Paqja ka treguar se individualiteti, karakteri egocentrik dhe vetësiguria e tepruar janë elementë, që mbizotërojnë duke sfiduar hapur si solidaritetin, por dhe bashkëpunimin. Por, sa herë lufta apo rreziku ndaj saj bëhen prezentë, përqasja ndryshon. Kërkohet solidaritet dhe bashkëpunim. Kërkohen edhe sakrifica të përbashkëta në emër të këtij rreziku. Ky profil sjelljeje dhe komunikimi, karakteristikë e qenieve njerëzore, konturon edhe strukturat e larta të nivelit shtetëror, duke përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së. Ngjarjet e Parisit, ekspozuan nevojën për solidaritet, por edhe për bashkëpunim më të ngushtë në përballje të rreziqeve të përbashkëta.
Individualitet vs. solidaritet
BE po përballet me dy fenomene njëkohësisht. Ngjarjet e Parisit rikonfirmuan se, risku strukturor është prezent. Nga njëra anë, është kërcënimi i ekstremistëve, të lindur në territorin e saj dhe qytetarë të Europës, që pasi kthehen nga kampet e luftës, shndërrojnë në shënjestër pikërisht vendet e tyre të lindjes. Dhe nga ana tjetër, kemi një lëvizje gjithnjë e në rritje të ekstremit të djathtë. Lëvizje që i konsiderojnë si myslimanët e thjeshtë, por edhe emigrantët, pa përjashtim, rrezik kryesor për demokracitë liberale perëndimore. Kemi dhe një kompenent të tretë, elektoratin e gjerë evropian, vëzhgues të ngjarjeve të fundit, që do t’i imponojë klasës politike, veprime me akte konkrete ndaj kësaj problematike.
Ndonëse BE ka shfaqur vazhdimisht hezitime në përballje më këto dy fenomene, ka ardhur momenti që të kërkohet bashkëpunim i ngushtë dhe dalje me strategji të përbashkët. Jo vetëm, në marrjen e masave për parandalimin dhe evitimin e skenave të terrorit, por edhe strategji të përbashkët për politikat integruese, për të mos thelluar më tej marxhinalizimin e minoriteteve në shoqëritë evropiane.
Teksa dhimbja solidarizon, ajo edhe ndërgjegjëson se, armiku është i përbashkët dhe si i tillë, nevojitet edhe bashkëpunim më i thelluar. Danimarka është vendi i parë, që po reflekton këtë përqasje. Ndonëse vend anëtar i BE-së, ajo nuk ka pranuar të jetë pjesë e Drejtësisë së BE-së dhe Punëve të saj të Brendshme (JHA). Mosqenia pjesë e këtij sistemi, nuk e favorizon aspak punën e shërbimeve të inteligjencës daneze, që kanë më shumë nevojë për burime, akses në të dhëna dhe informacione. Gjithashtu, duke mos qenë pjesë përbërëse e saj, Danimarka mund të dalë në vitin 2016, nga Europol, duke e penalizuar më tej punën e këtyre shërbimeve, pasi bllokohet aksesi në informacionet kombëtare të shkëmbyera në nivel evropian. Kjo logjikë shqetësimesh u prezantua publikisht nga Kryeministrja e vendit Helle Thorning-Schmidt, në kërkim të një referendumi popullor, për të mundësuar futjen e Danimarkës në sistemin e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së. Propozim që pati gjithashtu edhe mbështetjen e plotë të opozitës. Nuk duhet harruar, se edhe Danimarka është nën kërcënime të vazhdueshme terroriste, që prej vitit 2005. “Jyllands-Posten” është “Charlie” i saj, fatmirësisht i paprekur deri më sot.
Lufta bashkon
Politikat anti-terror të BE-së, janë ende të një niveli kombëtar. BE ka pushtet të kufizuar edhe në këtë fushë. Përveç Danimarkës, që nuk bën pjesë në JHA, edhe Irlanda apo Britania e Madhe nuk marrin pjesë tërësisht, por thjesht në forma të kufizuara, duke mos pranuar lëshimin e disa kompetencave kombëtare në nivel evropian. Teksa nuk dihet, nëse Irlanda do të ndryshojë përqasje, Britania të paktën, duket se është në një ngërç të kushtëzuar nga politikat e shpalosura të kryeministrit të saj Kamerun, për një rivlerësim tërësor të marrëdhënieve të Britanisë me Bashkimin Europian.
Por, Gjermania duket se po bëhet promotore me iniciativat e ndërmarra së fundmi në nivel kombëtar. Politika që mund të përthithen, nga shtetet më të ekspozuara ndaj terrorizmit, por mund të gjejnë edhe hapësirë për shtrirje në nivel evropian. Konkretisht bëhet fjalë, për miratimin e projektligjit, që bllokon kartat e identitetit të “luftëtarëve të huaj” apo atyre të shënjestruar se i përkasin kësaj kategorie, duke i zëvendësuar ato me një tjetër kartë identiteti trevjeçare, që nuk lejon daljen apo futjen në territor. Synimi i këtij projekt-ligji është identifikimi i tyre në hyrje të zonës Shengen, si edhe ndalimi për të dalë nga vendi. Pas ngjarjeve të Parisit, kjo është iniciativa e parë, që po ndërmerret në rang kombëtar në Gjermani për të luftuar fenomenin, por propozime të tjera pritet të ndërmerren së afërmi në një nivel evropian. Pritet që kuadri i masave të përfshijë edhe propozimin e kryeministrit italian Renzi për krijimin e domosdoshëm të Shërbimit Inteligjent Europian. Teksa, paqja ndan në konfirmime individualitetesh, të paktën lufta dhe rreziku ndaj saj, duhet të ndërgjegjësojë bashkimin dhe bashkëpunimin, si e vetmja formë në përballje ndaj të keqes. Ndoshta ky do të jetë edhe momenti, për të përfituar nga shanset tashmë të humbura./im.ta/
