky skenar, sugjeron të reduktohet pjesa që i akordohet historikisht dhe me prioritet, politikave të përbashkëta të agrikulturës dhe politikave të kohezionit dhe theksi të vihet mbi prioritetet, që duhet të kenë një vlerë të shtuar evropiane. Dhe për të financuar këtë, shënimi reflektues, propozon të zhvillohen në mënyrë masive, instrumente dhe garanci të reja financiare.

Ajo çka pritet në vijim, është që gjithë këto shënime reflektuese të publikuara, mbi të ardhmen e Evropës, të sintetizohen nga Junker në një reflektim të veçantë institucional, konkluzionet dhe rekomandimet e të cilit, të pasqyrohen publikisht në fjalimin e radhës mbi gjendjen e Unionit, në muajin shtator.

Por, në Kartën e Bardhë “Sa vlen Evropa juaj?”, të bërë publike nga komisioneri Otinger dhe komisonerja e Politikës Rajonale, Cretu, do të tërhiqte vëmendjen edhe një mesazh mbi koston e vogël individuale të çdo qytetari, ndaj projektit të madh politik evropian:

“……buxheti i BE-së, ka kufizimet e tij. Po, ai kontribuon për të përmirësuar jetën e përditshme të 500 milionë evropianëve, por ai nuk jep dhe nuk do të japë kurrë të gjitha përgjigjet, ndaj problemeve me të cilat konfrontohet sot çdo evropian. Me 140-150 miliardë euro në vit, ai përfaqëson gati 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të kombinuar, të të gjithë vendeve anëtare. Kjo, përfaqëson më pak se 1 Euro në ditë, për çdo evropian, më pak se çmimi i një kafeje, në shumicën e vendeve anëtare.”

Im.Ta.

DITA

Share This Article