Deklaratat kritikuese që erdhën nga Bashkimi Europian, ndaj arrestimeve në masë të gazetarëve, që u kryen në Turqi, kanë acaruar Presidentin turk Erdogan. Me një gjuhë shpërfillëse, në shfaqje të një autoriteti të padiskutueshëm, Erdogan iu kundërvu ditën e djeshme BE-së, duke i treguar, se duhet t’i mbajë idetë për vete dhe të shikojë punët e saj. Reagimi erdhi pas kritikave që po shtoheshin nga Unioni, duke i kujtuar Turqisë, se këto veprime policore janë në kundërshtim me vlerat evropiane dhe të papajtueshme me lirinë e shtypit.
Në deklaratën e përbashkët publike, shefja e diplomacisë së BE-së, Mogherini dhe Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, bënë thirrje gjithashtu të respektohet prezumimi i pafajësisë, duke i kujtuar Turqisë të drejtën e patjetërsueshme për një hetim të pavarur dhe transparent, në rast të dyshimeve për çdo keqbërje, në respektim të plotë të drejtave të akuzuarve.
Por, Erdogan teksa i kujton BE-së, se po e mban Turqinë tek dyert e saj prej 50 vitesh, iu drejtua në forma retorike Unionit, nëse e dinte kuptimin e masave, që ishin ndërmarrë.
“Bashkimi Europian nuk mund të interferojë në masat e marra…..në kuadrin ligjor, kundër elementëve, që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare” …”Elementë që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare do të marrin përgjigjen e duhur, edhe pse ato janë pjesë e shtypit”…..”Kur ne marrim masa të tilla, ajo që mund të thotë BE, si të na pranojë ose si të mos na pranojë, për ne njësoj është. Nuk duam t’ia dimë…….mbajini idetë tuaja për vete”.
BE, delegacion i nivelit të lartë në Turqi
Por, nuk ka kaluar as një javë, kur një delegacion i lartë i BE-së, i përbërë nga shefja e diplomacisë evropiane Mogherini, Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Hahn dhe Komisioneri për Ndihmat Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Stylianides do të vizitonin Turqinë.
Delegacioni i lartë i BE-së, mbante në axhendën e tij një sërë shqetësimesh. Për më tepër, kjo vizitë po kryhej në një moment, ku sapo kishte përfunduar vizita e suksesshme e liderit rus Putin, në Turqi. Një vizitë, e cila shkaktoi jo pak shqetësim në BE, teksa Erdogan dhe Putin do të deklaronin përforcim të mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, si edhe bashkëpunim për ndërtimin e projektit alternativ të korridorit të gazit “Rrjedha e Jugut”, që Putini e deklaroi të pezulluar.
Që në nisje të tij, konflikti Rusi-Ukrainë, e ka pozicionuar Turqinë në mos mbështetje të sanksioneve, që BE, por edhe SHBA, kanë vendosur kundër Rusisë. Turqia, duket se po shfrytëzon gjerësisht këtë situatë, duke eksportuar një sërë produktesh në Rusi. Anulimi i projektit “Rrjedha e Jugut” dhe ofrimi i bashkëpunimit turk në këtë projekt alternativ me Rusinë, ka prekur ndjeshëm interesat e Unionit. Ndonëse presioni i BE-së, ndaj Bullgarisë dhe Serbisë mbi këtë projekt, që të pezullonin punimet ka qenë i lartë, menjëherë pas anulimit të tij nga ana e Rusisë, BE filloi të tërhiqet, duke deklaruar se do të flitet me Bullgarinë për zgjidhjen e kësaj çështje.
Diplomacia e shanseve të humbura
Kandidatura turke po zvarritet prej gati gjysmë shekulli në dyert e BE-së, me shpresën se një ditë do të anëtarësohet. Bllokimet e vazhdueshme të procesit të negociatave, fillimisht arritën të zhvendosin zgjidhjen e marrëdhënieve dypalëshe, fqinjësore në një nivel evropian.
Por, përtej problematikave në marrëdhëniet dypalëshe, Turqia është përballur dhe po vazhdon të përballet me bllokime të vazhdueshme edhe nga aksi franko-gjerman. Parisi dhe Berlini duket se, janë në sinkron për sa i përket çështjes turke. Dy vendet me influencë të konsiderueshme në BE, shfaqin shenja hezitimi, përballë një ndryshimi të mundshëm të skemës politikbërëse, nga fuqia demografie turke (~76 mil.banorë), që mund të përkthehen në një ndryshim të skemës aktuale funksionuese.
Franca me një fuqi të padiskutueshme në BE, duke refuzuar dy herë kandidaturën britanike, sigurisht që do të ndjente rënien e influencës së saj, jo vetëm pas bashkimit të Gjermanisë (‘89), por edhe ndaj fuqizimit të saj të vazhdueshëm ekonomik. Edhe dy zgjerimet e fundit në BE, kanë ekspozuar shqetësimin francez mbi balancën, që po anonte më tepër nga partneri i saj Gjermania. Ideja e hedhur nga Sarkozi, për një “partneritet të privilegjuar” me Turqinë, skemë e cila do të shmangte një anëtarësim të saj në BE, sigurisht që u mbështet edhe nga Berlini. Gjermania nga ana tjetër, e ka tejet të nevojshme mbështetjen e Francës. Pesha e rëndë historike, nuk mund t’i krijojë luksin elitës gjermane që të udhëheqë dhe të drejtojë e vetme në BE, pa mbështetjen e Francës, ndryshe shumë shpejt do të përkthehej në një diktat. Është mungesa e këtij luksi, që bën që nga “fronti francez” të vijnë vazhdimisht deklarata rebeluese të natyrës urdhëruese “Maul zu, Frau Merkel!” (Qepe gojën zonja Merkel!) ndaj kancelares Merkel dhe kritikave, që ajo i adreson Francës. Ndonëse nën Holond, bllokimit turk i’u dha një drejtim, thirrjet që vinin nga CSU menjëherë pas fitores së presidencës nga Erdogan, ishin për të bllokuar përfundimisht kandidaturën e saj.
Sigurisht që Turqia që prej vitit 2002, nën drejtimin autoritar të Erdogan, nuk është në nivelin e duhur të plotësimit të kritereve politike, të sundimit të ligjit, respektimit të lirive themelore, që kërkon politika e Brukselit. Por, a është Hungaria nën drejtimin autoritar të Orban? A zbatohen tërësisht të drejtat dhe liritë themelore në Greqi? Nga ana tjetër, historia ka treguar se, edhe vetë shtetet me peshën më të rëndësishme në BE, të dala pas rrënojave të Luftës së Dytë Botërore, sigurisht që nuk ishin në ato standarde, që sot po këto shtete, i kërkojnë ndaj vendeve që synojnë të anëtarësohen.
Kostoja e hezitimeve, që ndonëse duket e logjikshme në kuadrin e politikave të brendshme të BE-së, mbi zhbalancimin e skemës aktuale vendimmarrëse, mund të jetë shumë e lartë përballë zhvlerësimeve të faktorit të sigurisë rajonale, të bashkëpunimit të ngushtë ekonomik pa nënvlerësuar edhe atë diplomatik. Ky është edhe këndvështrimi që i është ofruar vazhdimisht Unionit nga politika britanike dhe amerikane, mbi domosdoshmërinë e padiskutueshme të anëtarësimit të shpejtë të Turqisë në BE./im.ta/
