Greqia dhe Italia janë dënuar dje nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për shkeljen e të drejtave të azilkërkuesve, në çështjen “Sharifi dhe të tjerë kundër Italisë dhe Greqisë”. Ndalim i trajtimeve çnjerëzore dhe degraduese, dhunim i së drejtës për një rekurs efektiv, ndalim i përzënies kolektive të shtetasve të huaj, pengesë për aplikim në procedurat e azilit, janë disa nga shkeljet, që figurojnë në vendimin e Gjykatës. A po respektohet Karta e të Drejtave Themeltare të BE-së dhe si mund të lexohet operacioni i madh policor kundër imigrantëve ilegalë, që po kryhet në këto momente në hapësirën Shengen?
Çështja në thelb ka të bëjë me 32 shtetas afganë, dy shtetas sudanez dhe një shtetas nga Eritrea të cilët kanë arritur të hyjnë në mënyrë klandestine në Itali, duke kaluar nga Greqia. Por, ato janë përzënë nga autoritetet italiane, të cilët i kanë rikthyer në Greqi, ku rrezikonin të përziheshin sërish kolektivisht për në vendet e tyre të origjinës, duke u përballur në këtë mënyrë me rreziqe mbi vdekjen, torturën apo trajtimet çnjerëzore dhe degraduese.
Italia dënohet nga GJEDNJ për shkeljen e Nenit 4 të protokollit n°4 (ndalim i përzënies kolektive të të huajve); Neni 3, ( ndalimi i torturës, dënimeve çnjerëzore apo degraduese), Neni 13 i kombinuar me nenin 3 të Konventës dhe nenit 4 të Protokollit n°4 (për arsye të mungesës në aksesin e procedurës së azilit). Ndërsa Greqia dënohet për dhunim të Nenit 13 (e drejta për një rekurs efektiv) i kombinuar me nenin 3 (ndalim i trajtimeve çnjerëzore apo degraduese) për arsye të mungesës së aksesit në procedurat e azilit për ankimuesit dhe rrezikun e përzënies drejt Afganistanit ku mund të keqtrajtoheshin. Ndryshe nga Italia ku refugjatët e kishin kaluar afatin ligjor për kërkimin e kompensimit Greqia duhet të paguajë 5 mijë euro për çdo shtetas afgan, që ndodhet në listën e ankimimit.
Gjykata shprehet gjithashtu e shqetësuar në lidhje me këtë situatë, duke mbështetur vëzhgimet e një sërë institucioneve të të drejtave të njeriut, të cilët janë autorizuar të depozitojnë raportet e tyre përgjatë procesit.
Problematika e “Dublin II”
Në fakt rregullorja e Dublinit II (rregullore evropiane, që përcakton shtetin anëtar përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës së azilit) specifikon, se në rast të kalimit ilegal të kufirit të një shteti anëtar, shteti në fjalë është përgjegjës për trajtimin e kërkesës. Mirëpo, kjo logjikë përpilimi ka çuar në një sistem pabarazie mes vendeve anëtare, pasi shtetet më të ngarkuara, që duhet të përballen me kalim të paligjshëm të kufirit, janë Greqia dhe Italia. Greqia është vendi ku kalojnë 90% e imigrantëve ilegalë, të cilët po në mënyrë ilegale drejtohen drejt Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së. Athina vlerësohet se nuk ka as mjetet, por as infrastrukturën e nevojshme për të përballuar këtë fluks të lartë refugjatësh.
Përpilimi i Dublin II në vitin 2003, synonte në thelb të evitonte shpërndarjen e refugjatëve sipas vendeve, që mendohet se ishin më bujare, për sa i përket fushës përkatëse dhe sistemit social. Por, dyndja e refugjatëve në Greqi shkaktoi gradualisht edhe mos respektim të Konventës, duke çuar në refuzime masive të kërkesave të azilit nga Greqia, përzënie kolektive të refugjatëve drejt kufirit me Turqinë, si edhe mbajtje në kushte çnjerëzore dhe degraduese të tyre, duke penguar njëkohësisht aksesin në instancat dhe procedurat e azilit.
Duke qenë se situata sa vinte dhe bëhej edhe më problematike, Komisioni Europian propozon në dhjetor të vitit 2008 amendimin e rregullores Dublin II, për ta bërë atë më njerëzore dhe për të hequr barrën e shtetit kufitar, si në rastin konkret të Greqisë. Por, tre shtete me peshë të konsiderueshme në BE, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe krijuan një minoritet bllokues kundër këtij amendimi. Të tre shtetet, e bazonin argumentin refuzues tek fakti që sipas rregullores në fuqi Dublin II i përket Greqisë të rregullojë këtë problem, dhe të survejojë njëkohësisht në mënyrë efikase miljet kufitare nga ku edhe hyjnë imigrantët ilegalë në tokën e BE-së.
GJEDNJ tenton ndryshimin e situatës
Por, ajo që po konstatohet në lidhje me këtë problematikë është fakti se, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut po pozicionohet vazhdimisht në vendimet e saj në mbrojtje të drejtave themeltare. Gjykata si edhe në vendimin e saj të fundit, ditën e djeshme, në çështjen e “Sharafi dhe të tjerë kundër Greqisë dhe Italisë” rithekson faktin, se i përket shteteve anëtare dhe instancave të tyre kombëtare që të mos transferojnë një kërkues azili drejt një shteti i konsideruar si përgjegjës për kërkesën e tij, teksa ai shtet ka mungesa thelbësore të procedurës së azilit dhe kushteve të pritjes, që përbëjnë arsye serioze, duke e ekspozuar azilkërkuesin ndaj nënshtrimit të trajtimeve çnjerëzore dhe degraduese në kuptimin e nenit 4 të Kartës së të Drejtave Themeltare të BE-së. Pra, Gjykata arriti të kryejë atë çka shtetet anëtare hezitonin të bënin, respektimin e Kartës së BE-së, që i imponohet legjislacionit evropian që prej hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës.
Por, ndonëse vendimet e GJEDNJ-së, nuk kanë një efekt direkt në legjislacionin kombëtar, por iu lihet shteteve anëtare dhe të drejtës së tyre kushtetuese për të përcaktuar influencën përkatëse në të drejtën kombëtare, vihet re se rezistenca është e lartë tek shumë prej tyre. Nga ana tjetër, situata shfaqet paksa dekurajuese, duke mos lënë shumë vend për koment, teksa një operacion i madh anti-imigracion, që po kryhet këto ditë në nivel evropian, ka tërhequr vëmendjen e një sërë organizmash që mbrojnë të drejtat e njeriut, pikërisht për të njëjtën shkelje. Operacioni i koduar “Mos Maiorum” është duke u zhvilluar aktualisht në të gjithë hapësirën Shengen që prej 13 tetorit dhe do të vazhdojë deri më 26 tetor 2014. Ky operacion synon kapjen e imigrantëve ilegalë, duke përforcuar prezencën policore jo vetëm në pikat kufitare, por edhe në ambientet publike, përfshirë edhe mjetet e ndryshme të transportit publik dhe privat./im.ta/
