Që prej vitit 2009, BE ka bllokuar avancimin e mëtejshëm integrues të Bosnjës. Shkak për këtë bllokim ka qenë zbatimi i vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, mbi çështjen Sejdic-Finci. Vendim, që në thelb kërkonte ndryshime kushtetuese për gjithëpërfshirje në proceset garuese zgjedhore. Por, bllokimi i Bosnjës u vlerësua si i paprecedentë, pasi vetë BE apo vende anëtare të saj, kanë probleme të konsiderueshme me zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së. Nga ana tjetër, ky bllokim po konsiderohej i palogjikshëm, për sa kohë shembujt e legjislacioneve kombëtare të disa prej shteteve anëtare tregojnë, se dhe ato funksionojnë pjesërisht mbi të njëjta baza ligjore, po ashtu si edhe Bosnja.
Bashkimi Europian ka hequr këtë javë barrierën e ngritur ndaj integrimit të Bosnjës, të paktën përkohësisht, duke e shtyrë kërkesën për zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së, në një periudhë të mëvonshme. Bllokimi konsistonte në mos futjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që ishte ratifikuar nga qeveritë e vendeve anëtare në vitin 2009.
Arsyet e deklaruara
Në fjalimin e tij publik, në Qendrën për Politikë Europiane, Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, do të përgatiste terrenin për ardhjen e këtij vendimi, nën optikën e një “përqasje të rinovuar”. Një këndvështrim i ri, që sipas Komisionerit, lidhej nga njëra anë me ndryshimin e kushteve dhe emërimin e një Komisioni të ri dhe nga ana tjetër, me formimin e një presidence në Bosnjë, si edhe me shpresën për formimin e qeverisë së re. Ai do të përmendte gjithashtu edhe nevojën për progres ekonomik dhe daljen nga gjendja e vështirë, në të cilën ndodhet Bosnja (përqindja më e lartë e papunësisë rinore, 59% e popullatës aktive ndërmjet moshave 15-24; vendi i dytë në Europë me përqindjen më të lartë të papunëve 28% e forcës punuese; renditjen më të fundit ndër vendet eruopiane lidhur me indikatorët e kryerjes së biznesit dhe një nga renditjet më të larta të vendeve europiane në lidhje me indeksin e perceptimit të korrupsionit).
Arsyet e padeklaruara
Por, ndërsa arsyet e mësipërme apo problematikat, që has vendi, kane qenë dhe vazhdojnë të jenë prezent në aktualitetin e Bosnjës, duket se, edhe ofrimi i logjikës se “tashmë kemi një Komision të ri”, me një “përqasje të rinovuar” bie ndesh me faktin se, ndonëse, Komisioni është i rinovuar, ai vjen nga e njëjta forcë politike si edhe komisioni i kaluar dhe për më tepër, me një filozofi të bllokuar zgjerimi, me fshirjen e postit të Komisonerit të Zgjerimit dhe reduktimin e tij, thjesht në optikën e vazhdimit të mëtejshëm të negociatave.
Por, çfarë fshihet realisht pas kësaj “përqasje të rinovuar”?
Janë disa elementë të ndërthurur logjikisht, që shpjegojnë në një farë mënyre heqjen e barrierës bllokuese, apo “përqasjen e rinovuar” ndaj Bosnjës.
Së pari, logjika e bllokimit të Bosnjës, nën argumentimin se, duhet aplikuar vendimi i GJEDNJ-së, ishte tejet i kritikuar, nga segmente të ndryshëm të botës akademike, ekspertë të rajonit dhe të politikave të zgjerimit. Një ndër to, Iniciativa Europiane e Stabilitetit, do ta konsideronte bllokimin që Unioni po i bënte Bosnjës, si hipokrizi, pasi ai po kryhej mbi baza dhe kritere, të cilat as vetë vendet anëtare të saj, nuk i zbatojnë. Ky raport ekspertësh do t’i rikujtonte Unionit se, legjislacione si ai që aktualisht funksionon në Bosnjë, njohin dhe vendet e saj anëtare si, Belgjika, Qipro dhe Italia (Tiroli i Jugut). Ekspertët e ESI i kanë rekomanduar BE-së, të mos e bllokojë më tej perspektivën integruese të Bosnjës, duke e shndërruar në kusht zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, por të lërë hapësirë për zbatimin gradual të saj përgjatë rrugës integruese evropiane. Një logjikë, e cila duket se është përthithur tërësisht nga Unioni, ndonëse pas 5 vitesh bllokim.
Së dyti, deklarimi i Komisionerit Hahn, se kjo “përqasje e rinovuar”, vjen nën kuadrin e iniciativës së disa prej vendeve të BE-së, pa i specifikuar konkretisht ato, duket se i referohet ndërhyrjeve dhe iniciativave të ndërmarra nga diplomacia britanike dhe gjermane. Berlini dhe Londra ofruan një opsion zhbllokimi për Bosnjën, duke zhvendosur realizimin e kriterit politik në një moment të dytë. Një iniciativë që në thelb, lexohej si prioritet ndaj kuadrit të ruajtjes së sigurisë rajonale, promovimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke penguar njëkohësisht lënien e Bosnjën në “rrëshqitje të lirë”. Po nën këtë frymë, po bashkëpunohet aktualisht me FMN dhe Bankën Botërore, që të përfshihen në inkurajimin e reformave ekonomike në Bosnjë, përtej zhbllokimit të fondeve, që krijon tashmë kjo iniciativë.
Së treti, gjendja social-ekonomike e përkeqësuar në Bosnjë dhe protestat e mëdha qytetare të këtij fillim viti, u gjykuan si një shenjë e fortë dhe e qartë se, qytetarët e Bosnjës nuk kishin dalë në rrugë të kërkonin zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së, pra që në postet e larta shtetërore të mund të kandidonin edhe disa nga pakicat apo minoritetet kombëtare, por ato kërkonin qartazi përmirësim të kushteve ekonomike-sociale.
Së katërti, një nga faktorët më të rëndësishëm, ai gjeopolitik. Konflikti i Rusisë me Perëndimin ka skicuar edhe hartat e influencës në Ballkanin Perëndimor. Serbia, Mal i Zi, dhe Republika Srpska në Bosnjë, po penetrohen nga influenca në rritje e diplomacisë ruse. Lidhjet e Moskës zyrtare janë përforcuar ndjeshëm me Republikën Srpska në Bosnjë dhe presidentin e saj, Milorad Dodik. Republika Srpska, nuk është aspak në favor të integrimit të vendit në BE, në NATO, pa anashkaluar mungesën e vullnetin politik, që e karakterizon për t’u përfshirë në integrim me komunitetet e tjera përbërëse shtetformuese në Bosnjë. Mbështetja e fuqishme, që Rusia ka shfaqur ndaj Presidentit Dodik, ka frymëzuar vazhdimisht këtë të fundit në hartime skenarësh për shkëputje të Republika Srpska nga Bosnja, nën të njëjtën skemë shkëputje si ajo e Krimesë nga Moska.
Paralelisht me këtë influencë në rritje, shqetësimi i BE-së është i lartë, teksa vërehen dhe lëvizjet e tjera të Moskës zyrtare, në instanca ndërkombëtare. Lëvizja e parë ka të bëjë me votimin për zgjatjen e misionit ushtarak paqeruajtës të BE-së, në Bosnjë (11 nëntor OKB). Rusia abstenon në këtë vendim dhe kjo vlerësohet si hera e parë që Rusia voton në këtë mënyrë, që kur BE mori kompetencat e plota, pas NATO-s, për t’u vendosur në Bosnjë. Argumentimi mbi abstenimin, bazohet në logjikën e formulimit të tekstit, ku parashtrohej qartë, perspektiva evropiane e Bosnjës.
Rusia, e ka shprehur tashmë opinionin e saj mbi Bosnjën, se perspektiva evropiane, nuk është i vetmi opsion, që vendi duhet të ndjekë.
Ndërsa, lëvizja e dytë, ka të bëjë me qëndrimin moskovit, kundër iniciativës së fundit gjermano-britanike (Këshilli i Implementimit të Paqes), që synon ndër të tjera edhe zhbllokimin ekonomik të Bosnjës, për të mos lënë vendin në “rrëshqitje të lirë” dhe për t’i dhënë një gjallërim rrugës së saj evropiane.
Ajo çka po ndodh me influencën në rritje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ndaj Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi, sigurisht që është tejet shqetësuese për BE-në dhe aleatët e saj. Por, ky shqetësim, nuk mund të mos lexohet në reflektim, si kosto e lartë, që BE po paguan ndaj bllokimit të filozofisë së zgjerimit. Bllokimi i deklaruar pesëvjeçar i zgjerimit nga Komisioni Junker, realisht mund të ketë kënaqur një pjesë të mirë të elektoratit, që nën ndikimin e politikave populiste, e lidhin automatikisht zgjerimin me imigracionin dhe kërcënimin e sigurisë së brendshme. Por, ky bllokim mund të shikohet edhe si përgjegjës për krijimin e zonave gri, që influenca ruse po përpiqet t’i shfrytëzojë maksimalisht, duke u shndërruar në një kërcënim real për stabilitetin e rajonit dhe sidomos sigurinë, e vlerësuar si tejet të brishtë në Bosnjë./im.ta/
