Nën shënjestrim sistematik të Brukselit, për abuzim me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, Polonia është shndërruar në një subjekt problematik për politikën e BE-së, me ardhjen në pushtet të populistëve. Një tendencë, që vëzhgohet thuajse në një pjesë të mirë të vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, edhe pse me nuanca. Së fundmi, një iniciativë e re ka tërhequr vëmendjen. Bëhet fjalë për organizimin e një Samiti mes këtyre vendeve, me synim përforcimin e bashkëpunimit, kryesisht në fushën ekonomike dhe energjetike. Samiti pritet të zhvillohet nesër në Poloni, dhe ka një të ftuar special, Presidentin amerikan Tramp.
Ky bashkim vendesh dhe roli i të ftuarve specialë, duket se ka krijuar një farë shqetësimi të politikës evropiane. Shqetësim, që në veçanti lidhet me karakterin e paparashikueshëm, që kanë deklaratat e Presidentit amerikan, dhe që në përgjithësi përforcon idenë e një politike polake, që po luhet si kundërpeshë e politikave “imponuese” të Brukselit. Më saktë, si kundërpeshë ndaj aksit drejtues evropian, gjermano-francez. Edhe pse formalisht Presidenti i ultra-konservatorëve polakë, është shprehur se kjo iniciativë shërben për “unitetin dhe kohezionin e Evropës”.
Në intervistën e tij të parë, për rrjetin e gazetave evropiane, Presidenti i ri francez Makro, teksa pyetej mbi rishfaqjen e ndarjes mes Lindjes dhe Perëndimit, instalimeve të regjimeve autoritare në këto vende dhe se, si mund të arrihej të administrohej një Evropë kaq e përçarë, do të ishte i prerë, mbi pasojat politike për mosrespektimin e vlerave dhe parimeve të Unionit:
“Ata vendosin të braktisin parimet, t’i kthejnë kurrizin Evropës, të kenë një qasje cinike mbi Unionin, që iu shërben t’ia harxhojnë fondet, pa i respektuar vlerat. Evropa nuk është një supermarket. Evropa është një fat i përbashkët. Ajo dobësohet kur pranojmë, që të refuzojmë parimet e saj. Vendet e Evropës, që nuk respektojnë rregullat, duhet të mbartin të gjithë pasojat politike.”
Ndërsa, shefi i diplomacisë gjermane, Gabriel, do të shprehej vetëm një javë më parë, me ironi mbi vizitën e Tramp në Poloni duke deklaruar se, “Është më mirë që Tramp të shkojë në Poloni se, sa në Arabinë Saudite.”
Por, a mund të shërbejë ky Samit, si një thellim i mëtejshëm i krisjes ideologjike Lindje-Perëndim ?
Do të ishte kriza e migrimit dhe e refugjatëve, që do të ekspozonte shenjat e para të një ndarje ideologjike mes Lindjes dhe Perëndimit. V4, do të fillonte të pozicionohej qartazi kundër politikave të BE-së, në lidhje me çështjen e kuotave të shpërndarjes së refugjatëve. Dallimet mes vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, me ato Perëndimore, filluan të konkretizoheshin jo vetëm ndaj refuzimeve të politikave që buronin nga Brukseli, por filluan të shfaqen dhe në frymën dhe mentalitetin e qeverive drejtuese, tek formuloheshin legjislacione, që binin ndesh me të drejtën, vlerat dhe parimet e Unionit si edhe me të drejtën ndërkombëtare. Siç, do të ishin ligjet për përzënien e refugjatëve dhe kthimeve automatike, ligjet për burgosjen e tyre deri edhe ligjet që autorizonin përdorimin e armëve të zjarrit ndaj tyre. Për herë të parë në Evropën e bashkuar pa kufij, autoritetet hungareze do të ngrinin muret e lartë me tela me gjemba, duke thyer rregulloren e Shengenit dhe duke penguar lëvizjen e lirë.
Gjithsesi, duhet theksuar se edhe pse politikat e disa vendeve të caktuara përkeqësoheshin, qëndrimi i tyre në bllok në V4, nuk është karakterizuar nga unifikimi dhe se, herë pas here vërehej se vende si Polonia, apo edhe Republika Çeke kishin luhatje, apo edhe tërhiqeshin nga pozicionet e tyre. Edhe argumentimet, që lidheshin me refuzimet e politikave të imponimit të kuotave thuajse ndryshonin, sa nga njëri vend, tek tjetri.
Ndryshe nga shoqëritë e vendeve të Evropës Perëndimore, shoqëritë e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, shfaqen më hermetike dhe të mbyllura nga ana kulturore, janë më pak tolerante ndaj të huajve, që nuk i përkasin territorit evropian dhe në veçanti ndaj myslimanëve dhe personave me ngjyrë.
Fakti, që këto vende, nuk kanë pasur të kaluar koloniale si një pjesë e mirë e vendeve Perëndimore, që janë detyruar për hir të një morali dhe detyrimi historik, të merrnin valë të ndryshme migrimi në territoret e tyre, ka bërë që komunikimi dhe kontakti me këto kultura të ishte thuajse jo-ekzistues. Historia e shekullit të 20-të do t’i privonte gjithashtu këta popuj, nga komunikimi dhe njohja me këto kultura, për shkak të izolimit dhe mbylljes, që shkaktoi sistemi komunist. Dhe për më tepër ky boshllëk dhe kjo mungesë njohjeje është thelluar gjatë dekadave, që pasuan rënien e komunizmit, pasi zhvillimi ekonomik i këtyre vendeve nuk ishte asnjëherë i atij niveli, sa të tërhiqte në masë imigracionin. Dhe ndaj të huajve, që nuk i përkasin territorit evropian, shoqëria e këtyre vendeve shfaqet e stepur dhe e frikur, sa për shkak të mosnjohjes së tyre, por edhe për hir të stereotipive tashmë të krijuara për këtë lloj imigracioni në vendet Perëndimore. Stereotipe të përforcuara edhe nga elitat politike drejtuese.
Dallimeve të forta kulturore, që ekzistojnë mes vijave ideologjike, që ndanin Evropën gjatë shekullit të 20-të, i shtohen edhe dozat e një kompleksi inferioriteti, që mbartin këto vende në gjirin e Unionit. Kompleks i zhvilluar mes një të kaluare historike, ku dramat e shekullit të 20-të, Munihu, Jalta dhe vënia nën urdhrat e Moskës prej rreth 40 vitesh, i bëjnë që të pozicionohen në “rolin e padëshiruar të vartësit” që duhet të zbatojë “urdhrat” dhe “diktatet” e Brukselit. E tillë shikohet dhe vlerësohet çdo politikë e Unionit, që bie ndesh me konceptimin e tyre kulturor dhe social. I tillë, konsiderohet prej qeverisë së Polonisë, çdo sugjerim i ardhur nga Brukseli, për të respektuar dhe zbatuar shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit.
“Iniciativa e tre deteve”, e krijuar vetëm vitin e kaluar nga qeveria populiste e Polonisë dhe në emër së cilës organizohet edhe Samiti i nesërm në Poloni, ka marrë hijen e një grumbullimi politik në kundër-balancë të peshës politike gjermano-franceze. Përtej, drojës së kryerjes së ndonjë deklarate jo shumë mirë të reflektuar nga Presidenti amerikan, që mund të ndikojë në klimën politike evropiane, ekziston edhe një përplasje interesash në fushën energjetike. Kjo, pasi Polonia ka shprehur tashmë ambicien e saj për të kaluar nga furnizimi me gaz rus, tek ai amerikan, duke krijuar përplasje me projektin konkurrues të Gjermanisë “Nord Stream II”, që sjell gazin rus në Gjermani, pro edhe në vende të tjera të Evropës.
E izoluar nga politika evropiane, qeveria polake pret një kurim të imazhit të saj, përmes vizitës së Presidentit amerikan, Tramp. Dhe ky i fundit, pas pritjes me protesta në Bruksel, anulimit të vizitës së tij në Britaninë e Madhe, po për shkak të protestave të mundshme, dhe klimës së brendshme në vend, e ka më se të nevojshme mirëpritjen në vendin, ku SHBA shikohen si një aleate dhe mike e vjetër. Gjithçka pritet të shkojë siç duhet për sa kohë, nuk do të ketë qëndrime dhe deklarata, që do të prekin linjat e politikave përkatëse.
Im.Ta.
DITA
