Eurobarometri i fundit i kryer nga Komisioni Europian prezantonte dhe monitorimin e opinionit publik në 5 vendet kandidate, ndër të cilat përfshiheshin edhe 3 vendet e Ballkanit Perëndimor Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Të dhënat ekspozojnë perceptimin qytetar mbi situatën ekonomike aktuale, shqetësimet e tyre kryesore dhe shkallën e besimit ndaj institucioneve politike kombëtare dhe evropiane.
Në një këndvështrim krahasimor ndërmjet të dhënave që ekspozohen, disa elementë tërheqin vëmendjen për sa i përket perceptimit qytetar, në të tre vendet përkatëse. Qytetarët serbë (62%), malazezë (64%) dhe maqedonas (65%) rendisin në vend të parë të problematikës shqetësuese me të cilën po përballet vendi, papunësinë, ndryshe nga qytetarët e BE-së për të cilët shqetësimi kryesor ngelet ekonomia dhe zhvillimi i saj.
Në vendin e dytë të problematikave që përballet vendi, qytetarët serbë (48%), malazezë (43%) dhe maqedonas (41%) vlerësojnë gjendjen ekonomike. Në lidhje me perceptimin mbi ekonominë, qytetarët serbë dallojnë nga dy vendet e tjerë, pasi vlerësojnë në një shumicë tepër të lartë (92%), se ajo është negative. Në të njëjtën linjë, por me përqindje më të ulëta, shkon edhe vlerësimi i qytetarëve malazezë (77%) dhe ai maqedonas (54%).
Në shkallën e renditjeve të problematikave kryesore me të cilat po përballet vendi, për secilin nga vendet e Ballkanit, elementi që tërheq vëmendjen në krahasim me perceptimin e qytetarëve të BE-së, është listimi në vend të tretë i situatës mbi krimin. Qytetarët serbë (32%), malazezë (30%) dhe maqedonas (20%) vlerësojnë si një nga problematikat më kryesore situatën mbi krimin në vend. Një perceptim i lartë, ndryshëm i ndjeshëm nga qytetarët e BE-28, ku situata mbi krimin vlerësohej në një nivel relativisht të ulët, me vetëm 12%.
Të dhënat e tjera që lidhen me perceptimin qytetar mbi kushtet e jetesës, janë tepër të ulëta për tre vendet e Ballkanit, në krahasim me BE-28. Qytetarët serbë (87%), malazezë (75%) dhe maqedonas (61%) mendojnë se cilësia e jetës në vendin e tyre është e keqe, ndërkohë qytetarët e BE-28, në një nivel prej 85% shprehen të kënaqur në lidhje me cilësinë e jetës.
Por, për sa i përket tendencës për t’i besuar institucioneve kyçe kombëtare dhe atyre evropiane, qytetarët maqedonas shprehin një nivel mosbesimi në 56% ndaj Parlamentit kombëtar, dhe niveli i mosbesimit ndaj qeverisë kombëtare është në 53%. Përballë institucione të BE-së, qytetarët maqedonas shprehen se kanë besim në një shumicë prej 49%. Mosbesimi ndaj institucioneve kombëtare shfaqet i lartë edhe për qytetarët malazezë, 56% nuk kanë besim ndaj Parlamentit kombëtar dhe ndaj qeverisë mosbesimi është po ashtu i lartë në 53%. Ndaj institucioneve evropiane niveli i besimit përfaqëson një shumice prej 48%.
Panorama shfaqet pak ndryshe vetëm për Serbinë, pasi qytetarët serbë, ndryshe nga qytetarët malazezë dhe maqedonas shprehen se kanë besim ndaj qeverisë kombëtare (47%) ndërsa në lidhje me parlamentin kombëtar (54%) dhe BE-në (45%) mosbesimi sundon perceptimin qytetar serb.
Në lidhje me perceptimin mbi krizën, qytetarët serbë shfaqen më pesimistë se qytetarët maqedonas dhe malazezë, pasi 48% e tyre shprehen se e keqja më e madhe akoma nuk ka ardhur, ndërkohë që qytetarët e dy vendeve të tjera, Maqedoni, Mali i Zi, mendojnë në shumicë, se tashmë kriza e ka arritur pikën e saj më të lartë. Kjo tendencë pesimizmi vërehet edhe në lidhje me perceptimin, që qytetarët serbë shprehin në lidhje me të ardhmen mbi ekonominë për 12 muajt në vazhdim. 33% e tyre mendojnë se situata ekonomike do të jetë e njëjtë dhe 29% prej tyre mendojnë se ajo do të jetë negative. I njëjti perceptim vërehet edhe mbi punësimin, 35% e serbëve mendojnë se tendenca do të jetë e njëjtë dhe 31% e tyre se ajo do të jetë e keqe; mbi situatën personale profesionale, 35% vlerësojnë se do të jetë e njëjtë dhe 37% shprehen të pasigurt.
Tendenca pesimizmi shfaqen edhe tek qytetarët maqedonas në lidhje me të ardhmen e afërt. 39% e tyre mendojnë se situata ekonomike nuk do të ndryshojë dhe 29% e tyre mendojnë se ajo do të përkeqësohet. E njëjta tendencë perceptohet edhe mbi punësimin, 38% e tyre mendojnë se situata do të jetë e njëjtë dhe 28% se do të përkeqësohet; mbi situatën personale, profesionale, 63% e tyre mendojnë gjithashtu se do të jetë e njëjtë.
Vetëm qytetarët malazezë shfaqin shenja të qarta optimizmi kundrejt të ardhmes në disa fusha: 41% e tyre mendojnë se situata ekonomike e vendit të tyre do të jetë më e mirë; 38% prej tyre mendojnë gjithashtu se situata e punësimit do të jetë më e mirë dhe 34% mendojnë se edhe situata personale profesionale do të jetë pozitive.
Për sa i përket reformave që vendet e kanë të nevojshme në një të ardhme të afërt qytetarët e tre vendeve, Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, shprehen në shumicë pro tyre.
Në lidhje me çfarë përfaqëson BE për qytetarët e këtyre vendeve, qytetarët serbë (53%), malazezë (52%) dhe maqedonas (44%) shprehin në rend të parë, se BE përfaqëson liri për udhëtim, studim dhe punësim; në vend të dytë qytetarët serbë (33%) vlerësojnë prosperitetin ekonomik, qytetarët malazezë (35%) dhe qytetarët maqedonas (35%) vlerësojnë Euron, ndërsa në vend të tretë për qytetarët serbë (26%) renditet euro, për qytetarët malazezë (30%) prosperiteti ekonomik dhe qytetarët maqedonas (25%) vlerësojnë në të njëjtin nivel paqen dhe prosperitetin ekonomik. Për sa i përket imazhit që këto qytetarë kanë mbi BE-në, shifrat flasin për qytetarët malazeze (47%) se kanë një imazh pozitiv, maqedonasit ( 51%) gjithashtu mbartin një imazh pozitiv, ndërsa për qytetarët serbë kemi një vlerësim paksa më të ndryshëm pasi 41% e tyre shprehen se kanë një imazh pozitiv, 37% një imazh neutral dhe 20% një imazh negativ.
Ndryshe nga perceptimi qytetar i vendeve të BE-së, qytetarët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor ekspozojnë problematika, të cilat ndryshojnë ndjeshëm nga problematikat e qytetarëve të BE-së. Papunësia, renditet si fenomeni më shqetësues për tre popujt ballkanikë, duke u ndjekur nga gjendja ekonomike dhe shqetësimi i lartë mbi situatën e krimit në vend. Në një ndryshim të ndjeshëm në krahasim me popujt e BE-së, shfaqet perceptimi ballkanik mbi cilësinë dhe kushtet e jetesës. Në një shumicë dërrmuese, tre popujt e Ballkanit Perëndimor i vlerësojnë si negative kushtet dhe cilësinë e jetesës, ndërkohë që mesatarja në popujt e BE-së, në një nivel tepër të lartë prej 85%, shpreh kënaqësi në lidhje me cilësinë e jetesës. Interes paraqet dhe perceptimi qytetar në fushën politike, ku mosbesimi ndaj institucioneve kryesore politike për tre popujt e Ballkanit tejkalon shumicën, duke iu përafruar predispozitës së opinionit qytetar të vendeve të BE-së. Perceptimi mbi të ardhmen shfaqet kompleks, me tendencën pesimiste të popullit serb duke u ndjekur nga ai maqedonas, por me një optimizëm nga qytetarët malazezë, çka pasqyron në tërësi një realitet interesant ballkanik./im.ta/